Shkëndija ka udhëtuar drejt Antalisë pa kapitenin Nebi Mustafi, i cili mbetet jashta skuadrës si pasojë e një zënke me drejtuesit e klubit. Mustafi sqaron se është akuzuar për gjëra të pavërteta, ndërsa mendon se ndoshta drejtuesit planifikonin largimin e tij, pasi as që e kontaktuan për të zgjidhur problemin. Ndërkohë nënkryetari i Shkëndijës, Idriz Ibishi nuk ka dashur të komentojë në lidhje me rastin Mustafi, duke cekur se së shpejti skuadra do dalë me komunikatë për largimin e kapitenit.

Skuadra kampione e Maqedonisë, përfundimisht mbetet pa kapitenin e saj legjendar, Nebi Mustafin, i cili ka mbetur në Tetovë, deri sa pjesa tjetër e skuadrës anë udhëtuar drejt Antalisë, ku do të zhvillojnë fazën e dytë të përgatitjeve dimërore. Gjithçka erdhi si rufe në qiell të pastërt, kur ditë më parë shpërthyen shkëndijat e para në kampion kuqezi, që më vonë çuan deri në ndarjen e palëve që së bashku bënë historinë. Nebi Mustafi sqaron se ka qenë i ofenduar nga sjellja e drejtuesve të klubit, ndërsa këta të fundit nuk deshtën të komentojnë rastin. Së pari dua të them se me vjen keq që gjithçka ndodhi kështu. E dua shumë këtë klub dhe respektoj pa masë tifozërinë që ka. Unë kam dhënë gjithçka në fanellën e Shkëndijës dhe ndjehem shumë keq që situata rrodhi në këtë mënyrë, u shpreh në fillim Mustafi, i cili më pas sqaroi se si erdhi deri te konflikti që degjeneroi deri në në ndarje. Mosmarveshje dhe problem ka gjithkund dhe këtu krejt është në rregull. Gjithashtu jam i vetëdijshëm se vonesa pagash ka edhe në klube tjera dhe Shkëndija nuk është e vetmja skuadër që ka një problem të tillë. Unë si kapiten me kërkesë të bashkëlojtarëve u ngjita në zyrat e klubit për tua bërë me dije një marëveshje paraprake, ndërsa u befasova shumë kur u sulmova ashpër me fjalët se kinse unë jam organizatori i të gjithë kërkesave të futbollistëve. Mu than edhe disa gjëra tjera për të cilat tani sdua të flas. Normal u ndjeva i ofenduar dhe lëshova zyrat e klubit, duke mos dalë as në seancën stërvitore, tha Mustafi. Ai shton se ka pritur që të kontaktohet nga drejtuesit e klubit për të sqaruar problemin, mirëpo diçka e tillë nuk ka ndodhur. Së pari isha shumë i lënduar dhe i hidhëruar, mirëpo më vonë realisht prita që të kontaktohem dhe të sqarojmë problemin. Mirëpo askush nuk më thiri, e as më kontaktoi duke u shtirur se smunden të më gjejnë edhe pse të gjithë e dijnë mirë ku ri unë. Drejtuesit e klubit u sollën sikur të jem ndonjë futbollist i kategorive të reja, mbase edhe me ta duhet sjellja të jetë në nivel. Heshtja e tyre më bën të mendoj se ndoshta gjithçka ishte e përgatitur dhe se drejtuesve u konvenoi largimi im, konkluzon Mustafi. Në ndërkohë kërkuam mendimin e drejtuesve të Shkëndijës, ndërsa nënkryetari Idriz Ibishi refuzoi të flasë për këtë çështje. Jemi duke udhëtuar për në Antali, ku do zhvillojmë fazën e dytë të përgatitjeve dimërore. Presim të shfrytëzojmë mirë kushtet që ofron kjo qendër dhe të përgatitemi në maksimum, tha Ibishi, i cili pas insistimit tonë që të komentojë konfliktin me Mustafin u shpreh shkurt. Nuk dua të flas për këtë çështje. Do të dalim së shpejti me komunikatë zyrtare rreth këtij rasti, përfundoi Ibishi. Si do që të jetë largimi i Mustafit do të jetë humbje e madhe për Shkëndijën në vazhdim të kampionatit, kur dihet se ai ishte nyja kryesore e lojës së tetovarëve, të cilët me Mustafin si kapiten, vitin e kaluar arritën suksesin më të madh në historikun e tyre, titullin e kampionit shtetëror dhe debutim në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.