Home / Lajme / Maqedoni / Osmani: Vizita në Bullgari është historike, qëllimi është zhbllokimi i integrimit euroatlantik

Osmani: Vizita në Bullgari është historike, qëllimi është zhbllokimi i integrimit euroatlantik

Vizita në Bullgari është historike, ndërsa qëllimi ynë është që të arrijmë progres në procesin e integrimit euroatlantik, theksoi zëvendëskryeministri i angazhuar për eurointegrime Bujar Osmani në intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve BTA.

“Vizita e parë bilaterale e delegacionit të ri të Maqedonisë është në Bullgari. Tanimë kishim vizitë edhe në Bruksel, por kjo është vizita e parë bilaterale dhe qëllimi ynë ishte që t’i mbyllim çështjet e hapura me fqinjët dhe të kërkojmë mbështetje nga Bullgaria duke pasur parasysh kryesimin vijues të saj me BE-në, që në rend dite të Unionit ta përfshijë çështjen për anëtarësim të Maqedonisë”, thotë Osmani.

Rezultatet nga vizita në Sofje i vlerëson si të shkëlqyeshme, ndërsa më e rëndësishme sipas tij, është që delegacionet e të dy qeverive e kontraktuan tekstin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë, ndërsa mbeten vetëm disa hollësi teknike, të cilat shpreson se do të harmonizohen deri në vizitën e kryeministrit bullgar Bojko Borisov në Shkup më 2 gusht.

“Qëllimi ynë është që t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura – çështjen për Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni, çështjen e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, që në fund të mbetet vetëm çështja për emrin me Greqinë. Kjo është e vështirë dhe emocionale për zgjidhjen e të cilit përpjekje duhet të investojnë të gjithë partitë dhe palët”, deklaroi Osmani.

Thekson se nga marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë kanë mbetur të saktësohen disa çështje nga historia e përbashkët. Që të dyja qeveritë, thotë Osmani, konsiderojnë se historia e Ballkanit është e ndërthurur midis të gjithë popujve dhe se ajo nuk duhet të na ndajë, por të na afrojë.

“Ne e respektojmë historinë e përbashkët, por konsiderojmë se duhet të shikojmë përpara drejt ardhmërisë dhe të synojmë të avancojmë si shtete evropiane”, thotë Osmani.

I pyetur për rolin e ekonomisë dhe projektet infrastrukturore në marrëdhëniet midis dy vendeve, zëvendëskryeministri Osmani thekson se bashkëpunimi ekonomik midis Maqedonisë dhe Bullgarisë nuk është në nivel të nevojshëm dhe se ka shumë mundësi për avancim të tij. Një pjesë e arsyeve për këtë, sipas tij, janë politike, por një pjesë edhe për shkak të asaj që mungojnë projekte konkrete për bashkëpunim. Thekson se ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm lidhur me projektet e financuara nga BE-ja për bashkëpunim ndërkufitar dhe se janë realizuar më shumë se 100, numër i konsiderueshëm janë përgatitur, ndërsa më shumë se 45 janë në fazë të realizimit.

“Gjithsesi se mundemi më shumë. Për këtë arsye fillimisht duhet të rregullohen marrëdhëniet politike që kompanitë dhe biznesmenët pastaj të mund ta zhvillojnë bashkëpunimin, ndërsa vizita jonë në Sofje jep stimul të tillë”, shton Osmani.

Ai e thekson edhe rolin e Procesit të Berlinit për lidhjen e vendeve nga rajoni me korridoret transportuese dhe sisteme energjetike që, siç thotë, do ta përgatisë më mirë Ballkanin Perëndimor për anëtarësim në BE.

Duke u përqendruar në kontestin për emrin me Greqinë, Osmani thekson se kjo është çështje emocionale, ndërsa atje ku ka emocione nuk ka racionalitet.

“Për fat të keq, në periudhën e fundit në vend që të lihen emocionet dhe të shikohet në mënyrë racionale, në çështje është derdhur benzin. Prandj filloi procesi i krijimit të masave për besim midis dy palëve. Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov e vizitoi Greqinë menjëherë pas formimit të Qeverisë së re për të dhënë porosi se ne jemi të gatshëm për kompromis për kontestin për emrin. Unë gjithashtu si zëvendëskryeministër i eurointegrimeve kanë dhënë porosit deri te të gjithë partnerët e mi grekë se duhet të fillojmë komunikim me qëllim që ta forcojmë besimin midis qytetarëve duke e pas parasysh interesin e përbashkët nga bashkëpunimi dhe perspektiva e rajonit”, thotë Osmani.

Vlerëson se kriza në Maqedoni ka treguar se sa më shumë vendi është i bllokuar aq më shumë krijohen probleme të brendshme. Prandaj, mendon Osmani, vendi duhet të lëviz përpara dhe të kërkohen zgjidhje tjera si për shembull, Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim në NATO nën referencë të përkohshme , ndërsa gjatë procesit të ratifikimit nga vendet-anëtare të vazhdojnë bisedimet me Greqinë dhe të gjendet zgjidhje. Propozojmë alternativa dhe zgjidhje kreative me qëllim që të zhbllokohet kjo çështje, thotë Osmani.

Ai gjithashtu konsideron edhe se duhet përfundimisht të mbyllet çështja për Marrëveshjen e Ohrit dhe për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Ka një ligj të paraparë me Marrëveshjen e Ohrit nga viti 2001 i cili nuk është zbatuar dhe ai është ligji për përdorimin e gjuhën shqipe. Ideja është që ta zbatojmë atë ligj dhe ta mbyllim çështjen me Marrëveshjen e Ohrit. Paralelisht me këtë i realizojmë reformat dhe tentojmë t’i zhbllokojmë proceset. Kemi një marrëveshje të tillë me partnerët në Qeveri dhe kjo është midis qëllimeve afatshkurta që është shumë më e rëndësishme për rrugën e eurointegrimit. Komisioni Evropian kërkon nga ne që këto çështje të zgjidhen dhe me këtë do ta mbyllim edhe pjesën normative nga Marrëveshja e Ohrit dhe do të kemi një problem më pak për zgjidhje”, thekson Osmani.

I pyetur nëse kjo mund sërish t’i rrisë tensionet midis shqiptarëve dhe maqedonasve, ai u përgjigj se përkundrazi, mosmbyllja e kësaj çështje është burim i vazhdueshëm i tensioneve në vend.

“Mendoj se tani ka mirëkuptim edhe te komuniteti maqedon se kjo çështje duhet të zgjidhet. ne dëshirojmë që ky proces të jetë inkluziv dhe kërkojmë edhe opozita dhe VMRO-DPMNE-ja ta mbështesin. Prej atje tani më vijnë sinjale se kanë bërë gabime në lidhje me shqiptarët dhe kërkojnë që kjo të korrigjohet në lidhje me shqiptarët dhe ta mbështesë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe”, deklaroi Bujar Osmani.

Për atë nëse Qeveria aktuale e Maqedonisë është stabile duke e pas parasysh atë që disponon me shumicë të vogël parlamentare, Osmani thotë se kjo ndonjëherë nuk është keq sepse kjo e shtyn Qeverinë të jetë më e kujdesshme dhe më inkluzive.

“Ideja jonë është që t’i tërheqim edhe partitë opozitare në procesi integrues. Konside3roj se Marrëveshja e Ohrit dhe integrimet janë çështje jopartiake dhe këtu duhet të arrihet konsensus nacional dhe etnik jopartiak. Prandaj ia shtrijmë dorën opozitës që edhe ajo të jetë pjesë e këtij konsensusi . nuk duam që meritat për atë proces të jenë vetëm tonat, ky është proces i përbashkët për të cilin secila nga partitë e cila ka qenë në pushtet ka kontributin e vet. Në këtë është shansi të marrim mbështetje për Marrëveshjen e Ohrit nga të gjitha partitë, si dhe për integrimet”, deklaroi Osmani.

I pyetur nëse mbesin kushtet e formuara në të a.q platforma e Tiranës, zëvendëskryeministri Bujar Osmani thekson se një prej atyre kushteve është që shqiptarët të mund të marrin pjesë në bisedimet me Bullgarinë për përparimin e çështjeve të hapura.

“Unë jam këtu sot, që do të thotë se kjo çështje është e zgjidhur. Platforma ka dy pjesë – njëra e cila parashikon debate për ndryshime kushtetuese. Kjo pjesë nuk është në Programin e Qeverisë, ndërsa parashikon debate për ndryshime kushtetuese në qarqet akademike, në qarqet politike dhe në shoqërinë civile. Pjesa e dytë është në kuadër të Kushtetutës dhe është pjesë e punës së Qeverisë”, sqaron zëvendëskryeministri për eurointegrime Bujar Osmani në intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve BTA.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *