Home / Lajme / Maqedoni / ”Zaevi të mos flasë për interesat fetare serbe”

”Zaevi të mos flasë për interesat fetare serbe”

Nuk ndalen reagimet ndaj deklaratës së Zaevit se, Qeveria e gabuar ka gabuar kur votoi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

 

Deputetë shqiptarë të Parlamentit të Maqedonisë deklaratën se, Qeveria e re do të jetë neutrale në këtë çështje, e kanë konsideruar si të ngutur dhe mbështetje të interesave fetare serbe.

Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA thotë se Zaevi si kryeministër i ri, është ngutur me vlerësimin për Kosovën. Sipas tij, Zaevi duhet të veprojë në parim mbi interesat shtetërore me Kosovën e jo, siç shton ai, të flas për interesa fetare serbe në Kosovë.

“Si kryeministër, Zoran Zaevi duhet të shikojë interesat shtetërore me Kosovën, interesa këto të cilat duhet të jenë mbi interesat fetare serbe në Maqedoni”, tha për KOHA, Zendeli.

Ndërkaq, deputetja e BDI-së, Mirsada Emini Asani deklaratën e Zaevit e quan jokorrekte dhe që nuk i shkon për shtati raporteve të mira ndërfiqnjësore.

Sipas saj, BDI në pushtet do të jetë koherente në angazhimin e saj që të përkrah Kosovën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

“Ashtu siç foli ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov se Qeveria e re së pari duhet të ndërtojë raporte të mira me fqinjët, ashtu duhet të jetë edhe agjenda e Zaevit. Deklarata e tij nuk është korrekte dhe nuk i shkon për shtati raporteve të mira më Kosovën. BDI, në këtë rast meqë vazhdon të jetë në Qeveri, do të jetë përkrahëse e fortë e anëtarësimit të Kosovës në organizata me relevancë ndërkombëtare”, theksoi për KOHA, Mirsada Emini Asani.

Partneri tjetër qeverisës, LR-PDSH, vlerëson se qëndrimi i Maqedonisë rreth pranimit të Kosovës në UNESCO duhet të dalë nga konsensusin politik mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

“Vlerësojmë se qëndrimi zyrtar i Maqedonisë rreth çështjes së pranimit të Kosovës në UNESCO do të jetë në harmoni me qëndrimin e shteteve anëtare të BE-së, si dhe me politikën e jashtme të SHBA-ve. Gjithashtu, qëndrimi zyrtar i Maqedonisë do ta pasqyrojë konsensusin politik mes partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët e përkrahin pranimin e Kosovës në UNESCO”, thotë për KOHA, Flakron Bexheti, anëtarë i kryesisë qendrore të LR-PDSH-së.

Ndryshe, vitin e kaluar, Maqedonia votoi “për” anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa pati reaguar edhe Beogradi zyrtar. Agron Buxhaku ishte ambasador i Maqedonisë në Paris, ndërsa votoi “për” anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ky ishte edhe qëndrim i Maqedonisë, përkundër reagimeve të shumta të qeverisë së Beogradit. Në ndërkohë, anëtarësimi i një shteti në UNESCO bëhet me dy të tretat e votave të anëtarëve në këtë organizatë, ndërsa vota e abstenuar numërohet si votë “kundër”.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *