Në një sondazh të organizuar nga e përditshmja sportive spanjolle Marca, tifozët madrilenë kanë përzgjedhur lojtarët që sipas tyre, i nevojiten ekipit.
Pas eliminimit turpërues nga Liga e Kampionëve, ujërat në mjedisin galaktik (jo dhe aq, për hir të së vërtetës!) nuk janë edhe aq të qeta. Milionat e shpenzuara në fillim të sezonit (254, për të qenë më të saktë) kanë shkuar dëm mbrëmjen e të mërkurës. Sigurisht që ekipi ka nevojë për futbollistë të tjerë. Po cilët janë ata?
E përditshmja më e madhe sportive spanjolle Marca (shumë pranë klubit madrilen) e ka gjetur përgjigjen: Çesk Fabregas dhe David Silva. Në fakt, këta janë emrat më të votuar nga tifozët e Realit në sondazhin e organizuar nga gazeta menjëherë pas skualifikimit nga veprimtaria më e rëndësishme europiane.
Shumë emra kanë qarkulluar kohët e fundit për një transferim të mundshëm në Bernabeu: Riberi, David Vila apo Hezus Navas. Por në vend të tyre mbështetësit e galaktikëve preferojnë kapitenin aktual të Arsenalit, Çesk Fabregas dhe mesfushorin spanjoll të Valencias, David Silva.