Home / Lajme / Maqedoni / Shqiptarët për NATO dhe BE duan ndryshimin e emrit, maqedonasit kategorik jo ndryshimit të emrit (Video)

Shqiptarët për NATO dhe BE duan ndryshimin e emrit, maqedonasit kategorik jo ndryshimit të emrit (Video)

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë të ndarë në linja etnike sa i përket ndryshimit të emrit, që është ndër kushtet kryesore për anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat euroatlantike. Maqedonasit janë kategorik se emri nuk duhet të ndryshohet, ndërkaq shqiptarët mendojnë se duhet të ndryshohet emri kushtetues i Maqedonisë, shkruan gazeta Lajm.

“Është një problem i kamotshëm, i pa zgjidhur. Duhet të reagojë faktori i jashtëm që ky problem të zgjidhjet një herë e përgjithmonë. Pa dashur të thellohem them se me këtë çështje duhet të merren ata që marrin rroga, paguhen për këtë punë”, tha një banor shqiptar i Shkupit.

“Mendimi im është se emrin nuk ka nevojë ta ndryshojmë për tu inkuadruar në strukturat evropiane. Nëse shumë këmbëngulet për një gjë të tillë, nëse është shumë e rëndësishme, për gjithë popullin maqedonas që vetëm të inkuadrohet në BE, do të ishte e mundur që një gjë e tillë të bëhet nëpërmes referendum. Por unë jam i mendimit se emri nuk duhet të ndryshohet”, deklaroi një banor maqedonas për Lajm TV.

Qytetari tjetër maqedonas shpreh shqetësimin e tij për çështjen e identitetit.

“E gjithë puna sipas meje është identiteti, i cili në asnjë mënyrë nuk guxon të ndryshohet. Se nëse ndryshohet identiteti do të na ndryshohet edhe gjuha, që e kemi”, pohoi banori.

Në mesin e qytetarëve të anketuar, ishte edhe një qytetar i cili më mirë do pranonte që ta vrisnin se vendit t’i ndryshohet emri.

“Të më vrasin, kur është fjala për mua. Emri është i pa ndryshueshëm, nuk mundem unë të vendosi për gjyshin, për babin, djalin dhe nipërit e mi. Ne jemi maqedonas dhe të tillë do të mbetemi. Ata që kërkojnë ndryshimin e emrit janë fashist, aj proces është proces fashist, sepse vetëm fashistët mund të kërkojnë një gjë të tillë”, u shpreh I prerë një banor tjetër maqedonas.

Banori tjetër maqedonas tha se për çështje të tilla të prekshme duhet të vendoset nëpërmes refendumit.

“Nuk e di kjo çështje duhet të vendoset me referendum, vetëm referendumi është shpëtim, për dalje nga një proces i komplikuar si ky i emrit”, theksoi shkurt banori.

Qytetari shqiptar, mendon se emri duhet të ndryshohet, por të jetë i pranueshëm për dy palët, që mos të preket identiteti i ndonjërës nga palët e përfshira në bisedime.

“Varet çfarë konteksti kërkohet ndryshimi, por emri gjithsesi duhet të ndryshohet për tu anëtarësuar. Mirëpo, duhet të gjendet një zgjedhje, një emër i përbashkët mes dy palëve. Të mos preket identiteti I asnjërit, sepse e dimë që pala maqedonase janë shumë të prekshëm në atë sferë”, përfundon banori shqiptar.

Maqedonia po shqyrton mundësinë e shfrytëzimit të referencës së përkohshme IRJM për anëtarësim në NATO, pati deklaruar para disa ditësh për Financial Times ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov. Kjo sipas shefit të diplomacisë do të ndihmonte në qetësimin e gjendjes në Ballkan. Mirëpo, kreu i Qeverisë së Maqedonisë Zoran Zaev në deklaratën e tij të fundit tha se për çështjen e emrit fjalën e fundit do ta kenë qytetarët nëpërmes referendumit.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *