Home / Lajme / Maqedoni / Komuniteti artistik kërkon nga Ahmeti ndryshimin e qasjes ndaj kulturës shqiptare në Maqedoni

Komuniteti artistik kërkon nga Ahmeti ndryshimin e qasjes ndaj kulturës shqiptare në Maqedoni

Një grup artistësh dhe veprimtarësh kulturorë në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim kërkojnë nga lideri Ali Ahmeti që të ndryshojë qasjen ndaj kulturës shqiptare në Maqedoni dhe t’i sigurojnë asaj statusin e duhur në vend. Ata, madje, kanë edhe një propozim konkret për kuadrin që besojnë se kulturës shqiptare në Maqedoni do t’ia siguronte trajtimin e barabartë me atë të komuniteteve tjera, gjë që, sipas tyre, deri tani dukshëm ka munguar. Bëhet fjalë, siç përcjell Gazeta Express, për sopranon e njohur Besiana Mehmedi.

Këto ditë po bëhet ndarja e resorëve dhe priten emërimet nga partitë shqiptare, ndërsa mësohet se BDI-së do t’i takojë posti i sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës.

Siç mësohet nga burime brenda partisë, në qarqet e artit, kulturës dhe ato intelektuale të krahut të BDI-së, kërkohet nga lideri Ali Ahmeti që të ndërmarrë diçka që në Ministrinë e Kulturës të ndalet diskriminimi në vazhdimësi i shqiptarëve, gjë që ka qenë evidente sidomos në 10 vitet e fundit.

Për këtë arsye, emra të shquar nga sfera e kulturës shqiptare në vend, këto ditë e kanë takuar Ahmetin dhe kanë kërkuar prej tij që të emërohet një personalitet që do t’i dalë ballë avancimit të kulturës shqiptare.

Konkretisht, nga këto qarqe i është propozuar emri i Besiana Mehmedit që të emërohet Sekretare Shtetërore, për të cilën konsiderojnë se është një personalitet i fuqishëm dhe me qëndrim intelektual, që vazhdimisht e ka shprehur për çështje të ndryshme të kulturës shqiptare dhe si një prej artistëve me përkrahje nga komuniteti artistik jo vetëm në Maqedoni, por edhe në mbarë hapësirat shqiptare.

Kandidatura e saj, siç thotë njëri nga iniciatorët, mbështetet edhe për arsye se Besiana për një kohë ka qenë e angazhuar në komisionet e Ministrisë së Kulturës, ku vazhdimisht ka ngritur zërin kundër diskriminimit të shqiptarëve dhe ku, si pasojë, është shkarkuar vitin e kaluar. Po ashtu emërimi i Besiana Mehmedit shihet edhe si zbutje e revoltës nga gjinia femërore, e cila ka shpërthyer si pasojë e anashkalimit të femrës shqiptare në emërimet e eshalonit të pare dhe dytë.

Besiana Mehmedi, propozim i komunitetit artistik për sekretare shtetërore në Ministrinë e Kulturës

Besiana Mehmedi ka lindur në Kërçovë, u shkollua në Prishtinë, ka  kryer dy magjistratura, në solo-këndim dhe muzikologji. Ka punuar një kohë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë është bashkëpunëtore e Radios shtetërore Australiane. Nga viti 2006 ajo punon në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku aktualisht është profesor i rregullt. E dëshmuar si këngëtare e njohur në skenën kombëtare e ndërkombëtare, propozuesit janë të bindur se Besiana Mehmedi do të dijë të orientojë kulturën shqiptare në drejtimin që duhet. Besiana Mehmedi nga viti 2013 ka ngritur në këmbë disa aktivitete kulturore të rëndësishme për Kërçovën, ndërsa ka qenë vazhdimisht e përkushtuar në ngritjen e vetëdijes brenda partisë për avancimin e kulturës dhe artit shqiptar në Maqedoni. Ajo është vajza e doajenit të gazetarisë, Qani Mehmedit, ndërsa është e martuar me tenorin e njohur Shkodran Tolaj nga Dukagjini.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *