19/04/2024
8.1 C
Tetovo
Ballina Blog

Kasami nga Struga ironizon me ‘’qeverinë e improvizuar të Ali Ahmetit’’: Zot, ruaju mendjen

Kreu i Lëvizjes BESA Bilall Kasami sonte në tubimin e VLEN në Strugë ka ironizuar me seancën e improvizuar të Frontit Europian, ku Ali Ahmeti është zgjedhur kryeministër, Ziadin Sela kryeparlamentar, Bujar Osmani president.

Kasami ka deklaruar se duhet të lutemi edhe për kundërshtarët, duke shtuar që Zoti tua ruajë mendjen, sepse pushteti vjen e shkon, ndërsa mendja është gjë e shtrenjtë.

Bujar Osmani: Vota juaj është investim për të ardhmen

“Po shoh aq fytyra të vendosura mes jush që janë të gatshëm që të hapin një kapitull të ri të historisë së lavdishme të popullit tonë dhe popujve në vendi tonë të përbashkët”. Kështu e ka nisur fjalimin e tij sonte para kumanovarëve kandidati për President nga Fronti Europian Bujar Osmani.

“Për disa ditë ju do të vendosni a jemi për integrim, a jemi për izolim. Ky është vendimi që ju me dorën tuaj duhet ta merrni. Por, vota e juaj nuk është vetëm zgjedhje e njëhershme. Është një investim për të ardhmen. Është një investim që do të ndërton një mur karshi këtij nacionalizmi hakmarrës, që për disa ditë mund të instalohet në vendin tonë”, tha Osmani.

Osmani u zotua se do të përkushtohet për të ndërtuar një shtet ku secili fëmijë mund të ëndërron pa kufij.

 

Taravari nga Struga: Rritja e pagës minimale deri në 800 euro për të luftuar emigrimin

Kandidati për president nga radhët e VLEN, Arben Taravari, ka shprehur zotimin për të luftuar emigrimin duke rritur pagën minimale në vendin tonë. Në kuadër të qeverisjes së ardhshme, planifikohet që pagat të rriten deri në 800 euro, duke krijuar mundësi të reja për të rinj e të reja që të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

Përmes granteve për teknologji e inovacion, Taravari tha se qeveria synon të mbështesë idetë e tyre kreative, duke u fokusuar në zhvillimin e vendit si një alternativë atraktive për të rinjtë.

“Emigrimi në vendin tonë është mbi çdo normë, shifrat janë alarmuese. Ne nuk mund të qendrojmë indiferent krahas kësaj situate. Kështu që, si qeverisje e ardhshme e VLEN, ne do të marrim vendim për rritjen e pagës. Do të angazhohemi parreshtur që paga minimale deri në fundin e mandatit tonë të parë qeverisës të jetë 800 euro. Përmes granteve për teknologji e inovacion, do të mbështesim të rinj e të reja, me idetë e tyre kreative, të cilat në radhë të parë i shërbejnë zhvillimit tonë si shtet. Kjo do të jetë edhe një arsye shtesë për ta që të shohin të ardhmen këtu tek ne, jo larg shtëpive të tyre, jo larg vendlindjes së tyre.” – marrë nga fjalimi i Arben Taravarit në tubimin qendror në Strugë.

Fronti Europian: VMRO po bën union me parti proruse dhe antishqiptare

Fronti Evropian thotë se VMRO po bën union me parti proruse dhe antishqiptare.

“VMRO dhe Mickoski edhe zyrtarisht po proklamon koalicionin me Levicën e Apasievit dhe partinë ZNAM të Dimitrievskit, dy parti këto të lidhura ngushtë me Moskën dhe qarqe të ndryshme pro ruse, si dhe të njohura për qëndrimet antishqiptare.

Në tubimin e Ohrit, Mickoski kërkoi unitet kombëtar maqedonas, pa etnitë tjera në vend, me qëllim që, siç tha, shteti të hiqet nga duart e shqiptarëve.

