Asi brazilian i Realit nuk dëshiron të takohet me Milanin në finalen e Ligës së Kampionëve, sepse do ti vinte keq nëse do ta mundte ish-skuadrën. Preja e preferuar e tij është Barcelona.
Do më pëlqente të luaja në finale kundër një rivali si Barcelona, në vend të një ekipi që e kam shumë përzemër si Milani. Nuk është aspak e lehtë të luash kundër ish-skuadrës, u shpreh ish-mesfushori kuqezi për faqen zyrtare të UEFA-s, uefa.com.
Megjithëse Kaka nuk donte të kishte përballë ish-shokët e skuadrës (të paktën, jo që në fazën e grupeve), fati desh që braziliani të priste në shtëpinë e re miqtë e vjetër pikërisht në ndeshjen e tretë të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve. Tashmë kam luajtur dy herë kundër Milanit. Jam i lumtur këtu dhe do doja të luaja kundër një rivali të brendshëm, shtoi 27-vjeçari.