Në konferencën për shtyp para sfidës me Çelsin, Hoze Mourinjo foli për emocionet e tij në Stamford Bridge, Balotelin dhe formën e dobët në kampionat.
Sonte në mbrëmje I veçanti rikthehet në stadiumin ku bëri emër dhe ku me siguri, të gjithë e duan. Emocione? Sigurisht, janë të pashmangshme. Por jam përgatitur mirë për ti kontrolluar, u përgjigj tekniku zikaltër, i pyetur nga Sky Sport. Më tej portugezi vazhdoi:
Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Duhet të përqëndrohem vetëm në të dhe jo te e shkuara. Megjithatë, nuk mund ta fsheh, Çelsi është shtëpia ime. Por sonte do ti kem kundërshtarë, kemi zhvilluar vetëm pjesën e parë të betejës dhe matematikisht jemi në avantazh. Është më mirë ta nisësh 2-1, sesa barazim apo në humbje.
Gazetarëve të pranishëm në konferencë nuk mund tu shpëtonte rasti ta pyesnin 47-vjeçarin për Mario Balotelin, të cilin ai nuk e mori me vete në Londër. Por Mourinjo nuk do të flasë gjatë, duke e mbyllur diskutimin me një batutë: Trajneri bën zgjedhjet e veta. Kam ardhur këtu me 20 lojtarë. Marion, Khrin e Arnautoviç i lashë në Itali. Pse duhet të flasim për ata që nuk janë?
Po dështimet e njëpasnjëshme në kampionat? As për këtë I veçanti nuk dëshiron të flasë në mënyrë të drejtpërdrejtë: Këtu jemi në Ligën e Kampionëve, është tjetër diskutim. Por të gjithë e dimë pse ka ndryshuar situata në kampionat dhe pse Milani ka arritur në -1. Prandaj, parapëlqej të mos flas. Sepse nëse e bëj, më presin tri javë të tjera skualifikim.
Epo, ky është Hoze Mourinjo...