Home / Kryesoret / Vërshimet në Poroj, shumë premtime e pak realizime

Vërshimet në Poroj, shumë premtime e pak realizime

Të mërkurën  mbushen një muaj nga vërshimet e lumit në fshatin Poroj. Pas 30 ditësh nga Bashkësia lokale e fshatit Poroj, shprehen se janë pjesërisht të kënaqur me pastrimin e shtratit të lumit, por theksojnë se edhe shumë pjesa kanë ngelur pa u realizuar.

Sulejman Ramadani, kryetar i Bashkësisë Lokale të këtij fshati, thotë për gazetën KOHA se më shumë rëndësi i është dhënë pastrimit të shtratit të lumit dhe hapjes së rrugës regjionale Tetovë – Jazhincë. Ai është shprehur se Qeveria dhe komuna duhet të mbajnë premtimet e dhëna për digat dhe urat, sepse nëse vërshimet përsëriten, atëherë dëmet do të jenë më të mëdha.

“Nuk mund të themi se nuk është punuar aspak, është punuar shumë, por vetëm në pastrimin e lumit dhe hapjes së rrugëve. Por, në punët tjera ka ngecje, sepse nuk ka asnjë paralajmërim për premtimet që i ka dhënë kryeministri dhe kryetarja e komunës dhe zyrtarët e Qeverisë. Por, ka ende shumë punë, mbi fshat ka shumë gurë të mëdhenj që duhet të thyhen. Plani për ndërtimin e digave nuk përmendet askund, edhe pse është jetike për të ardhmen e fshatit. Ura ka ngelur pa u ndërtuar, edhe pse ka paralajmërime nga komuna. Mjetet janë ndarë, por kur do të fillojnë punët nuk e dimë”, deklaroi Ramadani.

Një muaj pas vërshimeve, ku fatmirësisht nuk kishte as viktima e as persona të lënduar, por vetëm dëme material, banorët shpresojnë se do të punohet në rikonstruimin e urës kryesore në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë, thyerjen e gurëve përgjatë rrjedhës së lumit mbi fshat, ndërtimin e urës në fshat dhe ndërtimin e digave.

“Gjatë vërshimeve dhe pastrimit të lumit është dëmtuar edhe ura kryesore. Kanë qenë ekspertët në vendngjarje dhe kanë dhënë mendim se ura nuk i plotëson të gjitha standardet dhe nevojitet ndërhyrje urgjente, sepse aty kalojnë shumë makineri të lehta dhe të rënda. Por, për të ndërtuar atë duhet që të ndërtohet një urë tjetër alternative, sepse kjo rrugë është shumë e frekuentuar. Por, edhe në këtë drejtim nuk ka asnjë lëvizje. Është rrezik të qarkullohet, por është lejuar kalimi para 20 ditëve. Sipas njohurive tona, janë dëmtuar shtyllat që e mbajnë urën. Janë të vjetra, por sa do të jenë të qëndrueshme nuk dihet”, deklaroi për gazetën Koha, Sulejman Ramadani. Kryetari i Bashkësisë lokale, ka kërkuar edhe një herë nga kryeministri Zoran Zaev, që të mbajë premtimin e dhënë gjatë vizitës dhe të fillojnë punët për pendët mbrojtëse në fshatin Gjermë, që të evitohet një herë e përgjithmonë problemi i përmbytjeve.

“Problemi ka mbetur tek ajo që ka premtuar kryeministri që do bëhen dhjetëra diga nga Poroji deri në Gjermë. Na u tha se do dalin ekipet në terren që të bëjnë projektin dhe, siç na tha kryeministri, në 2018 të fillohet me punë, por ende s`kanë dalë në terren ose të paktën ne nuk kemi informatë për atë”, theksoi ai.

Nga vërshimet që ndodhën më 5 qershor në fshatin Poroj, u dëmtuan mbi 50 hektarë tokë e mbjellë, objekte banimi si dhe tri urat e këtij vendbanimi. Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim për 25 ditë, ka larguar 100 tonë metër kub gurë dhe mbetje tjera nga shtrati i lumit. Përndryshe, zanafilla e vërshimeve në Lumin e Porojit është në bjeshkët mbi fshatin Gjermë të Tetovës. Banorët e fshatit Gjermë shprehën se problemi i vërshimeve në fshatin e tyre dhe më pas, edhe në Poroj, është në lumin që kalon në këtë fshat. Burimi i tërë këtij rreziku është në lumin e quajtur “Uji i shpejtë”, prej nga uji bart me vete gjithçka që i del përpara dhe i sjell poshtë në fshatin Poroj. Në kohën e ish Jugosllavisë janë ndërtuar diga dhe kaskada. Mirëpo, të njëjtat pas vërshimeve të vitit 2015 dhe vërshimeve të mëhershme, janë dëmtuar tërësisht, duke përfshirë edhe kaskadat e fundit që parandaluan më të keqen para një jave. Tash edhe banorët e fshatit Xhermë, por edhe të fshatit Poroj janë lënë në mëshirë të fatit.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *