4 mars
Lartmadhëria e tij, Zinedine Zidane, filloi ti shëtisë mbrojtësit, mesfushorët e sulmuesit kundërshtarë qysh në moshën 16-vjeçare, kur filloi të luante si profesionist. Arrinte që gjërat më të komplikuara ti kryente aq thjesht. Një Muhamed Ali i futbollit!
Kushtrim Alijaj
Në varfëri të thellë, të lodhur nga luftërat, plotësisht të pashpresë për të ardhmen! Ismaili dhe Malika në pranverën e 1953-s vendosin të largohen nga kasollja e tyre në Aguemone, fshat ky në regjionin e Kabilies në Algjeri. Destinacioni i tyre do të ishte Franca, më konkretisht Parisi.
Vuajtjet e tyre për të arritur në Paris do i tejkalojnë ato të Odiseut! E, megjithatë, ata besuan në diçka më të mirë, në asnjë çast nuk e humbën shpresën! Dhe durimi i tyre u shpërblye.
Më 23 qershor 1973, Zoti ua dhuroi një djalë. Ai do të ishte shpërblimi i tyre. Dhe jo vetëm kaq
Ai do të ishte gëzimi dhe krenaria e gjithë popullit francez dhe algjerian. Ai do të ishte kënaqësia dhe relaksimi për sytë e gjithë adhuruesve të futbollit në planetin Tokë.
Lartmadhëria e tij, Zinedine Zidane, filloi ti shëtisë mbrojtësit, mesfushorët e sulmuesit kundërshtarë qysh në moshën 16-vjeçare, kur filloi të luante si profesionist. Arrinte që gjërat më të komplikuara ti kryente aq thjesht. Një Muhamed Ali i futbollit!
Pas çdo ndeshje magjike që bënte, përsëriste të njëjtën fjalë futbolli është i lehtë, muzika është e rëndësishme. Por, në fakt, simfonia më e bukur ishte ajo që bënte ai vetë në fushë.
Dhe shumica e njerëzve kujtojnë Zizun, me golat kundër Brazilit në finalen e Botërorit. Të tjerët me golin spektakolar kundër Leverkusenit në finalen e Ligës së Kampionëve. Por, të paktën, për mendimin tim, ndeshjen e jetës Zidane e ka bërë shumë më herët.
Në pranverën e 1996-s në Bordo zbret Milani i Capellos. Klubi më i fuqishëm i kohës. Ata do të mbronin një rezultat 2-0 të arritur në ndeshjen e parë.
Bordoja ishte para një akti të kryer. Milani i Capellos pësonte gol një herë në muaj. E për ta bërë mrekullinë, Bordo duhej të shënonte tri herë. Por, në këtë mes hyn një ngjarje e pazakontë.
Pak ditë më herët Zidane kishte deklaruar haptazi dëshirën për të luajtur në Milan. Ndërsa kishte marrë një përgjigje kategorike nga Galliani: Nuk mjafton të jesh milanist të luash për Milanin.
Kjo e detyron shkëlqesinë e tij ta ekzekutojë në fushë simfoninë Hakmarrja. Bordo shpartallon Milanin, nën skenarin dhe regjinë e Zidanes. Bota e kupton se në gjithësinë e futbollit është krijuar një galaksi e re, mbase më e madhja e të gjitha kohëve, Zinedine Zidane!
Natën e 12 korrikut 1998, në Paris kishin ardhur mbi një milion adhurues për ta festuar Kupën e Parë dhe të vetme Botërore të fituar nga trekoloret. Dalja në skenë e Zizus, para miliona njerëzve, në qytetin më të bukur të botës do të ishte një fitore e madhe për njerëzimin.
Djali, prindërit e të cilit kishin jetuar në një kasolle në një vend të humbur të Botës, ishte shndërruar në mbretin e Botës! Madje as në përrallat që u lexoni vogëlushëve tuaj nuk do të gjeni tregim më të bukur! E më pas Zizu, thotë pak fjalë, thjesht citon të atin e tij Për të arritur diçka në jetë duhet ta bësh dyfishin e asaj që bëjnë të tjerët. Nënën duaje më së shumti. Familja është e shenjtë. E pakkush e kuptoi domethënien e këtyre fjalëve
Do të duhej të kalonin plot tetë vjet, dhe njerëzimi të bindej se gjeniu i futbollit nga Algjeria e kishte me të vërtetë atë që kishte thënë. Rasti me Materazin ishte një dëshmi e gjallë se për Zizun familja vlente më shumë sesa kupat, sesa fama. Dhe njerëzit e kuptuan, kurrë nuk e kritikuan.
Nuk kritikohet një institucion si Zidane. Nuk gjykohet historia. E për më tepër, kjo ishte ndeshja e fundit e Mozartit të futbollit. Të nesërmen e finales së Berlinit, në rrugën e kthimit për në shtëpi, të gjitha kamerat ishin fokusuar drejt fytyrës së Zizusë
e pikëllimi fytyrën ia kishte mbuluar.
Sikur e tërë errësira e natës të kishte përfunduar aty
dhe diku në largësi, qetazi dëgjoheshin zërat e disa tifozëve Mos u largo, mos u largo . Ai u largua. E pa të asgjë më nuk është e njëjtë.
(Autori është i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës)