18/04/2024
8 C
Tetovo
Ballina Blog

Dallimet e temperaturave janë shokuese për njerëzit, këtë verë në RMV mund të ketë stuhi me bubullima

Këto ditë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha të temperaturës. Hymë në pranverë me temperatura verore, ndërsa tani kemi temperatura të ulëta. Njerëzit e ndjeshëm reagojnë ndaj këtyre ndryshimeve, sepse trupi nuk mund të mësohet menjëherë me ndryshimet, ka nevojë për adaptim, thotë kështu për Meta.mk meteorologu Prof. Dr. Vllado Spiridonov, profesor i rregullt i meteorologjisë në Institutin e Fizikës pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore – Matematikore,
Ai thekson se këto ndryshime të papritura më së shumti i ndjejnë të sëmurët kronikë, popullata më e moshuar, por edhe të rinjtë.

Kjo valë e ftohtë do të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme. Temperaturat e ulëta do të sjellin reshje bore në malet më të larta në Maqedoninë Perëndimore, por jo edhe në vendet më të ulëta, pemët frutore nuk do të ngrijnë, kështu që bujqit nuk kanë pse të kenë frikë. Temperaturat minimale do të jenë mbi 0, por në vendet më të larta nuk përjashtohet mundësia që gjatë ditës së sotme të ketë reshje të borës. Nga nesër do të vazhdojë moti i ndryshueshëm, më i freskët, e që do i ngjajë motit të pranverës së hershme”, thotë profesori i cili ka qenë edhe profesor vizitor në Universitetin e Vjenës.

Ai shpjegon se një nga anët negative të ndryshimeve klimatike janë pikërisht këto oscilime të motit.

Ajo që po ndodh tani jo domosdoshmërisht është e lidhur drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike. Por, brenda atyre ndryshimeve stinore, vetë sistemi ndryshon dhe oscilon, e kështu ne nga një mot i qëndrueshëm kalojmë në një masë polare. Kështu tani jemi nën ndikimin e një mase tjetër, me karakteristika më të lagështa, presion më të ulët dhe temperatura më të ulëta. Ky mot i ngjason motit siç duhet të jetë në pranverë, por jo nga aspekti i oscilimeve të mëdha”, shton profesori.

Popullata jonë nuk është mësuar që ta presë pranverën me temperatura të verës apo dimrin me temperatura të vjeshtës.

“Për shembull, vitin e kaluar pranvera ishte shumë e lagësht, nuk e dinim nëse do të shkonim me pushime në fillim të verës. Në planetin tonë ka edhe shembuj të tjerë të këtillë. Sistemi ynë klimatik është çrregulluar, nuk është mësuar të funksionojë nën ndikime të tilla, ndërsa ato ndikime janë ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Ka rritje të emetimeve të CO2 në atmosferë, gjë që, nga ana tjetër, e ndryshon përbërjen kimike të saj. Gazrat serrë, avujt e ujit dhe CO2, e shtojnë nxehtësinë e drejtuar drejt sipërfaqes së tokës dhe në këtë mënyrë ndodh procesi i ngrohjes globale”, thotë profesori Spiridonov.

Ai shton se në gjysmën e dytë të pranverës do të ketë reshje.

“Për atë se si do të jetë vera, ka vlerësime të ndryshme. Modelet dhe vlerësimet atmosferike tregojnë për një verë më të ngrohtë, ndërsa në korrik dhe gusht mund të jetë rrezik sepse mund të ketë stuhi më intensive me bubullima, të cilat mund të jenë mjaft shkatërruese. Kjo është rezultat i ndryshimeve klimatike”, thekson Spiridonov.

Vala e ftohtë ka prekur pjesën më të madhe të Evropës, përfshirë këtu edhe vendet e rajonit. Në një deklaratë për “H1”, fizicienti atmosferik Prof. Branko Grisogono tha se edhe pse edhe më parë ka pasur ndryshime të papritura të motit, nuk ka ndodhur asnjëherë që temperatura të bjerë nga 30 në 6 gradë.

“Sa i përket motit prilli është muaji më i ndryshueshëm i të gjithë vitit. Kjo është shokuese për ne sepse kaluam nga temperatura tipike të verës në temperaturat e pranverës të hershme. Këto javët e fundit kemi pasur temperatura absolutisht mbi mesataren ndërsa tani jemi katër deri në shtatë gradë nën mesataren. Kjo paraqet një diferencë prej 20 gradë dhe trupi e ndjen këtë dhe kjo është shokuese”, tha profesori Grisogono, i cili ligjëron në Fakultetin e Shkencave Natyrore – Matematikore në Zagreb.

Ziadin Sela nga Fronti Europian: Sot demonstruam Parlamentin Europian dhe Kushtetutën Europiane, me mbështetjen e qytetarëve do ta formalizojmë pas 8 majit

Kryetari i ASh-së, Ziadin Sela theksoi se sot bashkë me partnerët, kolegët deputetë nga Fronti Europian përcollën porosinë më të rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve.

“Para opinionit vendor dhe ndërkombëtarë, sot demonstruam modelin e një Parlamenti Europian, të një vëndi Europian, me një Kushtetutë Europiane dhe President Europian.
Në seancën simulative nga ulësja e Kryetarit të Kuvendit, shpalosëm vizionin tonë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe përfshirjen e pakicave të tjera në Preambulë, si dhe zgjedhjen e Presidentit në Kuvend, duke u nisur nga parimet e demokracisë parlamentare siç është vendi ynë. Ne i sollëm opinionit, bashkëqytetarëve tanë dhe gjithë atyre që mund të kenë çfarëdo dileme, pamjen e një Maqedonie Europiane, prej së cilës nuk duhet të druajnë, por ta mbështesin dhe punojmë bashkërisht për ta realizuar”, deklaroi Sela.

Ai tha se janë shumë afër mbajtjes së kësaj seance edhe në godinën e Kuvendit, ku do të formalizojmë misionin tonë.

“Për të jetësuar këto projekte madhore, për të ardhmen tonë europiane, ju duhet që më 24 prill dhe 8 maj të votoni opsionin e vetëm progresiv, Presidentin Europian dhe deputetët e Frontit Europian!”, deklaroi Sela.

Në seancë të improvizuar, Ali Ahmeti shpall Ziadin Selën kryetar të Kuvendit të RMV-së

Në seancë të improvizuar të Kuvendit në hotel “Aleksandar Palace” në Shkup, Fronti Europian zgjodhi për kryetar Kuvendi Ziadin Selën, përcjell TV21. Seanca e improvizuar u udhëheq nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

https://www.facebook.com/TV21Videos/videos/731348002545596/?ref=embed_video

“Konstatoj se me 120 “për”, deputeti Ziadin Sela është zgjedhur kryetar i Kuvendit të RMV-së. Më lejoni që në emrin tuaj dhe në emrin tim, deputetit Ziadin Sela të ia uroj zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të RMV-së dhe i uroj suksese në punë”, tha Ahmeti, pas çka Sela bëri edhe “betimin” e improvizuar.

Osmani: Ndryshimet kushtetuese paraqesin fitoren të madhe

Kandidati për president i Frontit Evropian, Bujar Osmani gjatë improvizimit të seancës parlamentare ku ai u zgjodh për president nga ana e Kuvendit tha se ndryshimet kushtetuese dhe ndarja e komunitetit bullgar dhe maqedonas paraqet fitoren më të madhe në historinë e popullit maqedonas.

“Për komunitetin maqedonas sepse për herë të parë në dokumentin më të lart shtetëror sepse për herë të parë komuniteti bullgar dhe komuniteti maqedonas as shkruhen si dy komunitete të veçanta dhe kjo njëherë e përgjithmonë i ndalë dilemat dhe interpretimet e ndryshme mbi çështjet e identitetin dhe kjo është fitorja më e madhe në historinë e komunitetit maqedonas”, tha Bujar Osmani, Kandidat për president. /Alsat.mk

Gjermania arreston dy persona nën dyshimin se spiunonin për Rusinë

Dy gjermano-rusë janë arrestuar në Gjermani nën dyshimet për spiunazh. Njëri prej tyre akuzohet se është pajtuar të kryejë sulme ndaj caqeve potenciale, përfshirë edhe ndaj ndërtesave të ushtrisë amerikane, me qëllim që të sabotohet ndihma për Ukrainën, thanë prokurorët më 18 prill.

Të dyshuarit, të identifikuar si Dieter S. dhe Alexander J., u arrestuan të mërkurën në qytetin Bajrojt të Bavarisë, thanë prokurorët federalë.

Prokurorët thanë se Dieter S. kishte diskutuar për akte të mundshme sabotuese në Gjermani me një person të lidhur me inteligjencën ruse që nga tetori, dhe se qëllimi kryesor ishte të minohej mbështetja ushtarake që Gjermani jep për Ukrainën. I dyshuari ishte deklaruar i gatshëm që të kryente sulme me bomba dhe zjarrvënie ndaj infrastrukturës të përdorur nga ushtria dhe ndërtesat industriale në Gjermani, thanë prokurorët përmes një deklarate.

Ai kishte mbledhur informacione lidhur me caqe potenciale, përfshirë edhe ndaj ndërtesave ushtarake të SHBA-së, thanë prokurorët. Sipas tyre, Alexander J. supozohet se i ka ndihmuar atij që këto sulme t’i kryente më vonë. Dieter S., po ashtu, sipas prokurorëve kishte bërë fotografi dhe video të pajisjeve ushtarake dhe ndërtesave dhe ia kishte dorëzuar këto informacione kontaktit të tij në inteligjencën ruse.

Dieter S. po ashtu përballet me një akuzë tjetër, përkatësisht për pjesëmarrje në një njësi të armatosur të separatistëve pro-rusë në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës. Ai dyshohet se kishte qenë anëtar i kësaj njësie nga dhjetori i vitit 2014 deri në shtator të vitit 2016.

Ndryshe, Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe – pas Shteteve të Bashkuara – e armëve për Ukrainën, pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj mbi dy vjet më parë. SHBA-ja, ndërkaq, ka prani të madhe ushtarake në Gjermani.

Nisma e Osmanit për dalje nga Ballkani i Hapur, reale apo për fushatë elektorale?

Maqedonia e Veriut do ta shqyrtojë largimin nga nisma Ballkani i Hapur, pasi tashmë ka informacione se Serbia ka qenë e përfshirë në incidentin në Banjskë të Kosovës, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, më 24 shtator, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Osmani tha se Serbia ka vepruar në kundërshtim me synimet e kësaj nisme, përfshirë pajtimin për të krijuar parakushte për mbylljen e kontestit Kosovë-Serbi dhe për njohjen reciproke dhe liberalizimin e tregut rajonal.

“Kur ndodhi sulmi në Banjskë të Kosovës, unë pata një deklaratë dhe thashë se nëse ka përfshirje të drejtpërdrejtë të Serbisë në Banjskë, atëherë duhet të rishikohet pjesëmarrja në nismën Ballkani i Hapur. Meqenëse tani kam më shumë informacion se çfarë ka ndodhur në Banjskë, planifikoj ta informoj Qeverinë në një seancë të mbyllur dhe ajo do të vendosë se si do të veprohet”, ka deklaruar Osmani.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thanë të enjten se “në Qeveri ende nuk ka arritur një kërkesë e tillë nga MPJ-ja për t’u diskutuar nga ekzekutivi”.

Deklarata e Osmanit pason një reagim të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, të hënën më 15 prill.

“Disa ditë pas sulmit paramilitar në Banjskë të Zveçanit që na vrau heroin Afrim Bunjaku, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pati deklaruar se Serbia duhet të dëshmojë se nuk kishte përfshirje shtetërore, përndryshe Maqedonia e Veriut do të rishqyrtonte pjesëmarrjen në nismën Ballkani i Hapur. Ndodhi e kundërta. U dëshmua përfshirja e Serbisë, por Bujar Osmani nuk e rishqyrtoi pjesëmarrjen në Ballkan të hapur”, ka shkruar deputetja Bunjaku në Facebook.

Përplasjet e tilla po ndodhin në kohën e fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut.

Bujar Osmani është kandidat për president nga radhët e Frontit Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Reagimi i VV-së ka të bëjë me faktin se ajo tashmë mbështet kandidatin e opozitës së bashkuar shqiptare për president, Arben Taravari.

Lidhur me paralajmërimin e Osmanit, ka reaguar edhe Taravari duke akuzuar atë dhe BDI-në për “lidhje me Serbinë dhe Rusinë”.

Por, paralajmërimi i Osmanit që të rishikohet nga Qeveria pjesëmarrja e mëtejmë e Maqedonisë së Veriut në nismën Ballkani i Hapur, ka shkaktuar edhe reagime tjera, përfshirë atë të Lidhjes Social-Demokrate që është pjesë e Qeverisë.

“Kemi insistuar që kjo nismë të mbetet e hapur dhe ka mbetur e hapur. Dhe, përderisa ka pasur dhe ka mbështetje nga partnerët tanë strategjikë, ne duhet të marrim pjesë në të dhe të fokusohemi në përfitimet konkrete pa tema të mëdha politike, sepse ato tema të mëdha politike bllokuan proceset e tjera rajonale dhe nuk sollën asgjë të mirë. Ne i shohim si pozitive Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur dhe të gjitha iniciativat tjera dhe ne duhet të marrim maksimumin prej tyre”, ka deklaruar Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane.

Nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut thanë për Radion Evropa e Lirë se, “nuk janë konsultuar për mundësinë e largimit nga nisma Ballkani i Hapur, siç nuk janë konsultuar as për vendimin e Osmanit që Maqedonia e Veriut të jetë bashkësponsore e Rezolutës për Srebrenicën në OKB”.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, më parë i ka dhënë mbështetje iniciativës, por ka theksuar sfidat me të cilat përballet pasi në të nuk janë përfshirë të gjitha shtetet e rajonit.

Deklaratat e Osmanit për Ballkanin e Hapur, vendimi për Srebrenicën dhe çështje të tjera, nga njohësit e çështjeve politike dhe ndërkombëtare, thuhet se janë funksion të fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale.

Ish-diplomati maqedonas, Lupço Arsovski, beson se Osmani me paraqitjet e tij si shef i diplomacisë, ka shfrytëzuar foltoren në MPJ për të përfituar në fushatën presidenciale.

“Si ministër del nga kuadri i zakonshëm i dikasterit që përfaqëson politikën e shtetit. Shpall procedura që ende nuk i ka paraqitur në Qeveri në mënyrë që ekzekutivi t’i miratojë ato. Pra, ai del nga korniza e Qeverisë dhe mbi të gjitha nga Kuvendi, i cili ka marrë vendimet e duhura për të gjitha këto çështje. Kjo sjellje nuk është aspak diplomatike”, thotë Arsovski.

Njohësi i çështjeve politike, Besim Nebiu, thotë se ndërrimi brenda “natës” i qëndrimit të zyrtarëve të BDI-së, flet se ata nuk udhëhiqen nga “ndonjë vizion i madh politik”.

“Osmani dhe shefi i tij, Ali Ahmeti, [kryetar i BDI-së] ishin promotorët kryesorë të Ballkanit të Hapur gjatë gjithë këtyre viteve dhe e bindën opinionin se ky është një projekt evropian. Ndryshimi i qëndrimit të përmasave kaq drastike, brenda natës, tregon për qëndrimin e tyre ndaj politikës – se nuk udhëhiqet nga ndonjë vizion i madh politik, siç pretendojnë ata”, thotë Besim Nebiu, njohës i çështjeve politike.

Nisma Ballkani i Hapur, që fillimisht quhej Mini Shengeni Ballkanik, filloi më 10 tetor 2019 në Novi Sad dhe u nënshkrua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nisma u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe ato për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.evropaelire

Hapet edicioni i 36-të i Panairit të Librit në Shkup

Shumë nxënës të shkollave të mesme kishin ardhur në hapjen e edicionit të 36-të të Panairit të Librit në Shkup i cili këtë vit mban moton “Tregimi lexohet”, shkruan Alsat.

Ndër titujt që më shumë u interesojnë të rinjve janë ato të historisë.

“Unë shumë i dua librat dhe më mbushet zemra kur shoh kaq libra në një vend, sikur të mundja do të merrja shumë libra por të shoh çfarë do të zgjedh. Cili është libri që do ta blesh në këtë panair? Mendoj të marr këtë të Dostoevskit dhe ndonjë tjetër të Albert Kamus”, tha një nxënëse.

“Nga ana tjetër i pashë një pjesë të madhe të librave historik të shqiptarëve dhe isha duke shkruar atje që të zgjedh. Sa lexojnë libra të rinjtë? Shumë pak, telefoni dhe kompjuteri e ka zëvendësuar librin, në një kohë që libri ka qenë shumë i çmuar tani vlerën ia ka marrë kompjuteri apo celulari”, u shpreh një nxënëse tjetër.

“Ende nuk kam zgjedhur ndonjë që me përshtatet për interesin tim por ende po kërkoj, i pashë disa shtëpi botuese shumë të mira dhe besoj që do të gjej diçka që do të me pëlqeje. (2:11) këtë vit i pashë disa libra të historisë shqiptare të Çamërisë”, theksoi një nxënëse.

Shkollat ku do të votohet në zgjedhjet, më 23 prill dhe 7 maj do të punojnë deri në orën 11

Të martave 23 dhe 7 maj, gjegjësisht ditët para votimit në shkollat ku do të zhvillohet procesi zgjedhor, mësimi do të mbahet nga ora 7 deri në orën 11, me orë të shkurtuara mësimore për të gjitha paralelet gjegjësisht klasat, bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ditët e zgjedhjeve, të mërkurave 24 dhe 8 maj të vitit 2024, janë ditë kopune për të gjitha shkolllat. MASH-i sot në kumtesë thekson se edhe krahas këtë dy ditëve jopune, mësimi  në vitin shkollor 2023/2024 do të realizohet plotësisht siç parashihet me planet për organizimin e punës në shkollat fillore dhe të mesme.

“Edhe pse votimi në kuadër të rrethit të parë dhe të dytë zgjedhor është caktuar në ditë pune, nxënësit nuk do të humbasin mësimet dhe nuk do të kalojnë pjesë të materialit mësimor”, thekson MASH-i.

MASH-i në kumtesë përkujton, se viti mësimor për nxënësit e shkollave të mesme zgjat deri më 10 qershor, ndërsa për nxënësit e shkollave fillore deri më 17 qershor, ashtu që viti mësimor nuk do të vazhdohet për shkak të këtyre dy të mërkurave jopune.

Shtetasi i Maqedonisë së Veriut dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e një gruaje

Nga Prokuroria Themelore njoftojnë se Gjykata Themelore Penale në Koçani ka dënuar me burgim të përjetshëm të dyshuarin për vrasjen e një gruaje me datë 25.09.2023.

“Më 25 shtator 2023, i akuzuari vrau një grua në mënyrë brutale, duke e sulmuar me shumë goditje thikë. Prokuroria Themelore Publike në Koçan në aktakuzë të akuzuarin e ka akuzuar edhe për veprën e shantazhit ndaj viktimës, e kryer para vrasjes. Por, i pandehuri nuk e ka pranuar atë vepër, procedura është e ndarë dhe procedura gjyqësore do të vazhdojë për atë pjesë të akuzës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sot dyert e muzeve dhe lokaliteteve arkeologjike do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët

Sot hyrja në të gjithë muzetë dhe zonat arkeologjike në vend do të jetë falas, për nder të Ditës Botërore të Monumenteve dhe Vendeve Arkeologjike. Ministria e Kulturës njofton se institucionet shtetërore në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore do të jenë të hapura gjatë gjithë ditës.

Do të jenë të hapura dyert e institucioneve kombëtare: institutet dhe muzetë në Manastir, Shtip, Ohër, Prilep dhe Strumicë; Stobi dhe Herakleia; Shtëpia përkujtimore e Toshe Proeskit; Muzeu Arkeologjik; Galeria Kombëtare e Maqedonisë me të gjitha objektet e saj; Muzeu i Artit Bashkëkohor; Muzeu i luftës maqedonase; Muzeu Historik në Krushevë; Muzeu i alfabetit shqip; Galeria e Arteve në Tetovë; “Dr Nikolla Nezlobinski” në Strugë; Muzeu i Maqedonisë Perëndimore në NOV – Kërçovë; Muzeu i rajonit të Tetovës; Muzeumi i historisë së natyrës; Muzeu i Maqedonisë së Veriut; muzetë në Kumanovë dhe Gjevgjeli.

Në vitin 1982, Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Lokalitete (ICOMOS) shpalli 18 prillin si Ditën Botërore të Trashëgimisë dhe ICOMOS rekomandon çdo vit një temë për kremtimin dhe aktivitetet e asaj dite të organizuar nga komitetet shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Çdo vit, temat janë aktuale, dhe kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e trashëgimisë kulturore botërore, për mbrojtjen, ruajtjen dhe afirmimin e pasurisë së paçmuar të zbuluar përmes arkeologjisë”, thonë nga Ministria e Kulturës.