Home / Lajme / Botë / Sulmuesi nga Brukseli ka shkaktuar dy shpërthime para se të vritet

Sulmuesi nga Brukseli ka shkaktuar dy shpërthime para se të vritet

Prokurori federal i Belgjikës, Erik Van der Sipt në konferencën e sotme për shtyp në Bruksel kumtoi hollësi nga sulmi i djeshëm terrrorist në Stacionin qendror hekurudhor në kryeqytetin e Belgjikës, i cili përfundoi pa viktima civile.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Van der Sipt konfirmoi se burri 37-vjeçar ka hyrë në Stacionin qendror dhe përmes pultit për bileta ka arritur deri te platformat ku ka pasur grup më të madh njerëzish. Ai pastaj ka shkaktuar shpërthim të pjesërishëm në valigjen e tij, e cila ka marrë flakë.

“Ai atëherë është nisur në kërkim të shefit të stacionit. Në të njëjtën kohë, valixhja e tij ka shpërthyer për të dytën herë. Personi atëherë ka dashur të sulmojë një ushtar që ka qenë duke patrulluar në stacion dhe pastaj ka thirrur “Allahu Ekber”. Ushtari e ka qëlluar sulmuesin, i cili më vonë u është nënshtruar plagëve. Personi nuk ka mbajtur rrip me eksploziv dhe nuk ka qenë i njohur për akte terroriste”, kumtoi prokurori federal i Belgjikës.

Erik va der Sipt gjithashtu kumtoi se sulmuesi, i cili paraprakisht nuk ka qenë i ndërlidhur me aktivitet terrorist, vjen nga lagjja problematike e Brukselit, Molenbek, nga e cila rrjedhin edhe pjesa më e madhe e akteve terroriste që i kanë kryer sulmet e vjetshme në Bruksel dhe Paris.

Banesa e tij është bastisur, por as identiteti i këtij personi, për të cilin vetëm supozohet se është me origjinë arabe, as detaje tjera, tash për tash nuk zbulohen.

Paraprakisht kryeministri i Belgjikës Sharl Mishel, u bëri thirrje njerëzve që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe konfirmoi se sulmi terrorist që ka ndodhur mbrëmë është evituar falë intervenimit të shpejtë të ushtrisë.

“Stacioni dhe zona historike aty ngjitur në qendër të qytetit, duke përfshirë sheshin e stilit barok Grand Plejs, plotë me turistë dhe vendas në një mbrëmje të ngrohtë, u evakuuan pasi policia ngriti një kordon të sigurisë”, thanë dëshmitarët.

Tabloidi Het Lejt Njuz, citoi dëshmitarë sipas të cilëve personi i qëlluar brohoriti në arabisht “Allahu Akbar” (Zoti është i madh), para shpërthimit të vogël.

Ushtarët që vrapuan drejt vendit të ngjarjes, panë tela që vareshin nga rrobat e burrit dhe e qëlluan atë, ndërsa pohimet nuk ishte e mundur të vërtetoheshin në mënyrë të pavarur.

Qyteti është në gjendje alarmi për më shumë se 18 muaj që kur militantët e grupit Shteti Islamik me bazë në Bruksel, kryen sulme në Paris në nëntor të vitit 2015 që lanë pas vetes 130 të vrarë dhe më pas në mars të vitit të kaluar hodhën bomba në aeroportin dhe metronë e Brukselit, duke vrarë 32 veta.

Një zëdhënës i policisë tha se “ka një incident në Stacionin Qendror. Pati një shpërthim afër një personi. Ai është neutralizuar nga ushtarët që ndodheshin në zonë. Aktualisht policët janë në stacion dhe situata është nën kontroll”.

Kryeministri Mishel dhe ministri i Brendshëm janë në Qendrën kombëtare të krizave dhe po i ndjekin zhvillimet.

Gjithashtu lexo

Spanja sërish nën frikën e terrorit, parandalohet sulm tjetër, vriten 5 terroristët

Parandalohet një tjetër sulm terrorist në Spanjë, pas atij të Barcelonës ku mbetën të vrarë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *