Home / Lajme / Rajon / “Berlin plus”, plani gjerman për Ballkanin, Integrim e zhvillim ekonomik

“Berlin plus”, plani gjerman për Ballkanin, Integrim e zhvillim ekonomik

Nisma e re gjermane për Ballkanin quhet “Berlin Plus”. Në media ka nisur të përmendet gjithmonë e më shumë, por koordinatori për këtë rajon në Ministrinë e Jashtme gjermane, Christian Hellbach i shpjegoi “Deutsche Welle”-s se ku konsiston saktësisht ky plan.

 

Hellbach kujton sesi shefi i diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel shfrytëzoi konferencën e fundit të Institutit “Aspen” për Ballkanin, që të jepte vlerësimin e tij mbi gjendjen. Gjermania i mbetet besnike perspektivës europiane të këtyre vendeve edhe për vet interesin e saj.

Por nuk është sekret, që afrimi i shteteve ballkanike me BE-në po ecën shumë ngadalë, sepse jo të gjithë aktorët kanë interes të vërtetë për reforma. “E dimë se reformat nuk janë të lehta, – shprehet Hellbach, – dhe se rajonit i nevojitet më shumë mbështetje në rrugëtimin e tij drejt bllokut”. Me këtë pohim, zyrtari nuk i referohet vetëm përkrahjes politike, por edhe asaj ekonomike dhe impulseve për bashkëpunimin rajonal, duke kujtuar se zona ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar.

“Në fund të fundit bëhet fjalë që qytetarët t’i ndiejnë drejtpërdrejt avantazhet e afrimit me BE-në. Ne duam të ndihmojmë me projekte konkrete. Por kjo nuk është një rrugë njëkalimshe. Ministri Gabriel e bëri të qartë se në çështjet kryesore, si shteti ligjor, të drejtat e njeriut dhe lufta kundër krimit e korrupsionit, nuk do të ketë tolerime”, tha Christian Hellbach, koordinator për Ballkanin Perëndimor.

Po çfarë mund të pritet saktësisht nga Brukseli dhe Berlini.

“Nuk ka asnjë partner në rajon, që bën më shumë për rajonin sesa BE-ja dhe Gjermania në planin dypalësh. Ne e mbështesim Ballkanin politikisht, financiarisht dhe me transferimin e dijes. Pa harruar investimet dhe tregtinë. Nga ana ekonomike, Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës prej kohësh. Nisma ‘Berlin Plus’ do të zgjerojë mbështetjen e deritanishme”, tha Hellbach.

 

Projektet që do të mbështeten më shumë janë ato, të cilat përmirësojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin, por mbi të gjitha ato që nxistin sidomos situatën ekonomike dhe krijojnë vende pune. Këtu bëjnë pjesë edhe nisma infrastrukturore ndërrajonale, si autostrada mes Serbisë e Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu lexo

Digjet një Audi Q7

Në rrethana ende të pasqaruara është djegur një veturë e tipit “Audi Q7”në qytetin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *