Home / Lajme / Maqedoni / Rexhepi: Bashkësia Fetare Islame të ketë status të barabartë me Kishën Ortodokse maqedonase

Rexhepi: Bashkësia Fetare Islame të ketë status të barabartë me Kishën Ortodokse maqedonase

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se institucioni që drejton, është diskriminuar në vazhdimësi në dhjetë vjetët e fundit dhe kjo praktikë, shton ai, përfundimisht duhet të ndërpritet.

Për këtë arsye, ai thotë se i është drejtuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë me një shkresë, përmes së cilës kërkohet trajtim i barabartë i Bashkësisë Fetare Islame dhe Kishës Ortodokse në Maqedoni, përkatësisht aq sa investon shteti te Kisha Ortodokse po aq të investojë edhe te Bashkësia Fetare Islame. Kjo për faktin, siç thekson Rexhepi, se ky institucion më vete ngërthen rreth 1 milion besimtarë mysliman në Maqedoni, të të gjitha përkatësive etnike me theks ata shqiptarë.

“Ne e falënderojmë Zotin për këtë multi-etnicitet që na ka dhuruar në këtë nënqiell, por fatkeqësisht neve si institucion, na diskriminoi politika shumëvjeçare që e udhëheq shtetin që nga pavarësia e Maqedonisë. Kërkesat tona kanë të bëjnë me atë që ajo, e cila na garantohet me nenin 19 të Kushtetutës së Maqedonisë ku të gjitha bashkësitë fetare gëzojnë të drejta të barabartam të mos mbetet vetëm në teori, por të jetësohet kjo dispozitë ligjore edhe në praktikë”, thekson Rexhepi.

Ai nënvizon se politikat diskriminuese të shtetit ndaj Bashkësisë fetare Islame të Maqedonisë, kanë të bëjnë si në aspektin financiar, ashtu dhe goditjet që i janë bërë këtij institucioni përmes qarqeve të caktuara, por gjithmonë të mbështetura nga institucionet e shtetit.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, në festën e FitërBajramit, ka përcjellë porosi paqeje dhe mirëkuptimi ndërmjet njerëzve për të gjithë besimtarët myslimanë në Maqedoni, por edhe për ata të cilët ndodhen me punë të përkohshme në vendet e Evropës dhe në mbarë botën.

Ai në bisedën për Radion Evropa e Lirë, thekson se në kohën që Evropa gjendet nën ankthin e sulmeve tororise, nga të cilat ethe nuk e anashkalon as Maqedoninë përmes departamentit të veçantë të BFI të Maqedonisë, thotë se imamët shqiptarë që emërohen në diasporë me dekretin e institucionit që përfaqëson, duhet të angazhohen për reflektimin e imazhit të paqes që për burim ka frymën e Kuranit, duke u kujdesur me përkushtim që këto parime të mos devijohen.

“Imamët, të cilët janë zgjedhur në diasporë me dekretimin tonë, sepse i drejtohen xhematit tonë atje duke e ditur përgatitjen e tyre profesionale do t’i kisha lutur të jenë të vëmendshëm të ruajnë të ruajnë imazhin e islamit si sytë e ballit dhe njëherësh të prezantojnë islamin ashtu siç është në të vërtetë, reflektim i paqes dhe tolerancës”, shton Rexhepi.

Ai njëherësh thekson se marrëdhëniet ndërfetare në Maqedoni në mesin e qytetarëve të të gjitha konfesioneve, janë të mira, por këto raporte atakohen jo rrallë nga politika.

“Për fat të keq, nëna e të gjitha të mirave ose nëna e të gjitha të këqijave është politika ajo, e cila menaxhon me vendin. Po qe se politika është politikë raciste, është politikë e cila vuan nga komplekset e ndryshme siç është realiteti ynë, atëherë ajo për qëllime të caktuara tenton t’i çrregullojë, t’i prishë marrëdhëniet ndërfetare”.

“Të përmend vetëm një rast në këtë drejtim. Ka dashur ose jo politikës së ish-qeverisë pak muaj më parë i është nënshtruar Kisha Ortodokse Maqedonase, e cila ka blerë pronat e BFI-së me një çmim simbolik nga Ministria e Financave. Është e paimagjinueshme se si xhamia e Shtipit, monument kulturo- historik i shitet Eparhisë së Shtipit. Jo që s`na kthehen pronat tona me procesin e denacionalizimit, por ata edhe shiten para syve tonë… kjo i tendos raportet ndërfetare”, deklaron Rexhepi.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi njëherësh të gjithë besimtarëve myslimanë në Maqedoni u ka uruar festën e Bajramit duke u dëshiruar prosperitet dhe shumë begati./REL

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *