Coca Cola ka bërë të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me brazilianin Ronaldinjo, pasi sponsorizimi ishte bërë i turpshëm.
Marrëveshja disavjeçare prej miliona dollarësh ishte vënë në dyshim prej kohësh, por goditja e fundit ka ardhur gjatë prezantimit të Ronaldinjos te Atletiko Mineiro me 4 qershor, ku gjatë konferencës për shtyp ai mbante para disa kanoçe Pepsi.
Kjo i ka dhënë fund marrëveshjes nga e cila Ronaldinjo përfitonte më shumë se 700 mijë dollarë në vit, siç ka zbuluar gazeta O Estado de Sao Paulo.
Fakti që lojtari është shfaqur me një kanoçe Pepsi ka qenë goditja e fundit, por sigurisht nuk ka qenë arsyeja e vetme për ndërprerjen e kontratës, tregoi shefi i marketingut në Brazil për Coca Cola, Marcelo Pontes.
Sponsorizimi u bë i turpshëm, shtoi ai duke kujtuar se figura e lojtarit kishte humbur tërheqjen e saj që pas kthimi te Flamengo. Paraqitjeve jo bindëse në fushë i janë shtuar ato shumë të diskutueshme jashtë fushe, të cilat sollën edhe largimin nga klubi më i famshëm brazilian.
Ishte e pamundur të vazhdohej bashkëpunimi mes lojtarit dhe shoqërisë pas ngjarjeve të fundit, shkruhet në lajmërimin e bërë publik nga Coca Cola.