Van Gal zgjedh favoritin për Champions: Barcelona
Ndërkohë që vijon fazën përgatitore në Itali, tekniku i Bajernit të Mynihut, Luis van Gal, përcakton favoritët për trofeun e Evropës në sezonin e ardhshëm.
Për holandezin, Barcelona do të jetë ekipi për tu mundur. Barcelona është skuadra më e mirë në Europë. Finalistët e edicionit të kaluar nuk janë skuadrat më të forta në qarkullim. Por jo gjithnjë fiton më i miri, përndryshe Barcelona do të kishte fituar gjatë gjithë këtyre viteve, pohoi Van Gal nga grumbullimi në Itali.
Sipas 58-vjeçarit, vetëm Çelsi dhe Mançester Junajtid mund ti afrohen nivelit të katalanasve. Të tjerët vijnë një shkallë më poshtë. E kam fjalën për ne, Interin, Lionin dhe Realin e Madridit. Gjithsesi, ky është gjykimi im i përgjithshëm pasi gjithçka mbetet për tu parë në fushën e lojës. Nuk duhet lënë mënjanë edhe fati, shtoi holandezi i stolit bavarez.