Home / Lajme / Botë / Fronte të reja lufte në Lindjen e Mesme?

Fronte të reja lufte në Lindjen e Mesme?

Sipas ekspertit për Iranin, Bahman Nirumand, sulmet në Teheran janë në një linjë me logjikën e zhvillimeve të fundit në rajon.

Irani ka vite që është i përfshirë fort në luftën kundër milicëve terroristë “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak. Megjithatë deri para sulmeve të fundit ndaj dy objekteve të ndjeshme, Parlamentit dhe Muzeut Khomeini, në këtë vend nuk ka pasur sulme të IS-it. Për një kohë të gjatë udhëheqësit iranianë mburreshin me faktin se Irani është një ishull i paqes dhe i stabilitetit dhe një vend i sigurt.

Irani akuzon Arabinë Saudite se është përgjegjëse për sulmin e dyfishtë në Teheran, edhe pse për atentatorët deri tani dihet pak. Ata flisnin arabisht, por Irani pretendon se ata ishin shtetas iranianë.

Sipas ekspertit për Iranin, Bahman Nirumand,  edhe pse Ajatollah Kamenei pretendonte se IS-i nuk guxon të afrohet në Iran, sepse Irani kufton kundër tij në Siri dhe Irak, kohët e fundit në Iran ka pasur herë pas here arrestime personash që konsideroheshin si atentatorë potencialë të IS-it.

Ndryshime në konstelacionin e pushtetit

Bahman Nirumandi thotë se ai nuk është krejtësisht i bindur, nëse atentati është planifikuar prej IS-it. Sipas tij sulmet janë në një linjë me logjikën e zhvillimeve të fundit në rajon: vizita e Presidentit amerikan Trump në Arabinë Saudite, krijimi i një fronti kundër Iranit, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike të disa shteteve arabe me Katarin, afrimi i Katarit me Iranin e kështu me radhë.

Këto zhvillime do ta ndryshojnë sipas ekspertit konstelacionin e pushtetit dhe të forcave në rajon. Nuk dihet nëse Katari do t’i nënshtrohet presionit të shteteve arabe apo tani do të lidhet edhe më tepër me Iranin.

Po ashtu nuk dihet se ç’qëndrim do të mbajë Turqia, ndërkohë që Parlamenti turk vendosi ta zgjerojë bazën ushtarake turke në Katar. Po ashtu dihet se Katari dhe Turqia mbështesin Vëllazërinë Myslimane në Egjipt.

Krijim frontesh të reja

Eksperti për Iranin, Bahman Nirumand, thotë: “Së bashku me afrimin e Turqisë me Rusinë të gjitha këto mund të çojnë në krijimin një fronti të ri: nga njëra anë, Irani, Katari, Turqia, Rusia, Iraku dhe Libani, nga ana tjetër, Arabia Saudite, shtetet e tjera të Gjirit Persik, Egjipti dhe SHBA-ja.” Sipas tij javët dhe muajt e ardhshëm raportet do të përkeqësohen, sepse Arabia Saudite duket se është e vendosur për ta ndërprerë ndikimin e Iranit, dhe ka edhe SHBA-në pas vetes.

Perspektiva sipas ekspertit është e zymtë edhe sepse nuk ka se kush të ndërmjetësojë, ngaqë BE-ja nuk ka një politikë të jashtme të njësuar, SHBA-ja dhe Rusia nuk janë të gjendje për ta bërë këtë dhe Kina nuk përzihet fare. / DW

Gjithashtu lexo

Spanja sërish nën frikën e terrorit, parandalohet sulm tjetër, vriten 5 terroristët

Parandalohet një tjetër sulm terrorist në Spanjë, pas atij të Barcelonës ku mbetën të vrarë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *