29/03/2024
9.9 C
Tetovo
Ballina Blog

Faturat e larta, shumë ankesa në adresë të komunës

Edhe pse pritej që të mos ketë rritje të çmimit të faturave për ujë dhe mbeturina në Tetovë, megjithatë kjo nuk ndodhi.Në adresë të qytearëve të komunës së Tetovës erdhën fatura të larta, madje në shumë raste edhe trefish më shumë se sa kishin paguar muajin paraprak. Përllogaritja e re për sa i përket faturimit të ujit dhe mbeturinave bëhet në bazë të metrave katrorë që kanë kryefamiljarët tetovarë.Megjithatë, në përllogaritjen e re kanë hyrë edhe objektet tjera që kanë në pronësi qytetarët e Tetovës përveç objektit të banimit. Ka raste, ku për të gjithë banorët në një ndrërtesë ka ardhur një faturë për mbeturina dhe nga 200 denarë tash pagesa është 3200 denarë. Nga ana tjetër, ka qytetarë që duhet të paguajnë deri në 4000 denarë për ujë dhe mbeturina. Kjo ka revoltuar tejmase banorët e komunës së Tetovës të cilët tashmë drejtohen tek Ndërmarrja Publike Komunale për t`u ankuar, kurse prej atje i drejtojnë tek kompania Saubermaher në Pallçisht. Nga kjo kompani së fundmi, kanë dalë me një komunikatë ku thonë se vendimet për përcaktimin e tarifave të çmimit për secilin shërbim i ka marrë komuna e Tetovës, përkatësisht janë miratuar nga këshilli.“Në vendimin e Këshillit të Komunës së Tetovës për miratimin e çmimit për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e komunës së Tetovës, thuhet se çmimi për grumbullimin e mbeturinave është përcaktuar për metër katror. Me këtë po ashtu theksojmë se të gjitha të dhënat kadastrale për klientët që kanë pranuar faturat e para, konkretisht për muajin shkurt 2024, janë siguruar nga komuna e Tetovës, në përputhje me Marrëveshjen për Partneritet Publik Privat. Gjithashtu, në faqen zyrtare të Agjencisë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme, të dhënat kadastrale të përdorura për llogaritjen e faturave janë të disponueshme për publikun”, thuhet në një deklaratë të kompanisë Saubermaher.Nga kompania e cila tashmë menaxhon me mbeturinat në Tetovë, thonë se për shkak të rasteve të ndryshme të raportuara nga qytetarët janë duke u përgatitur informacione dhe udhëzime të cilat do të shpërndahen publikisht në ditët në vijim.Nga komuna e Tetovës ditë më parë ka njoftuar se nëse ka nevojë për harmonizim të të dhënave, qytetarët duhet të derjtohen tek afër tregut të gjelbër dhe lokalet e Saubermacher në fshatin Pallcishtë.Pritet që edhe komuna e Tetovës të del me qëndrim këtyre ditëve për situatën e krijuar me faturat e larta të mbeturinave dhe ujit që kanë arritur në adresat e kryefamiljarëve të Tetovës. Përllogaritja e re bëhet në bazë të metrave katrorë dhe tek një pjesë e madhe e qytetarëve janë marrë për bazë të gjitha objektet që kanë në pronësi dhe që i kanë të regjistruara në kadastër. Përcjel  TV KOHA

Vrasja e mjekut në Zhelezarë, tre të arrestuar

Është arrestuar edhe një person lidhur me vrasjen e mjekut amë në Zhelezarë, me çka shkon në tre numri total i të arrestuarve që dyshohen të kenë lidhje me këtë rast. Ministri Teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se hetimi për vrasjen e shkaktuar me thikë po vazhdon edhe më tej.“Sipas informacioneve të mia është arrestuar edhe një person, pra gjithsej 3 persona. Kërkimi ka përfunduar në orët e vona të natës, vazhdohet me veprime të tjera hetimore që të mund të konfirmohet gjendja faktike”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër Teknik i punëve të brendshme.Ministri Teknik, Toshkovski gjatë ditës së djeshme njoftoi se janë ndërmarrë 20 veprime hetimore, janë kontrolluar mbi 50 kamera, sipas të cilave, siç tha ministri, është konstatuar se motivi i vrasjes nuk lidhej me profesionin që ushtronte mjeku i vrarë. Më 21 mars në orët e vona të mbrëmjes, mjeku amë është gjetur brenda makinës së tij me 9 plagë thike në trup. Atë e kanë gjetur djemtë e tij, të cilët kishin filluar ta kërkonin që kur babai i tyre nuk ishte kthyer në shtëpi në kohën e paraparëVrasja e mjekut në Zhelezarë, tre të arrestuar.TV KOHA

Taravari për marrëveshjen e Selës me Ahmetin: Nëse mendojnë që BDI-ja duhet të vazhdojë në pushtet është e drejt e tyre legjitime

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari tha se në rast se krahu i Selës në ASH vendos që të shkojë vetë në zgjedhje, ai është i gatshëm të jep vulat e partisë dhe të nënshkruaj propozimet e tyre, përcjell TV21.

“Nëse është arsyeja vulat pse shkojnë me BDI-në, unë para se ta mbajnë Kuvendin sot ju them përsëri, në qoftë se e mbani qëndrimin ende se mund të shkoni vetë, unë jam këtu që t’i pranojë listat me emrat që do t’i propozojnë ato për t’i nënshkruar dhe për t’i vulosur që të dalin me logon e ASH-së”, tha Taravari.

I pyetur për marrëveshjen e mundshme të ASH-krahu i Selës me BDI-në, ku ASH-së pretendohet se i premtohen 5 deputetë, Taravari the se e respekton vendimin e secilit.

“Shumë legjitime. Pavarësisht se si janë marrë vesh, unë e respektoj mendimin e çdo kujt. Unë këto dyshime i kam pasur edhe më parë, që ka afërsi dhe e kam thënë publikisht, ka afërsi të disa funksionarëve të ASH-së e BDI-në, por kjo nuk është diçka që është e jashtëzakonshme. Ata ashtu mendojnë, mendojnë që BDI-ja duhet të vazhdojë me pushtet dhe është shumë legjitime”, deklaroi Taravari.

Osmani: Mendoj që kjo do të jetë një ndër fitoret më të mëdha që kemi pasur si bllok

Në takimin me punonjësit në arsim dhe studentët, kandidati shqiptar për president, Bujar Osmani ka argumentuar se pse kandidohet si president.

“Dalim me idenë e presidentit të parë shqiptar dhe kërkojmë mbështetjen e gjithëve atyre të cilët kanë qenë të privuar nga mundësia për të pasur president, për shkak se këtu ka pasur monopole etnike dhe politike në 30 vitet e fundit, të cilët po i rrënojmë një nga një, mision pas misioni, duke e demonopolizuar shtetin dhe duke krijuar barazi të plotë. Asnjëherë duke tentuar që të dominojmë mbi të tjerët, por duke e kërkuar hisen tonë që secili të ketë mundësi të barabartë. Mendojë që kjo do të jetë një ndër fitoret më të mëdha që kemi pasur si bllok.

Ministri Osmani potencoi se këto zgjedhje do jenë jashtëzakonisht të rëndësishme. “Kujtoj që jemi në një udhëkryq të rëndësishëm historik, ku parashikueshmëria strategjike do të jetë përcaktuese se si do të jetë e ardhmja jonë e përbashkët. Një karakteristikë e veçantë e këtyre zgjedhjeve, dhe do të flas nga perspektiva partiake, për herë të parë po ridefinohet skena politike. Deri më tani, kemi pasur dy blloqe të mëdha politke, multietnike, që kanë pretenduar të udhëheqin shtetin, dhe keni pasur partitë politike shqiptare duke garuar, duke qenë partneri i vogël i blloqeve të mëdha”, tha ministri Osmani.

Unioni i Romëve pjesë e “Frontit Europian”, Ali Ahmeti nënshkroi marrëveshje me Fatma Osmanovskën

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti sot në Shutkë nënshkroi marrëveshje për koalicion me Unionin e Romëve, me çka kjo parti bëhet pjesë e Frontit Europia.

Ahmeti marrëveshjen e nënshkroi me kryetaren e partisë Fatma Osmanovska.

Sot në moshën 83 vjeçare ndërroi jetë ish kryetari i parë i komunës së Tetovës Shaqir Aliti

Ndërroi jetë ish kryetari I parë I komunës së Tetovës Shaqir Aliti. Sot në moshën 83 vjeçare ka ndërruar jetë ish kryetari I parë I komunës së Tetovës Shaqir Aliti. Ai u lind më 14 gusht të viti 1941 në fshatin Gllogjë të rrethinës së Tetovës. Pas pavarësimit të Maqedonisë, dhe formimit të Partisë Demokratike për Prosperitet e udhëhequr nga Nevzat Halili, në vitin 1991 morri pjesë në garrën zgjedhore dhe fitoi bindshëm.Por zgjedhja e tij nuk u pranua nga strukturat e atëhershme komunale komuniste. Pushteti qendror nuk ndërhyri, por ish kryetari Shaqir Aliti me bashkëpuntorët e tij me forcë dhe në mënyrë dramatike hyri në kabinetin e kryetarit.Në këtë post qëndroi deri në vitin 1997. Familjarët bëjnë të ditur se varrimi do të bëhet nesër dita e premte, pas faljes së namazit të xhumasë në fshatin Gllogjë.

Ekipi i Televizionit Koha ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta  familjes së të ndjerit Shaqir Aliti  .

Taravari prezantoi pjesën tjetër të kabinetit presidencial: Janë njerëz me të cilët do t’i qojmë para idealet e VLEN-it

Kandidati për president nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN, Arben Taravari sot në Tetovë prezantoi pjesën tjetër të kabinetit të tij presidencial, përcjell INA.

Emrat e prezantuar janë:

Halim Hyda – ambasador që do të jetë këshilltar diplomatik,

Jasmin Kallac – këshilltar ligjor

Urim Veseli – këshilltar për siguri dhe mbrojtje

Dr. Arjanit Reka – zëdhënës i kandidatit për president Arben Taravari

Taravari deklaroi se qytetarët meritojnë të përfaqësohen nga njerëz të kualifikuar dhe të dëshmuar nëpër fusha të ndryshme të jetës publike. “Këta njerëz e njohin dhe e përfaqësojnë më së miri realitetin shoqëror këtu në Maqedoni. Që të gjithë e ndajnë të njëjtin mendim për t’i shërbyer qytetarit të Maqedonisë së Veriut pa dallim etnie, fetare apo politike. Me këtë ekip të shkëlqyer profesionistësh të dëshmuar kam besim të palëkundur se do t’i qojmë përpara idealet e VLEN-it, që në fakt janë reflektim më i saktë i pritshëm dhe shpresa e qytetarëve për ndryshim, prosperitet dhe mirëqenie. Prandaj themi se ndryshimi ja VLEN”, tha Taravari.

Ai shtoi se bëhet pas fitores më 8 maj, me të president, presidenca do të jetë institucion i hapur për çdo qytetarë, do të jetë edhe përfaqësuese e shoqërisë tonë, multinacionale, multietnike dhe multikulturore.(INA)

Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë UT organizoi punëtori me temë “Rëndësia, detyrat, format dhe demonstrimi praktik i krasitjes”

Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë i UT-së, organizoi punëtori me temë “Rëndësia, detyrat, format dhe demonstrimi praktik i krasitjes” që u mbajt më 27 mars 2024, morën pjesë studentët e kësaj njësie akademike dhe e njëjta u realizua nga dekani Doc. Dr. Bardhyl Limani, prodekania për shkencë Doc. Dr. Zejnedije Ademi Latifi dhe Prof. Dr. Alirami Saliji.

Punëtoria filloi me ligjëratë nga Prof. Dr. Alirami Saliji, ku studentët u njoftuan rreth masave pomoteknike në veçanti rreth formave, kohës dhe ndikimit të krasitjes në proceset fiziologjike të pemëve frutore. Më pas aktiviteti vijoi me demonstrim praktik të krasitjes në një pemishte në fshatin Sedllarcë e Epërme, në një sipërfaqe prej 3 hektarësh, ku kultivohen mollë të varieteteve Granny Smith, Delishes i Kuq, Delishes i Artë si dhe Jonathan.

Studentët realizuan krasitjen dimërore të mollës, me qëllim që nëpërmjet kësaj mase pomoteknike të arrihet një baraspeshë mes rritjes vegjetative dhe frutifikimit si dhe të pengohet frutdhënia alternative e pemës. Punëtoria i inkurajoi studentët që përmes një kombinimi mes dijes dhe praktikës mund të arrihet suksesi i pritshëm.

BDI i reagon Mickoskit: Për fituesit në palën shqiptare vendosin vetëm votuesit shqiptarë dhe jo Kremlini

Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi pasi kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski tha se Fronti Eurpoian nuk do të jetë i sukseshsëm pasi siç tha, duke pasur parasysh personat që po hyjnë në atë koalicion.

Në reagimin e BDI-së thuhet se Mickoski e ka ndjerë se partnerët e tij shqiptarë do të pësojnë humbje të thellë nga Fronti Europian prandaj edhe ka frikë dhe thotë se ky koalicion nuk do të jetë i suksesshëm.

” Në vend që të ofrojnë Program konkret zgjedhor, opozita e bashkuar me dirigjues Moskën e Putinit, ka zgjedhur shpifjet dhe fyerjet ndaj koalicionit “Fronti Europian”. Këtë e tha edhe partneri i Mickoskit, vet Izet Mexhiti, brenga e së cilit është ajo që “asnjë parti maqedonase nuk e do BDI-në”. Bashkimi Demokratik për Integrim i bënë me dije Mickoskit dhe opozitës shqiptare se, sikurse deri më tani, për fituesin te pala shqiptare vendos vetëm votuesi shqiptarë dhe kurrsesi Miskoski, Pavle Trajanovi apo Kremlini. “Fronti Evropian” do të jetë fituesi absolut i zgjedhjeve me “+20 deputetë” dhe Qeveria e ardhshme pa asnjë mëdyshje do të vazhdojë rrugën evropiane të vendit. E përkujtojmë Mickoskin se sot, me Maqedoninë e Veriut udhëheq kryeministër shqiptar, Talat Xhaferi, ndërsa diplomacinë e udhëheq ministri Bujar Osmani, Presidenti në ardhje i vendit”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.

Anulohen fluturimet Vjenë-Shkup dhe anasjelltas, për shkak të grevës së “Austrian Airlines”

Anulohen fluturimet nga Vjena për në Shkup dhe anasjelltas për shkak të grevës së të punësuarve në aviokompaninë “Austrian airlines”.

Në ueb faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar Shkup nuk janë vendosur as fluturimet, as uljet me këtë kompani ajrore.

Për shkak të grevës, e cila sipas njoftimeve duhet të zgjasë sot dhe nesër, globalisht janë anuluar rreth 400 fluturime dhe janë prekur rreth 50.000 pasagjerë.

Gjatë këtyre dy ditëve kjo kompani ajrore duhej të realizojë 24 fluturime nga Vjena deri në qytetet e ish Jugosllavisë duke përfshirë fluturimet në Shkup, Prishtinë, Sarajevë, Beograd, Zagreb, Podgoricë, Dubrovnik dhe Split.