Home / Lajme / Kronika e zezë / Shkel aksidentalisht gruan e shtrirë në autostradë: Dënohet kosovari

Shkel aksidentalisht gruan e shtrirë në autostradë: Dënohet kosovari

Jana, një e re 22 vjeçe në maj të vitit 2016 në orët e vona të pas mesnatës kishte vendosur t`i jepte fund jetës dhe ishte shtrirë në autostradën A6 në Kappelen të Bernës. Një makinë që po kalonte aty, nuk e kishte vënë re me kohë dhe e kishte shkelur, duke shkaktuar vdekjen e vajzës.

Shkaktari aksidental i vdekjes së saj, një kosovar 48 vjeçar është dënuar të martën nga një gjykatë e Bernës për vrasje nga pakujdesia, shkruan bund.ch. Ky dënim ngre dilema në opinionin e këtushëm: a mund të quhet fajtor shoferi për vdekjen e personit që ka dashur të vetëvritej apo jo!

Shoferi i pafat kishte marrë një padi për vrasje nga pakujdesia, të cilën ai nuk kishte dashur ta pranonte, transmeton albinfo.ch. Kështu, rasti i tij është trajtuar të martën nga Gjykata Regjionale në Biel/Bienne, e cila ka ardhur në përfundimin se kosovari megjithatë është fajtor. Kjo, edhe përkundër faktit se, siç del nga procesi gjyqësor, Jana, kur ishte gjendur në autostradë nuk e kishte gabuar rrugën rastësisht. Por, ajo, me 1.6 promil alkool në gjak dhe me kanabis të konsumuar qe shtrirë në autostradë për t`i dhënë fund jetës.

Madje, pak para se të shkelej nga makina, ajo i kishte telefonuar të dashurit të saj dhe i kishte thënë se po qëndronte e shtrirë në autostradë dhe po shpresonte se makina e radhës do ta shtypte.

“Unë s`mund të bëja asgjë për ta penguar këtë”, thotë ndër lot para trupit gjykues shoferi që po konsiderohet shkaktar i aksidentit. Ai vet nuk ka qenë as i dehur dhe as nën ndikimin e drogës, nuk ka qenë as duke dëgjuar radio dhe as duke folur në telefon mobil. Ai madje ka vozitur jo më shumë se 100 kilometra në orë, në rrugën ku lejohet zhvillimi i shpejtësisë deri në 120 në orë, përcjell albinfo.ch Si shofer, ai e njeh këtë rrugë “përmendësh”. Dhe megjithatë s`ka mundur të bënte asgjë tjetër.

Përkundër faktit se kur e kishte parë se në rrugë ndodhej një “gjësend” ai kishte frenuar dhe ishte përpjekur ta shmangte, ai e kishte shkelur. Vetëm pastaj e ka parë se bëhej fjalë për një njeri të shtrirë. Ai kishte telefonuar policinë dhe kishte pritur aty deri sa kishte ardhur.

Që nga ajo ditë ai është i traumatizuar, ka marrë pushim mjekësor, vuan nga depresioni dhe ndjenja e fajit, përcjell albinf.ch. Nuk mundet as të vozisë makinën, duke qenë para kësaj edhe shofer kamioni.

“Unë e ndjej veten si viktimë” thotë ai. Por për gjyqtaren ai është fajtor prandaj e ka dënuar për vrasje nga pakujdesia me një dënim me para me kusht prej 1050 frangash plus një gjobë prej 200 frangash. Po ashtu ai duhet të paguajë edhe shpenzimet procedurale që bëjnë mbi 8000 franga. Avokatja e tij ka deklaruar se do të ushtrojë ankesë.

Gjithashtu lexo

Kontrollohen lokalet e zhurmshme në Tetovë – (VIDEO)

Të dielën  rreth orës 1.00 pjestarë të policisë nga Sektori për Punë të Brendëshme në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *