17/04/2024
12.7 C
Tetovo
Ballina Blog

Kryesuesi i seancës në KiE i tërheq vërejtjen deputetes serbe: Respektoni kodin e sjelljes, s’mund t’i çrregulloni procedurat

Kryesuesi i seancës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ku po diskutohet për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, i tërhoqi vërejtje deputetes serbe Biljana Pantiq Pilja, e cila e quajti të pa integritet dhe hipokrite Dora Bakoyannis, përpiluesen e raportit që rekomandon për anëtarësimin e Kosovës.

Pasi deputetja serbe foli ashpër, kryesuesi tha se debatet duhet të bëhen ndryshe dhe se asnjë deputet nuk mund “të shkaktojë çrregullim të procedurave”.

“Të nderuar kolegë, dua t’ju përkujtoj që sipas rregullores së punës dhe kodit të sjelljes së anëtarëve të kësaj asambleje, debatet duhet të bëhen në mënyrë civile dhe të rregullt, dhe që anëtarët e kësaj asambleje nuk mund të bëjnë asgjë që mund të shkaktojë çrregullim të procedurave. Thjesht po ua rikujtoj të gjithë juve këtë gjë”, tha ai.

Deputeti i VMRO-së nuk shkoi në Strasburg, ku pritet të votohet anëtarësimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Deputeti dhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Nikollovski, sot nuk ka udhëtuar për në Strasburg, kur në Këshillin e Parlamentit të Bashkimit Evropian pritet të votohet anëtarësimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, shkruan gazeta KOHA.

Për në Strasburg kanë udhëtuar dy anëtarët tjerë të Maqedonisë së Veriut – deputetja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli dhe deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski, por jo edhe Nikollovski i VMRO-së.

Në një bisedë me gazetën KOHA, deputetja Bilalli Zendeli tregon se pasdite, rreth orës 16 fillon debati për Raportin dhe aplikimin e Kosovës si anëtare e Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës, ndërkohe që rreth orës 20 duhet të votohet. Të dy, Bilalli Zendeli dhe Kaevski kanë paralajmëruar se do të votojnë PËR anëtarësimin e Kosovës në APKE.

Në Bruksel, deputetja Bilalli Zendeli është me kolegun Kaevski, ndërsa mungon Nikollovski i VMRO-së, as edhe zëvendësi i tij Misajllovski.

I pyetur për arsyet e mungesës së Nikollovskit dhe Misajlovskit në seancën ku vendoset aplikimi për pranim në Kosovë, nga kabineti i Mickoskit janë përgjigjur për gazetën se nuk kanë shkuar për shkak të obligimeve në fushatën zgjedhore, e jo se kanë pasur diçka kundër Kosovës.

Gazeta KOHA merr vesh se Nikollovski nuk ka shkuar në Strasburg, pasi qëndrimi i VMRO-së është të mos votohet PËR anëtarësimin e Kosovës, dhe me këtë, t’i bëj qejfin Serbisë dhe Aleksandar Vuçiçit.

Maqedonia e Veriut ka tre anëtarë në Këshillin e Parlamentit: Aleksandar Nikollovski i VMRO-së, Darko Kaevski i LSDM-së dhe Arta Bilalli Zendeli e BDI-së. Zëvendës të tyre janë Vllado Misajllovski, Fanica Nikollovska dhe Artina Qazimi.

Ndryshe, anëtarësimi në Këshillin e Evropës – një synim i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008 – do të nënkuptonte, mes tjerash, përfaqësimin e parlamentarëve të saj në Asamblenë Parlamentare të organizatës. Kosovarët, po ashtu, do të mund t’i paraqisnin rastet e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendi do t’i bashkohej edhe Unionit të Transmetuesve Evropianë, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së tij në garën vjetore të këngës, Eurovizion.

Nëse sonte në Strasburg – dy të tretat e parlamentarëve kombëtarë që përfaqësojnë 46 shtetet anëtare të organizatës, japin dritën e gjelbër, çështja do të kalojë para ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, saktësisht një muaj më vonë, dhe ata do ta marrin vendimin përfundimtar. (koha.mk)

Dodik kërcënon: Nëse votohet rezoluta për gjenocidin serb, do shkëputemi

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, kërcënon me ndarje të territorit si kundërpërgjigje ndaj rezolutës për Srebrenicën.

Duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë, Dodik tha se boshnjakët kanë bërë autogol duke kërkuar miratimi e një rezolute.

Lideri kundërthënës i Republikës Serbe, ka folur edhe për numrin e të vrarëve në gjenocidin e Srebrenicës. Ai ka deklaruar se “askund nuk gjendet numri i serbëve të vrarë”. Sipas tij, në Srebrenicë kanë humbur jetë edhe 2500 serbë.

Ai ka paraqitur planet për shkëputjen dhe ka deklaruar se “ndarja paqësore është zgjidhja e vetme për të gjithë popujt në Bosnjë e Hercegovinë”.

Dodiku edhe javë më parë ka kërcënuar me shkëputje nëse miratohet rezoluta. Ai ka paralajmëruar tubim të madh në Banjallukë. Idetë e Dodik mbështeten jo zyrtatisht nga qeveria serbe. Ndërkohë Dodik cilësohet si një nga aleatët e Vladimir Putin. I Sanksionuar nga SHBA dhe BE, ai vijon të ketë komunikim të rregullt me Kremlinin./Euronews.al

“Të ngulet në hu”, kërcënohet me vdekje ambasadori amerikan në Beograd

Kërcënime me vdekje për ambasadorin amerikan në Beograd Christopher Hill dhe profesorin e Universitetit të Novi Sadit, Dinko Gruhonjiq, janë shfaqur në rrjetet sociale, pas vizitës së djeshme të ambasadorit në Fakultetin Filozofik.

Siç raporton portali “Autonomia” nga Novi Sadi, në rrjetet sociale thuhet “Plumb për të dy” dhe “Të dy të ngulen në hu”.

Fakulteti Filozofik njoftoi se ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill ka vizituar Fakultetin dhe Departamentin e Studimeve të Medias, ku foli me dekanin Ivan Zhivançeviq Sekerush dhe prodekanin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Zoran Paunoviq, pas së cilës vizitoi studion televizive multimediale, e cila u ndërtua me ndihmën e Ambasadës Amerikane në Serbi.

Shtohet se ambasadori Hill ka folur me ligjërues dhe studentë për gjendjen në Serbi në lidhje me lirinë e mediave dhe kërcënimet e gazetarëve, profesorëve dhe studentëve në Novi Sad.

Për këtë temë, ambasadori Hill foli ndaras në fakultet me Dinko Gruhonjiqin nga Departamenti i Studimeve të Medias të Fakultetit Filozofik, i cili kohëve të fundit ishte shënjestër e kërcënimeve, e që më pas ka dhënë edhe një intervistë për ueb-faqen studentor “University Echo”, krijimi i të cilit u ndihmua gjithashtu nga Ambasada e SHBA në Serbi.

Parlamenti Studentor i Fakultetit Filozofik ka paraqitur një ankesë kundër profesorit Gruhonjiq për gjoja “gjuhë urrejtjes në Komisionin e Etikës të Fakultetit”.

Gruhonjiq u akuzua për “gjuhën e urrejtjes” në bazë të një video të montuar nga forumi në Dubrovnik të një viti më parë, ku ai dyshohet se ka lavdëruar një kriminel lufte nga Lufta e Dytë Botërore (Dinko Shakiq), e çka profesori e mohoi me këmbëngulje dhe kujtoi se ai gjithë karrierën e tij si gazetar dhe profesor e kaloi si luftëtar i vazhdueshëm kundër nacionalizmit dhe kundër glorifikimit të politikës së krimeve të luftës në rajon./BS

Vrasjet e grave, Osmani e shpallë të mërkurën ditë zie shtetërore në Kosovë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shpallur ditën e mërkurë si ditë zie shtetërore në Kosovë, në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara si rezultat i dhunës gjinore.

Osmani ka shkruar se “shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”.

Brenda katër ditësh në Kosovë u vranë dy gra.

Një 21-vjeçare u vra ditën e premte në Ferizaj, nga ish-bashkëshorti i saj. Ndërsa, sot në qytetin e Pejës u vra një grua 43-vjeçare, nga bashkëshorti i saj. Vrasja ndodhi në banesën e çiftit.

Të dyja vrasjet u dënuan ashpër, ku edhe u kërkua dënim maksimal për dorasit./Telegrafi/

Shoferi nga Maqedonia pësoi infarkt në Hungari, sot me helikopter mjekësor është transportuar në Shkup

Shoferi i kamionit nga Maqedonia, i cili pësoi infarkt në Hungari, sot është transferuar në Maqedoni për trajtim me helikopterin mjekësor.

Shoferi ishte në gjendje kome të induktuar në një spital në Szeged dhe familja e tij kërkuan transport për në Shkup nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

“Në kontaktin telefonik me vajzën e të sëmurit është marrë informacion se ajo ka kontaktuar me institucionet kompetente mjekësore në Maqedoni, nga ku kanë treguar se ka nevojë për transport të sigurt dhe kujdes intensiv afatgjatë. Njëkohësisht, kërkesës iu përgjigj menjëherë dhe pas krijimit të kushteve për transport të sigurt, ajo u realizua nga Njësia e Helikopterëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme me helikopterin “e bardhë” 412, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë”, njofton sot Qendra e Menaxhimit të Krizave.

“Çmendet” moti/ Dje 30 gradë Celsius, sot borë në Kroaci dhe Slloveni

Ashtu siç është paralajmëruar, një ndryshim i madh moti ka arritur në Kroaci dhe Slloveni.

Kroacia dhe Sllovenia po përjetojnë luhatje të mëdha të temperaturave, gjegjësisht në disa vende ka rënë edhe borë. Në Zagreb temperaturat kanë rënë me 20 gradë Celsius në 24 orë. Dje në orën 14:00 ishte 27 gradë Celsius, ndërsa sot 7 gradë Celsius.

Po ashtu disa pamje tregojnë në majën e Medvednicës së shtetit kroat po bie borë. Ndërkohë, agjencia e Mjedisit ka lëshuar një paralajmërim portokalli për pjesën jugperëndimore dhe qendrore të Sllovenisë për shkak të erërave të forta dhe reshjeve të borës.

Temperaturat ranë, në disa vende, si në Kroaci, me më shumë se 10 gradë Celsius. Ndryshe, temperatura të ngjashme pritet të vijnë edhe në Kosovë.

(VIDEO)Sindikatat e të punësuarve në universitetet publike nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Sindikata e të punësuarve të Universitetit të Tetovës e përfaqësuar nga kryetari i saj Shefket Dehari dhe pesë sindikatat e universiteteve shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sot në Shtip nënshkruan memorandum bashkëpunimi.Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi, drejtuesit e sindikatave do të angazhohen në përmirësimin e pozitës ekonomike dhe sociale të punonjësve të të gjitha universiteteve publike në vendin tonë.Memorandumi i këtyre subjekteve e rregullon bashkëpunimin e ndërsjellë, parashikon realizim të aktiviteteve të përbashkëta dhe koordinim midis nënshkruesve.Bashkëpunimi do të zhvillohet në suaza të kompetencave ligjore të palëve, me theks të veçantë në realizimin e këtyre pikave: bashkëpunim dhe koordinim në lidhje me krijimin e një unioni të sindikatave të punonjësve të universiteteve publike; veprim i përbashkët për nënshkrimin e një marrëveshjeje të veçantë kolektive në arsimin e lartë; bashkërisht do të ndiqet zbatimi i ligjeve dhe marrëveshjeve kolektive me të cilat rregullohen të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e punonjësve në universitetet publike; bashkëpunim në organizimin e konferencave, seminareve, punëtorive dhe tryezave të rrumbullakëta me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar; organizim i shkollave sindikale; promovim i aktiviteteve me interes për të punësuarit; përgatitje dhe aplikim në projekte; përgatitje e analizave, mendimeve të ekspertëve shkencorë, hulumtim dhe shkëmbim i informacionit për nevoja të përbashkëta. Nëpërmjet aktiviteteve – projekteve do të sigurohet trajnim për anëtarët sindikalistë, si: sigurimi i mbështetjes dhe solidaritetit të ndërsjellë për punonjësit e universiteteve publike; shpërndarja e përvojave dhe praktikave pozitive nga puna sindikaliste; organizimi i ngjarjeve dhe aktiviteteve të në interes të anëtarëve sindikalë; rritja e vetëdijesimit për rëndësinë e dialogut social në të gjitha nivelet; zgjerimi i rrjetit të bashkëpunimit me institucione dhe organizata të tjera; konsultim dhe informim i ndërsjellë për çështje me interes për anëtarët sindikalë në universitetet publike.TV KOHA

(video) Mungesa e kuadrove që kërkon tregu i punës ka bërë që në Maqedoninë e Veriut, të ketë disbalancë mes kërkesës për punëtorë

Mungesa e kuadrove që kërkon tregu i punës ka bërë që në Maqedoninë e Veriut, të ketë disbalancë mes kërkesës për punëtorë në njërën anë dhe në anën tjetër, numrit të lartë të të papunëve të regjistruar në entet për punësim. Kjo, ka të bëj kryesisht me mos ecjen me trendin e kohës sidomos nga universitetet, të cilët duhet ndjekin trendin e kërkesave nga tregu i punës, ka deklaruar Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL-së, para panel diskutimit me temë “Sfidat dhe perspektivat e tregut të punës në Maqedoninë e veriut, tranzicioni nga arsimi në punësim”.

Rektor i UEJL-së “Sfidat janë edhe më të mëdha shkaku i karakterit të arsimit të lartë që është konservativ dhe shumë pak kapin ritmin e ndryshimeve ndërkohë që ndryshimet bëhen dita ditës më eksponenciale. Pastaj kemi edhe sistemin tonë rigid që nuk lejon të ndryshoni kurikulën në mënyrë ditore dhe ta përshtatni me fleksibilitet, andaj tani jemi duke punuar dhe kërkuar ndryshime të Ligjit të arsimit të lartë që kjo të iu jep liri universiteteve që ti referohen tregut të punës dhe në bazë të saj të përgatitin kuadrot adekuate”.

Nga Fondacioni gjerman Fridrich Hebert thonë se se pikërisht këto sfida, kanë detyruar fondacionin që në përtneritet me UEJL-në por edhe Institucionet shtetërore që kanë të bëjnë me punësimin dhe tregun e punës, të zhvillojnë këtë debat, me qëllin që të shihen këto sfida por edhe tejkalimi i tyre. “Është kënaqësi e veçantë sepse ne si Fondacion gjithnjë aktivitetet tona i organizojnë në partneritet me institucione dhe aktor lokal andaj për këtë temë veçanërisht jemi të kënaqur që gjetëm partner universitetin sepse këta janë që vazhdimisht kanë punuar dhe po punojnë në drejtim të përgatitjes së kuadrove të ardhshme apo profesionistëve sipas nevojës apo kërkesës së tregut të punës. Ajo që sot do e diskutojmë është sfidat në tregun e punës dhe ajo se cilat janë trendët dhe kërkesat e tregut të punës që për studentët janë informata shumë të rëndësishme  sepse ata do jenë punëtorët e ardhshëm të tregut të punës” tha Valon Sadiku, Fondacioni Fridrich Hebert.Në panel diskutim, morën pjesë edhe drejtues të pesë institucioneve të vendit, si Drejtoria për teknologji dhe inovacione, Enti për Punësim, oda Ekonomike dhe të tjera. TV KOHA

(video) Ekspozitë tradicionale Artet e Bukura

Shkolla e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” paralelja e vajzave në Tetovë organizoi ekspozitën tradicionale “Artet e Bukura” ku u prezentuan një sërë punimesh artistike të nxënëseve të Medresesë.Ky aktivitet filloi me këndimin kuranor nga nxënësja Semra Alili.Ndërkohë, të pranishmëve ju drejtuar administratorja e Medresesë profesoresha Barije Shabani. Ndërkohë, fjalime mbajtën drejtori i Medrsesë Islam Islami dhe myftiu i Tetovës Selver Xhemaili. Deklarata Selver Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Shaqir Efendi Fetai, u drejtua me disa këshilla në ekspozitën tradicionale “Artet e Bukura” që organizohet nga Shkolla e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” paralelja e vajzave në TetovëDeklarata Shkolla e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” paralelja e vajzave në Tetovë në bashkëpunim me Myftininë e Tetovës poashtu organizoi manifestimin tradicional me recitale dhe ilahije nën titullin MUHAMEDI A.S SIMBOL I MORALIT.Nxënëset e Medresesë performuan  përpara të pranishmëve. Këtë manifestim me prezencën e tyre e nderuan struktura më të larta të BFI-së.TV KOHA