Home / Lajme / Kronika e zezë / Atentat biznesmenit: Nga hakmarrja për një vrasje, borxhet dhe konflikti me vëllain

Atentat biznesmenit: Nga hakmarrja për një vrasje, borxhet dhe konflikti me vëllain

Policia e Tiranës po heton në disa drejtime për zbardhjen e motiveve të atentatit që iu bë dje biznesmenit të njohur Tofik Hyka, shkruan “Panorama”.

 

 

Burime nga grupi hetimor thanë se dyshimet e para lidhen me një histori hakmarrjesh, pas një vrasjeje të ndodhur 22 vite më parë.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohen as motivet e konkurrencës në biznes, apo borxhet që ka pasur ndaj personave të ndryshëm. Në vitin 1995, një person i afërt i Hykës, me të cilin kishte lidhje farefisnore, por edhe miqësore, u dyshua si autor i vrasjes së “të fortit” të Shijakut, Dritan Avdyli.

Në atë kohë dyshohej se një person i afërt me Hykën futi në kurth Dritan Avdylin, madje u përmend gjatë hetimeve edhe emri i tij, pavarësisht se në asnjë moment nuk u gjetën prova për implikimin e tij në ngjarje. Ekzekutimi do të pasohej me të tjera ngjarje kriminale, të cilat u transferuan dhe në Tiranë, ku në vitin 2007, u vra në Kombinat, Durim Kusi, personi që ishte dyshuar për ekzekutimin e Avdylit, me të cilin Tofik Hyka kishte lidhje shumë të afërt. Nga ana tjetër, biznesmeni 56-vjeçar kishte pasur edhe një konflikt pronësie me të vëllanë, i cili e kishte hedhur në gjyq për të përfituar një pjesë të pasurisë së tij.

BIZNESET

Tofik Hyka njihet prej vitesh si pronar i disa bizneseve në Vorë e në Shijak. Ai është pronar i shoqërisë “Fabiona”, që mban emrin e vajzës së tij të madhe, e hapur në vitin 1995, si dhe pronar i ish-fabrikës së tullave në Vorë. Gjithashtu ka në pronësi edhe dy objekte në Xhafzotaj, Durrës, si dhe një tjetër objekt te “Katër Rrugët e Shijakut”.

Hyka u bë pronar i fabrikës së tullave në Vorë në kohën kur ishte hedhur në ankand nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit në vitin 1995. Më 7 shkurt 1997, objekti i ka kaluar në favor Tofik Hykës, i cili e ka blerë për 1 milion dollarë dhe deri në vitin 1999 investoi 1.4 milionë dollarë të tjerë.

Ky objekt me sipërfaqe prej 42 hektarësh, që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, iu njoh zyrtarisht si pronë Tofik Hykës në vitin 1999, kur përfundoi edhe pagesën e kësteve për blerjen e objektit sipas kontratës.

Biznesi i tij, që sipas ekstraktit të QKR ka status aktiv, “Euro Fabiona Hyka”, ka si objekt përpunimin e gurit, mermerit, granitit, prodhim tullash, tjegullash etj. Por nga ana tjetër, merret edhe me tregti me shumicë e pakicë, import dhe eksport e furnizimi i porosive dhe mallrave të ndryshëm.

KONFLIKTI

Tofik Hyka ka pasur edhe një konflikt pronësie me vëllain e tij, Sinan Hyka. Më 14 qershor të vitit 2012, Sinan Hyka ka bërë padi civile në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar që të njihet si pronar i një toke me sipërfaqe 350 metra katrorë në fshatin Lalm të Tiranës.

Në padinë e civile, Gjykata e Tiranës vendosi që Sinan Hyka, vëllai i biznesmenit Tofik Hyka, të njihet si pronar i pjesës së tokës që i takon. Këtë vendim të vitit 2012, biznesmeni Tofik Hyka e ankimoi në Gjykatën e Apelit Tiranë, që në vitin 2014 vendosi gjithashtu në favor të të vëllait, duke rrëzuar ankimimin e tij.

Gjithashtu lexo

Mashtroi qytetarët e bankat, arrest me burg për administratorin e spitalit Gjerman

“Arrest me burg” është vendimi që Gjykata e Apelit ka dhënë për Lefter Sulkajn, administratorin …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *