Mendohet shkëmbimi Bufon-Riberi
Presidenti bardhezi, Zhan Klod Blank, do të shfrytëzojë takimin e G14-ës në Mançester për ti bërë propozimin e shkëmbimit numrit një të Bajernit të Mynihut, Karl Hajnz Rumenige.
14 klubet më të mëdha europiane do të takohen në Mançester për të diskutuar mbi çështje të ndryshme të futbollit. Por më tepër se për këtë, duket se objektivi kryesor i presidentit të Juves do të jetë arritja e një marrëveshjeje me Rumenigen për një shkëmbim të mundshëm Bufon-Riberi.
Mediat e huaja raportojnë se Blank kërkon ti bindë gjermanët se transferimi i asit francez në Torino do ishte me më tepër përfitim sesa një marrëveshje me Realin e Madridit. Buxheti i miratuar javën e parë e lejon Zonjën të shpenzojë në merkaton e radhës dhe përfshirja e Bufonit mund ta bëjë më të lehtë realizimin me sukses të operacionit.
Pas tërheqjes së Oliver Kanit, Bajerni i Mynihut ka pasur probleme me portën dhe prej kohësh kërkon një gardian për të siguruar katërkëndëshin. Nga ana tjetër, vetë Xhanluixhi Bufon deklaroi disa ditë më parë se Juventusi duhet të vihet në kërkim të një portieri tjetër.