Aroma e bukës së pjekur në shtëpi, është ajo e parajsës, nëse ka një të tillë. Nuk ka të krahasuar me asgjë tjetër. Nxehtësia e furrës që përshkon gjithë kuzhinën, aroma që zgjon shqisat dhe padurimi për të shijuar kafshatën e parë me sytë mbyllur.

Në traditën shqiptare, buka nuk ka kundërshtar. Asnjë produkt nuk është aq i kërkuar sa ajo. Fetat e bukës hahen në mëngjes dhe drekë, gjithmonë të shoqëruara me diçka tjetër. Alternativat e bukës që na ofrohen nga pastiçeritë dhe bukëpjekësit janë të shumta, duke nisur nga buka me drith të plotë e deri ajo me fara.

Pavarësisht ofertave, të gjithë e pranojnë njëzëri se askush nuk ia kalon bukës së bërë në shtëpi.

AgroWeb.org ju sjell një recetë interesante se si të gatuani në shtëpi bukë me arra dhe bajame. Arrorët në bashkëpunim me rrushin e thatë i japin bukës një përmbajtje të mrekullueshme. Tuli i bukës është i butë ndërsa korja është krokante. Kjo bukë kombinohet mjaft mirë me të ëmblat e të kripurat dhe nuk duhet të mungojë në tryezën e ngrënies.

Përbërësit

(Për 4 bukë/simite mesatare)

• 1 kg miell
• 250g (2 filxhanë) miell gruri
• 250g (2 filxhanë) miell gruri të pasitur
• 20 g maja e freskët or 1 qese me maja të thatë
• 1 lugë gjelle me vaj ulliri
• 1 lugë gjelle me mjaltë
• 1 lugë gjelle me kripë
• 1 litër (4 filxhanë) ujë
• 1 filxhan e gjysmë me arra të copëtuara
• 1 filxhan e gjysmë me bajame të grira
• 1 filxhan e gjysmë me rrush të thatë (opsionale)

Përgatitja

-Vendosini të gjithë përbërësit – përveç arrorëve dhe rrushit të thatë- në tepsi dhe përgatisni brumin me dorë. Brumi duhet të jetë elastik.

-Brumin mund ta përgatisni me makineri të veçantë buke ose me dorë.

-Përpunojeni brumin me dorë në një sipërfaqe të lyer me miell dhe jepini formën katrore. Shtoni arrorët dhe rrushin e thatë dhe më pas mblidheni atë.

-Përpunojeni sërish me dorë që të siguroni se arrorët dhe rrushi i thatë janë shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme.

-Më pas jepini brumit formën rrethore, vendoseni në një enë, mbulojeni mirë dhe lëreni të vijë në një vend të ngrohtë për 3 orë.

-Pas ardhjes, brumin ndajeni në 4 pjesë të barabarta në formën e topit. Vendosini mbi një letër pjekjeje dhe jepuni hapësirën e nevojshme për zmadhim.

-Spërkatini secilin prej topthave prej brumi me miell dhe lërini të zbuluar për një orë.

-Ngroheni furrën paraprakisht në 240°C. Vendoseni tepsinë në pjesën fundore të furrës dhe menjëherë më pas uleni temperaturën në 200°C . Piqini bukët për 40 minuta.

-Pas pjekjes, lërini bukët të ftohen. Servirini duke i shoqëruar me gjalpë, djathtë, reçel ose mjaltë. /AgroWeb.org