Home / Lajme / Rajon / Të kthyerit nga luftërat e Sirisë kërcënim për sigurinë e Kosovës

Të kthyerit nga luftërat e Sirisë kërcënim për sigurinë e Kosovës

 Luftëtarët e kthyer në Kosovë nga vatrat e luftërave në Siri e Irak, mund të paraqesin sfidë serioze për sigurinë, madje edhe nëse tashmë janë nëpër burgje.

Një konstatim të tillë e ka dhënë Komandanti i KFOR-it, Gjovani Fungo, me të cilin pajtohen edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Siguria në Kosovë mbetet e brishtë dhe mjaftë e paqëndrueshme”, ka vlerësuar komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Gjatë një fjalimi në Bruksel, ai ka thënë se ka shumë rrethana që mund të prodhojnë dhunë.

Në Kosovë, theksoi ai, çdo ditë ballafaqohemi me sfida politike e acarime multietnike, pastaj ato të ekstremizmit fetar, probleme të refugjatëve e të migrantëve, si dhe me ndikimin rus”, ka vlerësuar komandanti i KFOR-it.

“Muajt e ardhshëm do të shohim se disa luftëtarë, pjesëmarrës në luftërat e huaja, do t’i përfundojnë dënimet e tyre nëpër burgje dhe do të kthehen në shoqëri, çka mund të jetë mjaftë sfiduese”, ka thënë komandanti i KFOR-it.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë ne largim të Kosovës, Valdet Hoxha, tha se Komandanti i KFOR-it, me të drejtë i ka ngritur këto shqetësime.

Në fillim institucionet e Kosovës janë ballafaquar me sfidën e shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja në Siri e Irak, një dukuri kjo e cila sipas Hoxhës është stopuar pas disa veprime të ndërmarra. Kurse tash, sfidë mbetet deradikalizimi dhe ri-integrimi i këtyre personave, që njihen edhe me termin “luftëtarët e huaj”, ndonëse ata do të ballafaqohen edhe me drejtësinë për veprimet e tyre.

“Institucionet e Kosovës kanë një strategji për deradikalizim dhe ri-integrim. Ato po ndihmohen nga ICITAP-i, (Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnime në Hetimet Kriminale) në lidhje me trajtimin e personave të përfshirë në aktivitete radikale apo edhe terroriste”, thotë Hoxha.

Ndërkohë, Burim Ramadani, nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë thotë se institucionet dhe shoqëria në Kosovë janë angazhuar në aspektet e parandalimit dhe luftimin e radikalizmit, kurse u mungon përvoja në programet tjera të de-radikalizimit, rehabilitimit dhe ri-integrimit.

Në bazë të shifrave aktuale, nënvizon Ramadani, për përfshirje apo bashkëveprim në aktivitete terroriste, janë dënuar 50 qytetarë të Kosovës, kurse ndaj 34 personave po zhvillohen procedura gjyqësore. Ndërkaq, nën hetime, janë 131 persona.

Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, kishte deklaruar se të radikalizuar janë jo vetëm ish-luftëtarët e luftërave të huaja, por edhe të burgosur tjerë.

Ishte raportuar edhe për fenomenin e përhapjes së literaturës islame nëpër burgje, për çka më pas patën reaguar institucionet duke ndërmarrë veprime në drejtim të pengimit të shtrirjes së radikalizmit nëpër burgje.

Gjatë vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë u ka shqiptuar dënime 31 personave për pjesëmarrje në aktivitete terroriste. Vetëm gjatë janarit të këtij viti, shtatë persona janë dënuar me gjithsej 18 vjet e gjysmë burgim. Të dënuar janë edhe ish-imamë të Kosovës, siç ishte rasti me Zeqirja Qazimin, i dënuar me 10 vjet burg.

Në kuadër të luftimit të terrorizmit dhe radikalizmit, Kuvendi i Kosovës pati nxjerrë dhe një ligj i cili e sanksionon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, duke paraparë edhe dënime të rrepta deri në 15 vite heqje lirie.

Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra. Një numër prej tyre, kanë humbur dhe jetën e tyre në këto vatra.

Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *