Pas barazimit pa gola me Romën në kampionat, tashmë kuqezinjtë hedhin vështrimin në sfidën e radhës: duhet mundur Mançesteri. Misioni, edhe pse i vështirë, nuk është i pamundur.
Të mërkurën në Old Traford skuadra e Leonardos do ketë detyrën e vështirë të përmbysë disavantazhin e sfidës së San Siros (3-2), në mënyrë që të sigurojë një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Për ta realizuar këtë synim, nevojitet një fitore me të paktën dy gola diferencë.
Leonardo ka besim: Duhet të luajmë ashtu siç dimë ta bëjmë gjithmonë. Është një mundësi e mrekullueshme. Por të mërkurën, më tepër se kurrë, nevojitet Pato. Në varësi të gjendjes së tij, trajneri brazilian duhet të përgatisë formacionin me të cilin do përpiqet të thyejë Djajtë e Kuq. Shpresat për një riaftësim janë të mëdha, megjithëse sulmuesi 20-vjeçar nuk do jetë në formën më të mirë të mundshme.
Nga ana tjetër, Milani do ketë përballë një skuadër me moralin në qiell, sidomos pas fitores në kampionat, që i solli vendin e parë. Gjithashtu, Fergusoni ka pasur më shumë mundësi të lërë pushim lojtarët kryesorë. Shqetësimi kryesor i anglezëve mbetet Uejn Runi, që rrezikon seriozisht të mungojë përballë ekipit nga Milano.