Fronti Europian i përkujton Mickoskit se Maqedonia e Veriut me kohë e ka trasuar rrugën e barazisë, demokracisë dhe të anëtarësimit në familjen e madhe Europiane.

BDI dhe Fronti Europian, si front multietnik në Maqedoninë e Veriut, nuk do të lejojë që vendi të kthehet mbrapsht drejt izolimit ndërkombëtarë, ndërsa kjo do të vuloset më 24 prill dhe më 8 maj, kur dr. Bujar Osmani do të zgjedhet President shteti, ndërsa Fronti Europian do të jetë çelësi për formimin e Qeverisë së ardhshme.

Njëkohësisht, i bëjmë thirrje opozitës shqiptare të vetëdijesohen dhe të rreshtohen me pro-europianët dhe të mos bëhen vegël e qarqeve ruse në vend.”, thuhet në reagim. (INA)

Anketa e CRPC: Davkova para Pendarovskit, Taravari dhe Osmani në një garë të ngushtë! (TABELA)

Qendra për Kërkime Politike dhe Komunikim – CRPC  në bashkëpunim me Shoqatën për gazetari, informim, komunikim dhe shërbime të marketingut “Глас на вистината” realizoj anketën e dytë në prag të zgjedhjeve Presidenciale 2024, përcjell Kanal5.

Të pyetur: Për cilin kandidat do të votojnë në zgjedhjet presidenciale, qytetarët janë përgjigjur me sa vijon:

Për kandidaten e VMRO DPMNE Gordana Siljanovska Davkova do të votonin 20,4% e të anketuarve, ndërsa për konkurrentin e saj kryesor, presidentin aktual Stevo Pendarovski nga LSDM-ja, 16,8% e të anketuarve do të jepnin votën e tyre.

Në bllokun politik shqiptar, Arben Taravari nga koalicioni “VLEN”, sipas sondazhit është para Bujar Osmanit nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI.

Kështu që, për Taravarin do të votonin 7.9% e qytetarëve të anketuar, ndërsa për Osmanin 6.9% e të anketuarve.

Për Maksim Dimitrievskin nga ZNAM do të votonin 2,7% e të anketuarve, ndërsa për Biljana Vankovskën nga Levica 2,6% . Për kandidatin Stevço Jakimovski nga GROM do të votonin 1,2% e të anketuarve.

Poashtu, 18.2% e qytetarëve nuk mbështesin asnjërin prej kandidatëve , ndërsa 23.2% nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Anketa është realizuar përmes telefonit në periudhën prej 8 deri më 13 prill të këtij viti me 1210 të anketuar, të përzgjedhur sipas një metode të rastësishme.
Hulumtimi është realizuar në nivel të gjithë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut , duke u kujdesur për kriteret si: përbërja etnike, numri i votuesve, dhe shpërndarja gjeografike. Margjina e gabimit +/- 3,0%. Rezultatet e anketës së realizuar, së bashkë me analizën e të dhënave e gjeni në grafikën e mëposhtme dhe e njëjta është e disponueshme në platformën online të Qendrës për Kërkime Politike dhe Komunikim. Anketat e CPRC u morën për bazë edhe nga agjencia e njohur evropiane e sondazheve Europe Elect.  (INA)

Ndërroi jetë Fisnik Bekteshi, gazetari dhe drejtuesi i radios së njohur strugane “Radio Rrapi”

Mbrëmë në Veleshtë të Strugës ka ndërruar jetë Fisnik Bekteshi nga Veleshta, gazetari dhe drejtori i radios së njohur strugane “Radio Rrapit”.

Lajmi mortor është përcjell nga kolegë dhe miq të tij përmes rrjeteve sociale, ku bëhet e ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në varrezat e fshatit Veleshtë.

“Struganët humbën një njeri të madh atdhetar, një patriot, një gazetar të artit, kulturës, sportit dhe humorit, humbje e madhe për familjen Bekteshi! U prehsh në paqe i dashur koleg Fisnik, emri jotë do të përmendet ndër brezat e ardhshëm, Ngushëllime të sinqerta familjes, fisit dhe shoqërisë, Zoti e bëftë banorë të Parajsës”, kanë shkruar nga portali Strugaexpress, që ishin bashkëpunëtorë dhe miq me të ndjerin.

MASH i ka njoftuar shkollat se ditët jopune për shkak të zgjedhjeve do të punohen të shtunave

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se mësimi në vitin shkollor 2023/2024 do të realizohet plotësisht siç parashihet me planet për organizimin e punës në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Edhe pse votimi në kuadër të rrethit të parë dhe të dytë zgjedhor është caktuar në ditë pune, nxënësit nuk do të humbasin mësimet dhe nuk do të kalojnë pjesë të materialit mësimor.

“23 prilli dhe 7 maji, gjegjësisht ditët para votimit, do të jenë ditë pune për të gjitha shkollat. Gjegjësisht në shkollat në të cilat do të zhvillohet procesi zgjedhor, mësimi do të mbahet nga ora 07:00 deri në orën 11:00, me orë të shkurtuara mësimore për të gjitha paralelet gjegjësisht klasat. Në shkollat e tjera, në të cilat nuk do të votohet, mësimi zhvillohet si zakonisht dhe sipas orarit të caktuar ditor”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

MASH më tej rikujton se viti mësimor për nxënësit e shkollave të mesme zgjat deri më 10 qershor, ndërsa për nxënësit e shkollave fillore deri më 17 qershor.

“Edhe pse votimi në kuadër të rrethit të parë dhe të dytë zgjedhor është caktuar në ditë pune, nxënësit nuk do të humbasin mësimet dhe nuk do të kalojnë pjesë të materialit mësimor”, thekson MASH-i.

Njoftimi i dërguar deri te shkollat e ka publikuar edhe Sindikata e pavarur për arsim, shkencë dhe kulturë (SASHK) në faqen e tyre në FB, me pyetjen: “Nga kur ditët jopune brenda natës bëhen ditë pune?”

“Ministri i Arsimit duhet të tërheqë menjëherë Njoftimin për shkollat, me të cilin detyrohen të punojnë ditët “jo pune”, të shpallura nga Qeveria, për shka të mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme. Në të vërtetë edhe edhe vitet e tjera shkollore kanë përfunduar dhe janë verifikuar nga ministri me më pak se 180 ditë pune, siç është viti shkollor 2021/22”, theksohet në reagimin e SASHK-ut.

Ndryshe, këtë vit nxënësit për herë të parë do të kenë pushim pranveror, i cili do të fillojë më 29 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Moti sot do të jetë pjesërisht i vranët dhe më i freskët me reshje të kohëpaskohshme shiu, sidomos në pjesët veriperëndimore ku do të ketë kushte për shtrëngata të rralla. Në zonat malore reshjet do të kalojnë herë pas here në borë.

Do të fryjë erë e dobët deri mesatare veriperëndimore, ndërsa në pjesën perëndimore do të fryjë erë e fortë perëndimore. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 3 deri në 9, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 13 deri në 19 gradë.

Në Shkup do të mbajë mot pjesërisht i vranët dhe më i freskët me reshje të kohëpaskohshme shiu. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare veriperëndimore. Temperatura minimale do të zbresë deri në 6, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 15 gradë.

VLEN shpalos programin për zgjedhje: Zhdukje e bixhozit, decentralizim fiskal, aksionet në dorë të qytetarëve

Në sheshin “Skënderbeu”, aty ku edhe e kanë selinë e përbashkët, koalicioni VLEN prezantoi një pjesë të programit qeveritar, ndërsa javën tjetër pritet të prezantohet i plotë. Migrimi dhe ekonomia do të jenë shtyllat kryesore. Për këtë, kandidati për president Arben Taravari, tha se qytetarëve do t’u mundësojnë që deri në fund të mandatit, të marrin pagë mesatare prej 800 eurove.

Nuk mund të vazhdohet kështu me qeveri të korruptuar dhe zhvatëse, na duhet patjetër ndryshim. Për këtë arsye ne si koalicion VLEN në qeverisje duhet të garantojmë dhe rritjen e rrogës mesatare, kjo garancë e jona është që rroga mesatare do të jetë minimum 800 euro”, tha Arben Taravari – kandidat për president –VLEN.

Fjalime mbajtën e tre krerët e partive që përbëjnë VLEN-in, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi. U prezantuan planet për zhdukjen e plotë të bixhozit, planet për decentralizim fiskal dhe lënien e aksioneve të ndërmarrjeve shtetërore në dorë të qytetarëve
Ne do t’u shpërndajmë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, 49% të aksioneve të ndërmarrjes shtetërore, pra do të shpërndajmë aksione në vlerë prej 10mijë euro për secilin individ. Këto aksione do të mund të shiten në treg dhe do të sjellin dinamikë të re ekonomike për familjet e secilit dhe do të mundësojë dhe futjen e kapitalit privat në këto ndërmarrje, gjë që sjellë modernizim dhe zhvillim”, pohoi Izet Mexhiti – Bartës liste Z1 – VLEN.

“Me fitoren e VLEN-it, ne besojmë se do të marrë fund sëmundja e madhe e kazinosë dhe lotarisë. Ne do të bëjmë çmos, që ta ndalojmë bixhozin. Ideja jonë është t’i ndalojmë edhe kreditë e shpejta që në fakt janë thjeshtë fajde. Do t’i anulojmë borxhet e njerëzve me kredi të shpejta”, pohoi Afrim Gashi – Bartës liste Z2 – VLEN.
Për këtë, ne angazhohemi që të kemi një decentralizim fiskal, të kemi bartje të ingerencave në pushtetin lokal sepse pushteti lokal është i njohur se është pushteti më afër qytetarëve. Ne do të angazhohemi që në mandatin tonë të transferojmë së paku gjysmë miliardë euro për zhvillimin e komunave tona dhe ndërtimin e infrastrukturës së munguar”, tha Bilall Kasami – Bartës liste Z6 – VLEN

Shkurt folën edhe bartësit e listave nga zonat 3, 4 dhe 5, por edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kandidat për deputet në zonën 6, Bekim Qoku.

“Ne jemi për Maqedoninë e Veriut si partnere e NATO-s dhe si një vend i integruar në Bashkimin Europian. Jemi për partneritet dhe miqësi në Ballkan por jemi gjithashtu kundër atyre që bashkëpunojnë me Beogradin problematik, me pinjollët e Millosheviqit dhe me Moskën agresore”, pohoi Bekim Qoku – VLEN.

“Shqiptarët e Çashkës dhe Velesit, presin vëmendjen e shtetit. Kemi garanca nga presidenti Taravari dhe nga koalicioni VLEN se në Qeverinë e ardhshme, shqiptarët e zonës 3, nuk do të lihen vetëm”, tha Shener Bilalli – Bartës liste Z3 – VLEN .

Ne kemi programin tonë elektoral, plani VLEN 2030. Me politikat tona ekonomike dhe zhvillimore ne do të arrijmë që në vitin 2030, të jenë 150 euro për kokë banori”, u shpreh Mendurim Zermanovski – Bartës liste Z4 – VLEN.

“Duke e ditur se kush qëndron përballë nesh, një listë plot skandale dhe njerëz të dyshimtë, ne kemi sigurinë e plotë se në zonën pesë do të bëhet surpriza më e madhe. Të mos harrojmë se morali vlen edhe në politikë, ndryshimi vlen, guximi vlen, fitorja vlen”, pohoi Salim Sulejmani – Bartës liste Z5 – VLEN.

Përndryshe në listat e votimit, si për president ashtu edhe për deputetë, koalicioni VLEN do të ketë numrin gjashtë në renditje, në bazë të ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor që i solli Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

EMIGRIMI I FRIKSHËM: Plakje dhe ikje e popullatës

Për çdo vit nga Maqedoni po shpërngulen 12 mijë njerëz tregojnë analizat e Entit të Statistikës. Përveç se me shpërnguljen e madhe, vendi ka probleme edhe me natalitetin e ulët. Nga Entit i Statistikës thonë se kjo ndërlidhet më së shumti me uljen e lindshmërive ku veçmë dhjetë vite Fertiliteti që paraqet numrin e të lindurve të gjallë në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë femërore në periudhën fertile është 1.5 fëmijë për një grua, përderisa për reproduksion të thjeshtë nevojitet 2.1 fëmijë.Njëherësh statistika zbardh se nëse në vitin 2002, një e katërta e popullsisë ishte e re, tani kjo shifër është ulur me 18 për qind në më pak se një e pesta e e popullsisë. Apo thënë ndryshe nëse në vitin 2002 kishim 24 për qind të rinj nga numri i përgjithshëm i popullsisë, në vitin 2022 kjo shifër është ulur me 18 për qind.

Prej vitesh, sipas hulumtimit të Institutit Republikan Ndërkombëtar të publikuar në mars të vitit të kaluar, problemet kryesore të theksuara nga qytetarët janë të natyrës ekonomike që i shtyëjnë ndaj migrimit: papunësia, varfëria, pagat e ulëta.

Kohë më parë në diskutimet e Forumit të Prespës në Strugë u konstatua se arsyeja e emigrimit nga Ballkani nuk janë vetëm paratë, por edhe politika.Një gjyqësor i pavarur dhe korrupsioni zero janë parakushte të rëndësishme që të rinjtë të mos largohen nga vendi apo të kthehen në shtëpi.Është gjithashtu e nevojshme të trajtohet mosbesimi në institucionet dhe mundësitë e pamjaftueshme për të rinjtë, të cilat janë ndër arsyet kryesore të emigrimit.

“Kur i pyesim të rinjtë se pse largohen nga vendi, punësimi dhe arsimimi janë dy arsyet kryesore, por edhe klima e përgjithshme në lidhje me mënyrën se si funksionon vetë vendi ndikon në motivin e një të riu që të largohet vetë nga vendi”, thotë Petar. Barlakovski, autor i hulumtimit “Rinia dhe Regjistrimi”.

“Në dallim nga opinioni fillestar që kishim për këtë temë, por edhe shoqërisht pranohet se të rinjtë ikin nga shteti vetëm për arsye financiare (edhe pse ai segment nuk mund të përjashtohet), sipas hulumtimit tonë, të rinjtë më së shumti shqetësohen nga mungesa e drejtësisë, cilësia e jetesës, korrupsionin dhe partizimin e shoqërisë. Kjo më tej u krijon probleme në punësim, avancim dhe hapje të biznesit të tyre, shoqëria e partizuar krijon staf jo cilësor, ndaj të rinjtë vendosin të shkojnë diku ku puna e tyre do të vlerësohet dhe jeta e tyre, të paktën në pjesën më të madhe, do të varen nga aftësitë dhe përpjekjet e tyre”, thonë nga ekipi “Dua të qëndroj”.

Gjithashtu një popullsi e moshuar nënkupton mungesë të fuqisë punëtore në dispozicion, por edhe rritje të shpenzimeve qeveritare për skemat e pensioneve dhe kujdesin shëndetësor. Kostoja e një numri në rënie të të rinjve në Ballkan është llogaritur nga Fondacioni Westminster për Demokraci dhe Instituti për Zhvillim dhe Inovacion.

Studimi tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor po humbet çdo vit miliarda euro për shkak të migrimit të të rinjve. Për të vlerësuar pasojat ekonomike të kësaj dukurie, studimi merr parasysh si kostot e lidhura me arsimin – 2.46 miliardë euro – po ashtu edhe humbjet e mundshme në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, pikërisht për shkak të largimit të të rinjve nga këto vende.

Llogaritet se vendet e Ballkanit Perëndimor humbasin për shkak të migrimit të të rinjve rreth 3.08 miliardë euro çdo vit në rritjen e mundshme të PBB-së dhe në rënien e konsumit. Nëse kësaj shifre i shtohen shpenzimet mbi arsimimin e tyre,atëherë kostoja në total është rreth 5.5 miliardë euro në vit. (koha.mk)