19/04/2024
4 C
Tetovo
Ballina Blog

VLEN shpalos programin për zgjedhje: Zhdukje e bixhozit, decentralizim fiskal, aksionet në dorë të qytetarëve

Në sheshin “Skënderbeu”, aty ku edhe e kanë selinë e përbashkët, koalicioni VLEN prezantoi një pjesë të programit qeveritar, ndërsa javën tjetër pritet të prezantohet i plotë. Migrimi dhe ekonomia do të jenë shtyllat kryesore. Për këtë, kandidati për president Arben Taravari, tha se qytetarëve do t’u mundësojnë që deri në fund të mandatit, të marrin pagë mesatare prej 800 eurove.

Nuk mund të vazhdohet kështu me qeveri të korruptuar dhe zhvatëse, na duhet patjetër ndryshim. Për këtë arsye ne si koalicion VLEN në qeverisje duhet të garantojmë dhe rritjen e rrogës mesatare, kjo garancë e jona është që rroga mesatare do të jetë minimum 800 euro”, tha Arben Taravari – kandidat për president –VLEN.

Fjalime mbajtën e tre krerët e partive që përbëjnë VLEN-in, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi. U prezantuan planet për zhdukjen e plotë të bixhozit, planet për decentralizim fiskal dhe lënien e aksioneve të ndërmarrjeve shtetërore në dorë të qytetarëve
Ne do t’u shpërndajmë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, 49% të aksioneve të ndërmarrjes shtetërore, pra do të shpërndajmë aksione në vlerë prej 10mijë euro për secilin individ. Këto aksione do të mund të shiten në treg dhe do të sjellin dinamikë të re ekonomike për familjet e secilit dhe do të mundësojë dhe futjen e kapitalit privat në këto ndërmarrje, gjë që sjellë modernizim dhe zhvillim”, pohoi Izet Mexhiti – Bartës liste Z1 – VLEN.

“Me fitoren e VLEN-it, ne besojmë se do të marrë fund sëmundja e madhe e kazinosë dhe lotarisë. Ne do të bëjmë çmos, që ta ndalojmë bixhozin. Ideja jonë është t’i ndalojmë edhe kreditë e shpejta që në fakt janë thjeshtë fajde. Do t’i anulojmë borxhet e njerëzve me kredi të shpejta”, pohoi Afrim Gashi – Bartës liste Z2 – VLEN.
Për këtë, ne angazhohemi që të kemi një decentralizim fiskal, të kemi bartje të ingerencave në pushtetin lokal sepse pushteti lokal është i njohur se është pushteti më afër qytetarëve. Ne do të angazhohemi që në mandatin tonë të transferojmë së paku gjysmë miliardë euro për zhvillimin e komunave tona dhe ndërtimin e infrastrukturës së munguar”, tha Bilall Kasami – Bartës liste Z6 – VLEN

Shkurt folën edhe bartësit e listave nga zonat 3, 4 dhe 5, por edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kandidat për deputet në zonën 6, Bekim Qoku.

“Ne jemi për Maqedoninë e Veriut si partnere e NATO-s dhe si një vend i integruar në Bashkimin Europian. Jemi për partneritet dhe miqësi në Ballkan por jemi gjithashtu kundër atyre që bashkëpunojnë me Beogradin problematik, me pinjollët e Millosheviqit dhe me Moskën agresore”, pohoi Bekim Qoku – VLEN.

“Shqiptarët e Çashkës dhe Velesit, presin vëmendjen e shtetit. Kemi garanca nga presidenti Taravari dhe nga koalicioni VLEN se në Qeverinë e ardhshme, shqiptarët e zonës 3, nuk do të lihen vetëm”, tha Shener Bilalli – Bartës liste Z3 – VLEN .

Ne kemi programin tonë elektoral, plani VLEN 2030. Me politikat tona ekonomike dhe zhvillimore ne do të arrijmë që në vitin 2030, të jenë 150 euro për kokë banori”, u shpreh Mendurim Zermanovski – Bartës liste Z4 – VLEN.

“Duke e ditur se kush qëndron përballë nesh, një listë plot skandale dhe njerëz të dyshimtë, ne kemi sigurinë e plotë se në zonën pesë do të bëhet surpriza më e madhe. Të mos harrojmë se morali vlen edhe në politikë, ndryshimi vlen, guximi vlen, fitorja vlen”, pohoi Salim Sulejmani – Bartës liste Z5 – VLEN.

Përndryshe në listat e votimit, si për president ashtu edhe për deputetë, koalicioni VLEN do të ketë numrin gjashtë në renditje, në bazë të ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor që i solli Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

EMIGRIMI I FRIKSHËM: Plakje dhe ikje e popullatës

Për çdo vit nga Maqedoni po shpërngulen 12 mijë njerëz tregojnë analizat e Entit të Statistikës. Përveç se me shpërnguljen e madhe, vendi ka probleme edhe me natalitetin e ulët. Nga Entit i Statistikës thonë se kjo ndërlidhet më së shumti me uljen e lindshmërive ku veçmë dhjetë vite Fertiliteti që paraqet numrin e të lindurve të gjallë në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë femërore në periudhën fertile është 1.5 fëmijë për një grua, përderisa për reproduksion të thjeshtë nevojitet 2.1 fëmijë.Njëherësh statistika zbardh se nëse në vitin 2002, një e katërta e popullsisë ishte e re, tani kjo shifër është ulur me 18 për qind në më pak se një e pesta e e popullsisë. Apo thënë ndryshe nëse në vitin 2002 kishim 24 për qind të rinj nga numri i përgjithshëm i popullsisë, në vitin 2022 kjo shifër është ulur me 18 për qind.

