Home / Kryesoret / Pse Vetëvendosje fitoi në bastionet e LDK-së e PDK-së?

Pse Vetëvendosje fitoi në bastionet e LDK-së e PDK-së?

E diela e 11 qershorit bëri që Lëvizja Vetëvendosje të dilte dhe të festonte në sheshin e Prishtinës, për shkak se sipas tyre por edhe analistëve, ishte partia fituese e zgjedhjeve që u mbajtën atë ditë, pasi kishte garuar e vetme.

Me 27.16 për qind të votave nga rezultatet e publikuara deri tani, Vetëvendosje u rendit e dyta, pas koalicionit PAN.

Por, përpos rritjes së numrit të votave, ajo që u komentua për këtë parti ishte edhe numri i komunave në të cilat ajo priu me numër të votave, e që janë bastione të partive të tjera, PDK-së apo LDK-së.

Duke i parë këto rezultate, lind pyetja se sa mund të jenë treguese ato për zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se Prishtina e ka dhënë modelin e qeverisjes dhe se zgjedhjet e 11 qershorit treguan se qytetarët janë të pakënaqur me qeverisjen e partive të mëhershme në komuna të ndryshme në Kosovë.

“Ajo që duhet të thuhet është se në këto zgjedhje janë afirmuar dy gjëra, u afirmuan pakënaqësitë me dy partitë që kanë qenë deri me tash në udhëheqje në njërën anë, kurse në anën tjetër e afirmuan nevojën për ndryshim, për një qeverisje apo model tjetër të qeverisjes. Këtë mund ta shohim nëse i shohim rezultatet në komuna veç e veç. Ju e dini që edhe në zgjedhjet lokale të 2013 pati pasur disa ndryshime në disa komuna, në Prishtinë e ka marrë qeverisjen Vetëvendosje nga LDK-ja në atë kohë, në Pejë e pati marrë PDK-ja, në Ferizaj PDK-ja, në Gjakovë AKR-ja me Mimoza Kusarin, pra në gjitha këto komuna nëse e shohim votën sot në zgjedhjet e 11 qershorit është vetëm Prishtina ajo e cila  në fakt e ka rritur votën kurse në këto komunat tjera ku ka pasur ndryshim atëherë, ka dominuar Vetëvendosja. Pra, kjo i bie që vetëm Prishtina e ka dhënë modelin e qeverisjes i cili përkrahet nga qytetarët, derisa në anën tjetër në qeverisjet e tjera ka pasur zhgënjim. Pra, këto zgjedhje mund të jenë një tregues pak a shumë edhe për zgjedhjet lokale, sepse janë tregues përtej numra, janë tregues që flasin për nevojën që edhe në zgjedhjet lokale të ketë një model të ri qeverisës”, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti.

Image

Shkodran Hoti

FOTO GALERI

Më tej, Hoti ka thënë se Vetëvendosje po fuqizohet dhe se presin që në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit të fitojnë në sa më shumë komuna, përpos asaj të Prishtinës.

“Ne e kemi thënë edhe më herët, para këtyre zgjedhjeve, që organizata jonë është duke u rritur duke u fuqizuar në vazhdimësi. Këtë më pas e kanë treguar edhe rezultatet në bazë të sondazheve të ndryshme që u mbajtën para zgjedhjeve, pra Vetëvendosje është më u fuqishme se kurrë, edhe sa i përket votës që e ka marrë në këto zgjedhje por edhe sa i përket rritjes së anëtarësisë, shtrirjes në terren. Mendoj që kjo shtrirje dhe ky fuqizim në terren e ka mundësuar këtë rritje. Rrjedhimisht do të duhej që ky fuqizim në terren bashkë me këto rezultatet që i morëm në këto zgjedhje të ndikonin pozitivisht edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti dhe normalisht që ne presim rritje të madhe në secilën komunë dhe presim që të fitojmë sa më shumë komuna, përtej Prishtinës dhe besoj se kjo do të ndodhë”, është shprehur ai.

Sërish zgjedhje?

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve aktuale në vend, Haki Abazi nuk e sheh si tregues për zgjedhje lokale, rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por ai e sheh të komplikuar faktin që të përsëriten zgjedhjet parlamentare sërish.

Image

Haki Abazi

FOTO GALERI

“Ne fakt rezultatet për parlament jo gjithmonë përkthehen në rezultatet për kryetar komune dhe asamble komunale. Është dinamikë krejt tjetër në nivelin komunal. Por, gjithsesi zgjedhjet në nivelin nacional kanë dimension shumë-dimesional. Ato fillojnë nga frustrimi për status-quo në shtet-ndërtim deri tek skandalet dhe niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit në politikë. Nuk e besoj që do të ketë lëvizje të mëdha në nivelin komunal ashtu siç ka pasur në nivelin qendror edhe për shkakun e marrëdhënieve dhe interesave nga e kaluara por dosido mbetet të shihet. Komplikimi mund të vijë nëse zgjedhjet nacionale përsëriten dhe mandej të dy palët zgjedhjet përsëriten në të njëjtën kohë”, ka deklaruar Abazi për gazetën “Bota sot”.

Humbja e bastioneve

Ndryshe mendon analisti Ali Hertica, i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se elektorati i ka dënuar partitë, duke bërë që të humbin bastionet e tyre dhe të fitojë Lëvizja Vetëvendosje.

“Barometrat e politikës së shoqërisë së Kosovës thuajse morën kursin e një trajtimi tjetër të sistemit demokratik, duke treguar se tani qytetari është dhe di të dallojë të ardhmen e tij për të jetuar dhe liruar nga bandat dhe kriminelët ekonomik dhe zhvatësit që ka shumë që i sollën subjektet e tyre ku janë, njëlloj ”listë e jo parti” ku tani qytetari nuk ka votuar me zemër, por me kokë duke menduar mirë. Fituesi i zgjedhjeve definitivisht është  VV-ja, ku ju paralajmëroi partnerëve politikë se tani ka ardhur koha që të ndëshkohen nga elektorati për të gjitha të bërat për shoqërinë duke ju dhënë kartonin e kuq për të udhëhequr shtetin, ku kjo tregon se në shumë komuna të Kosovës tani po mbretëron fryma e demokracisë moderne e sistemit pluralist”, ka deklaruar ai.

Image

Ali Hertica

FOTO GALERI

Më tej, Hertica ka thënë se humbja e bastioneve të partive ka ndodhur për shkak të sistemit të tyre të udhëheqjes dhe se VV-ja ka kapacitet për udhëheqje, nga përvoja me Prishtinën.

“Humbja e bastioneve e të dyja subjekteve politike që tani e 18 vite luanin me ndjenjat e sovranit dhe me taksat e tyre, është treguesi më i mirë se tani bastione nuk do të ketë për asnjë subjekt politik por vetëm ato që ndërrojnë sistem dhe kanë parim ndërtimin e shtetit në çështjen socialo-ekonomike dhe infrastrukturë moderne dhe evropiane. Të gjitha subjektet politike dhe tani partia shtet-formuese që fitoi zgjedhjet VV ka kapacitet dhe vizion që ta udhëheq çdo komunë sepse ka marrë përvojë nga kryeqendra e Prishtinës, ku të tjerët nuk do ishin fare problem. Për tani shoqëria ka dhënë verdiktin e qëlluar dhe tani them se ky është fillimi i demokracisë moderne dhe dënimi për të gjithë ata që shkelin mbi sovranin pa ju dhimbsur fare dhe pa menduar për të”, është shprehur Hertica për gazetën “Bta sot”.

Gjithashtu lexo

Shkatërrohet xhamia ku u shpall kalifati – (VIDEO)

Shkatërrimin e xhamisë Grand Al-Nuri të Mosulit dhe minaresë së veçantë të saj, kryeministri irakian …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *