Home / Lajme / Rajon / Ja çka po u bën Serbia serbëve që votojnë në Kosovë

Ja çka po u bën Serbia serbëve që votojnë në Kosovë

Më 11 qershor 2017 është dita e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë ku të gjithë qytetarët me të drejtë vote do të votojnë për koalicionin, subjektin politik dhe kandidatin për të cilin mendojnë se do të jenë zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës apo në Qeverinë e Kosovës.

Duke marrë parasysh përvojat e mëparshme të shpërdorimit të votës, janë ndërmarrë të gjitha masat që ky shpërdorim, nëse nuk mund të mënjanohet në tërësi atëherë, së paku do të jetë sa më i vogël i mundshëm. Autoritetet shtetërore për mbrojtjen e së drejtës së votës, Policia e Kosovës, Prokuroria e shtetit dhe Sistemi gjyqësorë janë deklaruar se do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e shpërdorimeve, krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë votuesit, pa bërë dallime në baza etnike, fetare, racore, gjuhësore, statusit ekonomik dhe shoqëror dhe se ndaj të gjithë atyre që e pengojnë të drejtën e votës si e drejtë ligjore dhe e drejtë elementare e njeriut, do të marrin masa ligjore duke i dënuar me burg deri në 5 vite.

Premtimet, sidomos të Prokurorisë së shtetit janë shumë të forta dhe inkurajuese nëse zbatohen në përputhje me ligjin. Këto zotime të Prokurorisë së shtetit nuk duhet të vlejnë vetëm për ditën e votimit por duhet të zbatohen gjatë tërë procesit zgjedhor sidomos gjatë fushatës në mënyrë që dita e votimit të jetë e qetë duke siguruar një votim jodiskriminues. Në procesin zgjedhor të Kosovës kohëve të fundit kemi një ndërhyrje flagrante të Serbisë që po investon shuma të mëdha parash për forcimin e subjektit politik të Serbisë në Kosovë, Lista Srbska, sikur që po i ndërmerr të gjitha masat si kërcënimi, shantazhimi, largimi nga puna, pezullimi në punë, zhvendosje në një vend tjetër pune, degradimi i pozitës si dhe kërcënime tjera për të gjithë ata kandidatë të subjekteve serbe në Kosovë që duan të garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 jashtë Lista Srbska. KMDLNj e ka listën e kandidatëve ( 9 veta ) të Partisë Liberale serbe të cilët janë kërcënuar se do të largohen nga puna apo se ndaj tyre do të merren masa tjera ndëshkuese nëse nuk largohen nga lista e Partisë Liberale Serbe.

Pasi ata nuk i kanë përfillur kërkesat e Serbisë, disa prej tyre janë larguar nga puna, janë pezulluar përkohësisht, u janë ndërruar vendet e punës duke i degraduar profesionalisht sikur që janë urdhëruar të kthehen në Serbi për të punuar në vende të reja përkundër faktit se janë qytetarë të Kosovës dhe se kanë qenë në marrëdhënie pune në Kosovë.   Që paradoksi të jetë edhe më i madh e që vërteton ndërhyrjen flagrante të Serbisë në procesin zgjedhor të Kosovës, të larguarve nga puna apo që u është shqiptuar masa ndëshkuese, në vendimin e lëshuar nga autoritetet e Serbisë shkruan se të pakënaqurit me këtë vendim mund të ankohen në Gjykatën Themelore në Nish në periudhën 60 ditë pas marrjes së vendimit. Partia Liberale serbe në Kosovë këto kërcënime i ka paraqitur në Prokurorinë e Shtetit të Kosovës, me materiale dëshmuese por se deri më tani nuk ka asnjë përgjigje për masat që janë ndërmarrë ndaj atyre që, përmes kërcënimit dhe shantazhimit, po ndërhyjnë në procesin zgjedhor duke krijuar rrethana diskriminuese për kandidatët e Partisë Liberale Serbe.

KMDLNj në Prishtinë konsideron se e drejtë e votës si dhe kushtet për shfrytëzim të votimit si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut është e garantuar me ligj dhe duhet të mbrohet me ligj duke i vënë para drejtësisë kërcënuesit dhe shpërdoruesit e kësaj të drejte ndërkaq rasti ndaj Partisë Liberale serbe si dhe kërcënimet që u bëhen z. Nenad Rashiq dhe Aleksandar Jabllanoviq janë të dënueshme prandaj pret nga Prokuroria e shtetit që të ndërmerr  rastet ligjore në mbrojtje të së drejtës së garantuar me ligj.  Çdo veprim tjetër do të ishte legalizim i kërcënimeve, shantazhimit që do të ndikonte në rregullsinë e procesit zgjedhor duke vënë në dyshim rezultatet përfundimtare përmes mohimit të së drejtës që në një proces të lirë dhe jodiskriminues zgjedhor të përcaktohesh për koalicionin dhe subjektin politik t’ia besosh votën apo të zgjedhësh nga elektorati , si kandidat që keni shfaqur gatishmëri të zgjidheni. Jemi në udhëkryq, a po e përparojmë procesin zgjedhor apo po e degradojmë ku në vend të votimit të lirë do t’i nënshtrohemi frikësimit, kërcënimeve apo shantazhimeve?!

Gjithashtu lexo

Një polic turk është vrarë nga luftëtari i SHI-së në stacionin policor në Stamboll

Një polic turk mbrëmë është goditur me thikë për vdekje në stacionin policor në Stamboll …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *