Shkup, 7 shkurt -
Në kolumnen ka një qëndrim që është pro opozitës dhe sipas meje deputetja Arifi pretendon të behet avokate e opozitës. Po ashtu me vjen keq që Arifi ka një qëndrim shume ironik dhe ofendues ndaj BDI-së dhe bllokut politik shqiptarë, sepse aludon se shqiptaret nuk janë të aftë të bëjnë politikë shtetërore, por bëjnë politikë nëpër çajtore, deklaroi Xhaferi për portalin Zhurnal
Një kolumne e nënkryetares së Bashkimit Demoratik për Integrim (BDI), Teuta Arifi në të përditshmen Dnevnik, si duket, ka hedhur në sipërfaqe dallime në kreun e kësaj partie. Duke aluduar te BDI-ja, Arifi ka vlerësuar partnerin e koalicioni të Gruevskit si subjekt që nuk ia turbullon ujin VMRO-DPMNE-së
Ndaj këtij qëndrimi të Teuta Arifit ka reaguar ministri i Pushtetit Lokal, Musa Xhaferi, njëherësh bashkëpunëtor i afërt i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili Arifin e ka quajtur avokate të opozitës.
Në kolumnen ka një qëndrim që është pro opozitës dhe sipas meje deputetja Arifi pretendon të behet avokate e opozitës. Po ashtu me vjen keq që Arifi ka një qëndrim shume ironik dhe ofendues ndaj BDI-së dhe bllokut politik shqiptarë, sepse aludon se shqiptaret nuk janë të aftë të bëjnë politikë shtetërore, por bëjnë politikë nëpër çajtore, deklaroi Xhaferi për portalin Zhurnal.
Arifi mes tjerash ka paralajmëruar se për temat që duhet ti diskutojë Gruevski kur të pijë çaj me partitë shqiptare do të shkruajë në ndonjë kolumne të ardhshme. Mirëpo. ministri Xhaferi vlerëson se në këtë rast bashkëpartiakja e tij ka nënçmuar partinë dhe bllokun politikë shqiptar.
Fatkeqësisht është një gjuhë tepër nënçmuese me një dozë tepër cinike dhe ofenduese. Nuk është as politikisht korrekte, e as e moralshme, sa i përket etikës së përgjithshme të ofendohet me atë gjuhë subjekti ku bën pjesë. Me gjithë faktin që demokracia e lejon shprehjen e mendimit të lirë, ajo në këtë rast i ka tejkaluar kornizat, vlerësoi Xhaferi.
I pyetur nëse do të kërkojë që Kryesia e BDI-së ta shkarkojë deputeten Teuta Arifi nga posti i nënkryetares, Xhaferi ka theksuar se kritikat e tij janë vetëm qëndrim i tij personal.
Me këtë rast shprehi vetëm mendimin tim dhe, faktikisht, besoj se edhe anëtarët e partisë dhe Kryesisë nuk pajtohen me këtë qëndrim. Nuk ka hapësirë për këtë qëndrim sepse përmban dimension ofendues. Porosia është shumë e qartë se e ka vendosur vetën në rolin e avokates së opozitës. Aty bëhet edhe kategorizim i bllokut politik shqiptar dhe maqedonas, ku aludohet se blloku maqedonas duhet të bëjë politikë shtetërore, kurse blloku shqiptarë duhet të bëjë politikë në çajtore. Kjo çështje duhet të shqyrtohet edhe nga Kryesia e partisë, ka thënë Xhaferi.
Ndryshe në kolumnen e saj në Dnevnik, deputetja Arifi situatën aktuale në Maqedoni e ka vlerësuar si parapolitike për shkak të bojkotit të Parlamentit nga ana e opozitës.
Njëkohësisht ajo ka apeluar te kryeministri Gruevski që para vizitës së tij në Washington, të hape dialog më të mirëfilltë me partitë opozitare, që në njëfarë mënyre përputhet me qëndrimin që e shprehu kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili po ashtu vlerësoi se vetëm Gruevski posedon peshën politike për të organizuar takim të liderëve.