Home / Lajme / Botë / Nga Parisi në Londër, tre ditët që ndryshuan Evropën

Nga Parisi në Londër, tre ditët që ndryshuan Evropën

Kanali nuk është dukur asnjëherë kaq i gjerë. Të enjten, Theresa May nuk e mori mandatin popullor që kërkonte, mandat të cilin e mori të dielën Emmanuel Macron, i cili i shtoi fitores së tij presidenciale, premtimin e një shumice solide parlamentare.

May është në krizë dhe do ta ketë të vështirë të qëndrojë gjatë në detyrë (pavarësisht abstenimit rekord), ndërkohë që Macron merr në mënyrë të vendosur komandën. Përtej fateve të dy protagonistëve, ky skenar ka dy pasoja.

E para është se Britania e Madhe po hyn në një krizë të thellë dhe të vazhdueshme politike, ndërsa Franca po kërkon qartësisht që të kthejë faqe, pas vitesh të tërë stanjacioni, si dhe të nisë me këmbën e mbarë. E dyta, më e rëndësishme, është se kjo rimëkëmbje e Francës i rikthen asaj një peshë në Evropë, të cilën Mbretëria e Bashkuar e ka humbur dyfish, duke zgjedhur Brexit përpara se të hedhë poshtë, më pak se një vit më vonë, Brexitin “e fortë” që kërkonte May, dhe të paraqitet në negociatat për daljen nga Bashkimi Europian, pa e ditur se çfarë dëshiron të arrijë, dhe çfarë të shmangë.

Në tre ditë, çdo gjë ka ndryshuar në Evropë. Tashmë nuk kishte shumë britanikë që shkelnin frenat e politikës së integrimit ekonomik, dhe shtetet e tjera që nuk ishin në favor të ndjekjes së këtij kursi, nuk mund të mbështeten më tek Londra. Marrëdhëniet e forcave pra, kishin ndryshuar tashmë, por që nga e enjtja e kaluar, sovranistët dhe djathtat e reja ekstreme nuk mund të argumentojnë më, se Brexit është shembull për t’u ndjekur, sepse as edhe britanikët nuk duken të sigurt për zgjedhjen e tyre.

Jo vetëm mbrojtësit e unitetit evropian dalin të forcuar, por ky ndryshim vjen në një kohë kur objektivi kryesor i presidentit të ri francez është që të sjellë Unionin në rrugën e duhur, dhe ku Gjermania sapo ka mbështetur idenë franceze të fuqisë së Evropës, të një bashkimi politik që mund të luajë një rol kyç në skenën ndërkombëtare.

Momenti i duhur

Por me të vërtetë ky projekt mund të materializohet? Angela Merkel dhe Emmanuel Macron janë të bindur. Këshilltarët dhe ministrat e tyre kanë për detyrë që të punojnë në këtë drejtim, si dhe të paraqesin projekte të reja të përbashkëta. Franca dhe Gjermania konvergojnë përsëri në një dëshirë të përbashkët për të çuar përpara Unionin. Parisi dhe Berlini do të shpallin brenda një muaji, krijimin e një fondi të përbashkët për financimin e hapave të parë, drejt një mbrojtje evropiane. Kur francezët dhe gjermanët rigjejnë mirëkuptimin mes tyre dhe bien dakord për të vënë në lëvizje gjërat, situata ndryshon pashmangshmërisht, por kjo nuk është e gjitha.

Eshtë edhe Donald Trump, paparashikueshmëria e të cilit i shtyn evropianët, të gjithë evropianët dhe jo vetëm anglezët e francezët, që të marrin në duar fatet e tyre. Nostalgjitë imperiale të Vladimir Putinit dhe shtimi i kaosit në Lindjen e Mesme, e shtyjnë Evropën që të lëvizë më shpejt, sidomos tani që prania e ombrellës amerikane, nuk është e garantuar.

Në Evropë, çdo gjë ndryshon sepse Mbretëria e Bashkuar është tërhequr, dhe për shkak se çdo gjë ndryshon, edhe në pjesën tjetër të botës. / France Inter – Në shqip nga Bota.al

Gjithashtu lexo

Tërmet i fortë e goditi pjesën jugore të Altlantikut

Një tërmet me intensitet prej 6,7 ballësh sipas shkallës Rihter e goditi sot pjesën jugore …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *