Home / Shëndeti / Superfrutat e Freskëta të Qershorit

Superfrutat e Freskëta të Qershorit

Qershori është muaji i parë zyrtar i verës. Dhe zakonisht kur mendojmë për verën, mendja na shkon menjëherë tek ngjyrat, jo vetëm në garderobë, por edhe tek ngjyrat që servirim në pjatë. Më poshtë, do të gjeni cilat janë 5 frutat që duhet të mbushin shportën tuaj në këtë muaj dhe disa këshilla nga AgroWeb për mirëmbajtjen dhe zgjedhjen e tyre.

Fiqtë. Konsiderohen si ndër frutat më ndjellëse, me një shije shpërthyese mes të ëmblës dhe të athtës. Nuk gjenden me sasi të mëdha në treg aktualisht, por kjo duket se i bën akoma dhe më të veçantë dhe magjikë. Kryesisht ato vijnë nga zona e Beratit, e cila shquhet për prodhimin e fiqve, por dhe Himara e Saranda kanë një prodhim të mirë të tyre. Në këto ditë të para të qershorit, fiqtë e vendit ende janë larg konsumatorëve.  Si t’i zgjidhni? Fiqtë janë shumë delikatë, edhe për faktin se pasi arrijnë pikun e pjekjes zgjedhja e tyre bëhet pak më e vështirë. Idealët janë ata të butët, por jo të qullët. Nëse janë dhe pak të çarë në lëkurë nuk përbëjnë asnjë problem. Ata që i pëlqejnë shumë fiqtë, duhet të bëjnë kujdes që të mos jenë të tharë dhe të mos mbajnë erë fermentimi. Si t’i ruani? Janë aq delikatë sa medoemos duhet t’i vendosni në frigorifer, pasi ato do të fillojnë të prishen vetëm disa orë pasi janë këputur nga pema. Këshilla shtesë. Fiqtë jeshilë janë idealë për t’i tharë dhe për t’i konsumuar më pas gjatë vitit. Ndërkohë që fiqtë e zonës përgjatë Adriatikut, janë fiqtë më të mirë që mund të keni provuar ndonjëherë.

Mjedra dhe manaferra. Fermerët shqiptarë kanë nisur të kultivojnë gjithnjë e më shumë mjedra ndërkohë që manaferrat vazhdojmë t’i kemi dhuratë nga natyra, pa i kultivuar në serra. Në këtë periudhë mund t’i gjeni në tregjet e fshatarëve, të cilët harxhojnë shumë mund për mbledhjen e tyre.  Si t’i zgjidhni? Zgjidhni mjedra dhe manaferra me ngjyra të forta, pasi ato janë dhe më të mirat. Gjithashtu këshillohet të shihni dhe shportën ku janë vendosur nëse kullojnë, tregues se disa nga manaferrat janë prishur. Si t’i ruani? Manaferrat janë shumë delikate dhe duhen ruajtur në frigorifer të mbyllura në mënyrë hermetike. Lajini manaferrat në ujë rrjedhshëm para se t’i servirni.

Pjepri. Nëse ka një frut, që përfaqëson më së miri ëmbëlsinë e verës, ai është një pjepër apo shalqi i mirë. Shija është e ndryshme, por ndjesia e freskisë dhe ëmbëlsisë që na japin e bën frutin mbret të verës. Zona që ka prurjet më të të mëdha të pjeprit dhe shalqirit është Divjaka. Pjepri i vendit sjell raportin më të mirë mes cilësisë dhe vlerës në blerje. Si t’i zgjidhni? Tek pjepri treguesi më i mirë është ngjyra; ato duhet të kenë një aromë shumë të mirë. Gjithashtu pjesa e poshtme e frutit duhet të jetë në ngjyrë të artë dhe jo jeshile. Si t’i ruani? Pjepri është jetëgjatë edhe pasi është vjelur, me kusht që të ruhet në temperaturën e ambjentit. Nëse të pëlqejnë të ftohtë, mbaji në frigorifer gjatë natës, por nëse i mbani më gjatë do të fillojnë të zbuten dhe kalben. Këshilla shtesë. Pjepri është shumë i ëmbël, ndaj dhe mund ta kombinoni me përbërës të tjerë më të kripur për të balancuar shijen si me proshutë ose djathë.

Pjeshkët, nektarinat. Pjeshkët dhe nektarinat janë mbretëreshat e sezonit të verës. Ndryshimi i vetëm është se pjeshkët janë më të forta dhe me push dhe nektarinat janë me lëkurë më të lëmuar. Më të apasionuarit e këtyre frutave mund të argumentojnë se shija e pjeshkës është shumë më e fortë, ndërsa ajo e nektarinave, kajsive ka nuanca të shijes së agrumeve. Vendin e parë në vend për prodhimin e pjeshkëve dhe kajsive e mban qyteti i Elbasanit. Si t’i zgjidhni? Mënyra më e mirë për të zgjedhur pjeshkët dhe kajsitë më të mirë qëndron tek ngjyra e tyre. Sa më portokalli të jenë, aq më të ëmbla dhe të mira janë. Por mbi të gjitha, asaj që duhet t’i besosh më shumë është nuhatja. Pjeshkët dhe nektarinat më të mira kanë një aromë të parezistueshme. Si t’i ruani? Pjeshkët dhe kajsitë ideale vazhdojnë të piqen edhe pasi janë vjelur, kështu që mos u shqetësoni shumë nëse fruti në fillim është pak i fortë. Por mos i fusni në frigorifer para se të jenë zbutur dhe të kenë marrë më shumë aromë. Këshilla shtesë: Për një gatim më të mirë, duhet t’ia hiqni lëkurën pjeshkëve, ndërkohë që me kajsitë nuk është e nevojshme.

Qershitë. Qershori është padiskutim muaji i qershive. Piku i pjekjes së tyre arrin pikërisht në këtë muaj me qershitë e Beratit, Peshkopisë dhe të Korçës. Fundi i muajit shënon dhe ardhjen në treg të vishnjeve, që dallohen për ngjyrën e errët dhe shijen pak më të athët. Si t’i zgjidhni qershitë? Shikoni për qershi me lëkurë të lëmuar dhe me shkëlqim. Sa më e errët të jetë ngjyra e kuqe, aq më e mirë është qershia, pasi tregon se ajo është plotësisht e pjekur. Gjithashtu kontrolloni dhe bishtat; ato duhet të jenë jeshile dhe me fleksibilitet, ndërkohë që në momentin që ruhen, marrin një ngjyrë si vishnje në të kafenjtë. Si t’i ruajmë qershitë? Futini në frigorifer të izoluara mirë. Ato mund të rrojnë deri në disa javë në këtë mënyrë, ose të paktën në teori, pasi ka shumë gjasa që t’i keni ngrënë deri në atë kohë./AgroWeb.org/  – See more at: http://agroweb.org/?id=10&l=1320&ln=sq&url=superfrutat-e-fresketa-te-qershorit#sthash.UIQQjehE.dpuf

Lexo me shume: http://agroweb.org/?id=10&l=1320&ln=sq&url=superfrutat-e-fresketa-te-qershorit
© Agroweb.org

Gjithashtu lexo

Barishtja e Qepujkave – Bima me Vlera të Pafundme

Edhe pse njihet me emër Italian, Erba cipollina, pra barishtja e qepujkave, bimën aromatike me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *