Home / Lajme / Maqedoni / BDI dhe Aleanca kërkojnë votë ‘pro’ Kosovës në Unesco

BDI dhe Aleanca kërkojnë votë ‘pro’ Kosovës në Unesco

BDI dhe Aleanca për Shqiptarët nuk pajtohen me qëndrimin e kryeministrit Zoran Zaev, që Maqedonia të mos mbështesë Kosovën për pranim në UNESCO.

Zëdhënësi i BDI-së, njëherit edhe zv/kryeministër për eurointegrime në Qeverinë e re, Bujar Osmani, tha se Maqedonia ka pranuar pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe një gjë e tillë e obligon vendin që ta mbështesë atë në rrugëtimin ndërkombëtar.

“Maqedonia ka pranuar pavarësinë e Republikës së Kosovës që është akti më i lartë në raportet ndërshtetërore dhe kjo e obligon vendin të mbështesë rrugëtimin ndërkombëtar dhe perspektivën e Kosovës”, tha Bujar Osmani.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Kryeministri Zoran Zaev, duhet të respektojë qëndrimin e partnerëve të koalicionit si dhe votuesve shqiptarë të cilët e mbështesin pranimin e Kosovës në UNESCO.

“Maqedonia ka pranuar Pavarësinë e Kosovës, duke respektuar edhe vullnetin e popullit shqiptarë të Maqedonisë, duke patur qëndrim të njejtë me politikën e SHBA-së, dhe shteteve anëtare të BE-së, për ta pranuar një realitet politik siç është Kosova e Pavarur dhe e pranuar ndërkombëtarisht. Qeveria e re dhe Kryeministri Zaev, duhet të vazhdojë me këtë qasje afirmuese për Kosovën duke respektuar edhe qëndrimin e partnerëve të koalicionit si dhe votuesve shqiptarë të cilët mbështesin pranimin në UNESCO, si dhe të respektojë të gjitha marrëveshjet e fqinjësisë së mirë, duke krijuar raporte të qëndrueshme politike në interes te stabilitetetit politik, zhvillimit ekonomik si dhe procesit te ndërsjelltë euro-integrues”, vlerësojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Kryeministri Zoran Zaev, në një program të hapur në servisin publik, deklaroi se kur të vendoset për hyrje në UNESCO dhe mbrojtje nga UNESCO të objekteve në Kosovë, Maqedonia nuk duhet të marrë anë. Ai shtoi se Maqedonia duhet të jetë neutral mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka kritikuar Qeverinë e deritanishme që ka votuar “Pro” në këtë proces.

Gjithashtu lexo

BESA me Çupin dhe LR-PDSH me Agollin do të garojnë në Dibër

Partitë politike bashkë me degët komunale po i bëjnë përgatitjet e fundit para zgjedhjeve lokale, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *