29/03/2024
18.7 C
Tetovo
Ballina Blog

Maqedoni: Borxhi i jashtëm neto në fund të vitit 2023 ishte 4,458 milionë euro

Borxhi i jashtëm neto në fund të vitit të kaluar arriti në 4,458 milionë euro ose 32,6 për qind të BPV-së së vlerësuar, njoftoi sot Banka Popullore.

Në tremujorin e katërt të vitit, borxhi i jashtëm neto është rritur për 305 milionë euro ose për 7.3 për qind.“Në fund të tremujorit të katërt të vitit 2023, borxhi i jashtëm bruto arriti në 11,463 milionë euro dhe shënoi një rritje tremujore prej 386 milionë euro. Kërkesat e jashtme bruto janë rritur për 81 milionë euro dhe arrijnë në 7,004 milionë euro. Rritja më e madhe tremujore e detyrimeve në raport me kërkesat ka sjellë rritje të borxhit të jashtëm neto për 305 milionë euro, në mënyrë që në fund të dhjetorit 2023 të arrijë në 4,458 milionë euro“, sqaron Banka Popullore.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, pozicioni negativ i investimeve ndërkombëtare neto (PNI) u rrit për 160 milionë euro dhe arriti në 8,500 milionë euro, pra 62,2 për qind të PBB-së së vlerësuar për vitin 2023.

Krahasuar me fundin e vitit 2022, borxhi i jashtëm neto është rritur për 147 milionë euro (ose 3,4 për qind), në kushtet e rritjes së borxhit privat neto (për 269 milionë euro), dhe rënies së borxhit publik neto (për 122 milionë euro).

“Maqedonia jote”, Mickoski nënshkroi marrëveshje me partnerët e koalicionit

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot nënshkroi marrëveshje me partnerët e koalicionit.

Marrëveshja është nënshkruar me 24 parti, në mesin e të cilave është edhe “Dinjiteti” i Stojançe Angellovit dhe “Të bashkuar për Maqedoninë” e Lube Boshkovskit, si dhe LD-ja e Pavle Trajanovit, parti këta që së fundmi ishin pjesë e koalicionit qeverisës.

“Sot nënshkruam kartën për koalicion strategjik dhe vendosjen e parimeve të punës së ardhshme të koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, i quajtur “Maqedonia jote”. Qëndrojmë pas valës së ndryshimeve që duhet të sigurojnë një Maqedoni të qëndrueshme dhe të fortë!”, tha Mickoski.

Një shtetas i Shqipërisë i zhvat 11 mijë euro një personi nga Tetova

SPB Tetovë njofton se një 58-vjeçar nga Shqipëria ka mashtruar një personë nga Tetovë ku i ka marrë para kinse për të hapur një kompani në Dubai.

“Një pesëdhjetë e shtatë vjeçar, banor i një fshati të Tetovës, dje (28-mars) në ora 14:40 në SPB-Tetovë ka raportuar se 58-vjeçari M.M. nga Republika e Shqipërisë gjatë muajit të fundit i kishte premtuar atij dhe një personi tjetër se do të hapë një kompani në Dubai dhe në këmbim në tre raste i kanë paguar gjithsej 11 mijë euro, por as kompania nuk është hapur dhe as paratë nuk janë kthyer, kështu që e kuptuan se kishin qenë të mashtruar.

Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, thonë nga SPB Tetovë.

Pas zgjedhjeve, ndryshime kushtetuese, pastaj qeveri! Fituesi i zgjedhjeve kushtëzohet që tani

Ndryshime kushtetuese, pastaj qeveri. Mbi këtë temë gjithnjë e më shesh flasin partitë që do të marrin pjesë në zgjedhje. Ziadin Sela para disa ditësh në Click Plus tha se nuk mund të ketë qeveri pa shqiptarët, duke shtuar se do të insistojnë që pas zgjedhjeve, me fituesin t’i realizojnë ndryshimet kushtetuese në Kuvend e pastaj të formohet qeveria.

Të njëjtën gjë e tha edhe zëvendëskryetarja e LSDM-së Sanja Llukarevska.

“Kjo para se gjithash është obligim i çdo partie politike, të mendojë për të mirën e shtetit. Nëse i kthehemi momentit të lidhjeve dhe koalicioneve, për LSDM çdo herë, më e rëndësishme ka qenë lidhja me qytetarët për të mirën e shtetit. Në agjendat tona programore të gjithë ne flasim për ndryshimet kushtetuese, të gjithë ne kemi këndvështrimin tonë. Por mund të them se në periudhën e kaluar mund të them se ne si parti politike, në mënyrë të përkushtuar dhe me transparencë e udhëheqim këtë proces”, tha Sanja Llukarevska.

Por nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Niklloski nuk mendon ashtu. Ai është i bindur se partia e tij do t’i fitojë zgjedhjet pas çka ata do t’i diktojnë kushtet, e jo një parti me numër më të ulët të mandateve.

“Unë them se VMRO-DPMNE do të fitojë aq shumë mandate dhe do të arrijë rezultat shumë të fuqishëm pas çka ne do t’i diktojmë kushtet, e jo dikush tjetër”, u shpreh Aleksandar Nikolloski

Nikolloski tha se ajo parti që do të dojë të hyjë në koalicion me VMRO-DPMNE do të duhet ta pranojë programin e tyre, nëse duan, nëse jo, siç tha, nuk e kanë patjetër të jenë pjesë e qeverisë. Preferon negociata dhe koalicion qeveritar me opozitën shqiptare dhe siç tha, do të ishin të lumtur nëse formojnë koalicion qeveritar me ta.

Taravari thirrje bashkëveprimtarëve: Mos rrini si patericë e askujt! Afrohuni tek VLEN

Kreu i ASH-së, njëherë edhe kandidat i opozitës shqiptare për president, Arben Taravari përmes një shkrimi në Facebook u ka bërë thirrje bashkëveprimtarëve të tij politik që të bëhen pjesë e opozitës.

“Mirëdita të gjithëve e sidomos bashkëveprimtarëve të mi të Aleancës! Të gjithë ju, kudo që jeni, që jemi të lidhur me ideal dhe me kauzë disavjeçare, ju bëj Thirrje të afroheni tek VLEN! Mos rrini si patericë e askujt! Ju presim! Sinqerisht, Arbeni”, ka shkruar Taravari.

Aksident tragjik në Kërçovë! Tre të vdekur dhe 4 të lënduar rëndë

Tre të vdekur dhe 4 të plagosur është bilansi i aksidentit tragjik që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në rrugën magjistrale të Kërçovës, shkruan TV21. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Ohër njoftojnë se aksidenti ka ndodhur mes dy automjeteve me targa të Kërçovës, të tipit “VW” dhe Peugeot”.

“Me datë 29.03.2024 në ora 04:50 në stacionin policor të Kërçovës është raportuar se në rrugën “Rruga Magjistrale” në Kërçovë ka ndodhur një aksident trafiku në mes të automjetit “Peugeot” me targa të Kërçovës, i drejtuar nga S.I.(19) nga Kërçova dhe veturës “Volkswagen Golf” me targa të Kërçovës, i drejtuar nga K.E.(32) nga fshati Trapçin Doll i Kërçovës. Nga plagët e marra ka ndërruar jetë në vendin e aksidentit shoferi K.E. dhe pasagjeri i tij A.S.(20) nga fshati Trapçin Dol, ndërsa shoferi S.I. iu nënshtrua plagëve të marra gjatë rrugës për në Kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” në Shkup. Lëndime të rënda në spitalin “Shën Erazmo” në Ohër janë konstatuar te 19-vjeçari T.S. nga Kërçova, V.P.(21) nga fshati Podvis i Kërçovës, P.K.(21) nga Kërçova dhe një i mitur nga Kërçova, të gjithë pasagjerë në automjetin Peugeot”, thuhet mes tjerash në njoftimin e SPB-Ohër.

Faturat e larta, shumë ankesa në adresë të komunës

Edhe pse pritej që të mos ketë rritje të çmimit të faturave për ujë dhe mbeturina në Tetovë, megjithatë kjo nuk ndodhi.Në adresë të qytearëve të komunës së Tetovës erdhën fatura të larta, madje në shumë raste edhe trefish më shumë se sa kishin paguar muajin paraprak. Përllogaritja e re për sa i përket faturimit të ujit dhe mbeturinave bëhet në bazë të metrave katrorë që kanë kryefamiljarët tetovarë.Megjithatë, në përllogaritjen e re kanë hyrë edhe objektet tjera që kanë në pronësi qytetarët e Tetovës përveç objektit të banimit. Ka raste, ku për të gjithë banorët në një ndrërtesë ka ardhur një faturë për mbeturina dhe nga 200 denarë tash pagesa është 3200 denarë. Nga ana tjetër, ka qytetarë që duhet të paguajnë deri në 4000 denarë për ujë dhe mbeturina. Kjo ka revoltuar tejmase banorët e komunës së Tetovës të cilët tashmë drejtohen tek Ndërmarrja Publike Komunale për t`u ankuar, kurse prej atje i drejtojnë tek kompania Saubermaher në Pallçisht. Nga kjo kompani së fundmi, kanë dalë me një komunikatë ku thonë se vendimet për përcaktimin e tarifave të çmimit për secilin shërbim i ka marrë komuna e Tetovës, përkatësisht janë miratuar nga këshilli.“Në vendimin e Këshillit të Komunës së Tetovës për miratimin e çmimit për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e komunës së Tetovës, thuhet se çmimi për grumbullimin e mbeturinave është përcaktuar për metër katror. Me këtë po ashtu theksojmë se të gjitha të dhënat kadastrale për klientët që kanë pranuar faturat e para, konkretisht për muajin shkurt 2024, janë siguruar nga komuna e Tetovës, në përputhje me Marrëveshjen për Partneritet Publik Privat. Gjithashtu, në faqen zyrtare të Agjencisë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme, të dhënat kadastrale të përdorura për llogaritjen e faturave janë të disponueshme për publikun”, thuhet në një deklaratë të kompanisë Saubermaher.Nga kompania e cila tashmë menaxhon me mbeturinat në Tetovë, thonë se për shkak të rasteve të ndryshme të raportuara nga qytetarët janë duke u përgatitur informacione dhe udhëzime të cilat do të shpërndahen publikisht në ditët në vijim.Nga komuna e Tetovës ditë më parë ka njoftuar se nëse ka nevojë për harmonizim të të dhënave, qytetarët duhet të derjtohen tek afër tregut të gjelbër dhe lokalet e Saubermacher në fshatin Pallcishtë.Pritet që edhe komuna e Tetovës të del me qëndrim këtyre ditëve për situatën e krijuar me faturat e larta të mbeturinave dhe ujit që kanë arritur në adresat e kryefamiljarëve të Tetovës. Përllogaritja e re bëhet në bazë të metrave katrorë dhe tek një pjesë e madhe e qytetarëve janë marrë për bazë të gjitha objektet që kanë në pronësi dhe që i kanë të regjistruara në kadastër. Përcjel  TV KOHA

Vrasja e mjekut në Zhelezarë, tre të arrestuar

Është arrestuar edhe një person lidhur me vrasjen e mjekut amë në Zhelezarë, me çka shkon në tre numri total i të arrestuarve që dyshohen të kenë lidhje me këtë rast. Ministri Teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se hetimi për vrasjen e shkaktuar me thikë po vazhdon edhe më tej.“Sipas informacioneve të mia është arrestuar edhe një person, pra gjithsej 3 persona. Kërkimi ka përfunduar në orët e vona të natës, vazhdohet me veprime të tjera hetimore që të mund të konfirmohet gjendja faktike”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër Teknik i punëve të brendshme.Ministri Teknik, Toshkovski gjatë ditës së djeshme njoftoi se janë ndërmarrë 20 veprime hetimore, janë kontrolluar mbi 50 kamera, sipas të cilave, siç tha ministri, është konstatuar se motivi i vrasjes nuk lidhej me profesionin që ushtronte mjeku i vrarë. Më 21 mars në orët e vona të mbrëmjes, mjeku amë është gjetur brenda makinës së tij me 9 plagë thike në trup. Atë e kanë gjetur djemtë e tij, të cilët kishin filluar ta kërkonin që kur babai i tyre nuk ishte kthyer në shtëpi në kohën e paraparëVrasja e mjekut në Zhelezarë, tre të arrestuar.TV KOHA

Taravari për marrëveshjen e Selës me Ahmetin: Nëse mendojnë që BDI-ja duhet të vazhdojë në pushtet është e drejt e tyre legjitime

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari tha se në rast se krahu i Selës në ASH vendos që të shkojë vetë në zgjedhje, ai është i gatshëm të jep vulat e partisë dhe të nënshkruaj propozimet e tyre, përcjell TV21.

“Nëse është arsyeja vulat pse shkojnë me BDI-në, unë para se ta mbajnë Kuvendin sot ju them përsëri, në qoftë se e mbani qëndrimin ende se mund të shkoni vetë, unë jam këtu që t’i pranojë listat me emrat që do t’i propozojnë ato për t’i nënshkruar dhe për t’i vulosur që të dalin me logon e ASH-së”, tha Taravari.

I pyetur për marrëveshjen e mundshme të ASH-krahu i Selës me BDI-në, ku ASH-së pretendohet se i premtohen 5 deputetë, Taravari the se e respekton vendimin e secilit.

“Shumë legjitime. Pavarësisht se si janë marrë vesh, unë e respektoj mendimin e çdo kujt. Unë këto dyshime i kam pasur edhe më parë, që ka afërsi dhe e kam thënë publikisht, ka afërsi të disa funksionarëve të ASH-së e BDI-në, por kjo nuk është diçka që është e jashtëzakonshme. Ata ashtu mendojnë, mendojnë që BDI-ja duhet të vazhdojë me pushtet dhe është shumë legjitime”, deklaroi Taravari.

Osmani: Mendoj që kjo do të jetë një ndër fitoret më të mëdha që kemi pasur si bllok

Në takimin me punonjësit në arsim dhe studentët, kandidati shqiptar për president, Bujar Osmani ka argumentuar se pse kandidohet si president.

“Dalim me idenë e presidentit të parë shqiptar dhe kërkojmë mbështetjen e gjithëve atyre të cilët kanë qenë të privuar nga mundësia për të pasur president, për shkak se këtu ka pasur monopole etnike dhe politike në 30 vitet e fundit, të cilët po i rrënojmë një nga një, mision pas misioni, duke e demonopolizuar shtetin dhe duke krijuar barazi të plotë. Asnjëherë duke tentuar që të dominojmë mbi të tjerët, por duke e kërkuar hisen tonë që secili të ketë mundësi të barabartë. Mendojë që kjo do të jetë një ndër fitoret më të mëdha që kemi pasur si bllok.

Ministri Osmani potencoi se këto zgjedhje do jenë jashtëzakonisht të rëndësishme. “Kujtoj që jemi në një udhëkryq të rëndësishëm historik, ku parashikueshmëria strategjike do të jetë përcaktuese se si do të jetë e ardhmja jonë e përbashkët. Një karakteristikë e veçantë e këtyre zgjedhjeve, dhe do të flas nga perspektiva partiake, për herë të parë po ridefinohet skena politike. Deri më tani, kemi pasur dy blloqe të mëdha politke, multietnike, që kanë pretenduar të udhëheqin shtetin, dhe keni pasur partitë politike shqiptare duke garuar, duke qenë partneri i vogël i blloqeve të mëdha”, tha ministri Osmani.