Prej vitesh, sipas hulumtimit të Institutit Republikan Ndërkombëtar të publikuar në mars të vitit të kaluar, problemet kryesore të theksuara nga qytetarët janë të natyrës ekonomike që i shtyëjnë ndaj migrimit: papunësia, varfëria, pagat e ulëta.

Kohë më parë në diskutimet e Forumit të Prespës në Strugë u konstatua se arsyeja e emigrimit nga Ballkani nuk janë vetëm paratë, por edhe politika.Një gjyqësor i pavarur dhe korrupsioni zero janë parakushte të rëndësishme që të rinjtë të mos largohen nga vendi apo të kthehen në shtëpi.Është gjithashtu e nevojshme të trajtohet mosbesimi në institucionet dhe mundësitë e pamjaftueshme për të rinjtë, të cilat janë ndër arsyet kryesore të emigrimit.

“Kur i pyesim të rinjtë se pse largohen nga vendi, punësimi dhe arsimimi janë dy arsyet kryesore, por edhe klima e përgjithshme në lidhje me mënyrën se si funksionon vetë vendi ndikon në motivin e një të riu që të largohet vetë nga vendi”, thotë Petar. Barlakovski, autor i hulumtimit “Rinia dhe Regjistrimi”.

“Në dallim nga opinioni fillestar që kishim për këtë temë, por edhe shoqërisht pranohet se të rinjtë ikin nga shteti vetëm për arsye financiare (edhe pse ai segment nuk mund të përjashtohet), sipas hulumtimit tonë, të rinjtë më së shumti shqetësohen nga mungesa e drejtësisë, cilësia e jetesës, korrupsionin dhe partizimin e shoqërisë. Kjo më tej u krijon probleme në punësim, avancim dhe hapje të biznesit të tyre, shoqëria e partizuar krijon staf jo cilësor, ndaj të rinjtë vendosin të shkojnë diku ku puna e tyre do të vlerësohet dhe jeta e tyre, të paktën në pjesën më të madhe, do të varen nga aftësitë dhe përpjekjet e tyre”, thonë nga ekipi “Dua të qëndroj”.

Gjithashtu një popullsi e moshuar nënkupton mungesë të fuqisë punëtore në dispozicion, por edhe rritje të shpenzimeve qeveritare për skemat e pensioneve dhe kujdesin shëndetësor. Kostoja e një numri në rënie të të rinjve në Ballkan është llogaritur nga Fondacioni Westminster për Demokraci dhe Instituti për Zhvillim dhe Inovacion.

Studimi tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor po humbet çdo vit miliarda euro për shkak të migrimit të të rinjve. Për të vlerësuar pasojat ekonomike të kësaj dukurie, studimi merr parasysh si kostot e lidhura me arsimin – 2.46 miliardë euro – po ashtu edhe humbjet e mundshme në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, pikërisht për shkak të largimit të të rinjve nga këto vende.

Llogaritet se vendet e Ballkanit Perëndimor humbasin për shkak të migrimit të të rinjve rreth 3.08 miliardë euro çdo vit në rritjen e mundshme të PBB-së dhe në rënien e konsumit. Nëse kësaj shifre i shtohen shpenzimet mbi arsimimin e tyre,atëherë kostoja në total është rreth 5.5 miliardë euro në vit. (koha.mk)

Ndryshimet e shpejta të temperaturave brenda ditës nuk kalojnë pa pasoja në shendëtin e qytetarëve

Ndryshimet e shpejta të temperaturave brenda ditës nuk kalojnë pa pasoja në shendëtin e qytetarëve.Kjo periudhë e cila është karakterizuar me ndryshime të shpeshta të temperaturave, pasi që kishim mot me diell disa ditë rradhazi dhe më pas ulje të temperaturave, sipas mjekëve më shumë e pësojnë pacientët që kanë sëmundje kronike. “Sa i përket aspektit shëndetësor në repartin e ndihëms së shpejtë në Tetovë kemi kryesisht më tepër raste me grip sezonal, ndërsa pacientët që kanë sëmundje kronike janë më të ndjeshëm në këto ndryshime drastike të temperaturave.Ne si mjek, apelojmë që pacientët të cilët kanë sëmundje kronike të zemrës, që mos të dalin pa nevojë kur ka ndryshime drastike të temperaturave dhe të jenë më të kujdesshëm” thotë Besnik Mustafai, mjek në Repartin e Ndihmës së Shpejtë në Tetovë

Problem shtesë në këtë periudhë është edhe paraqitja e alergjive që edhe më shumë e rëndon situatën. Mjekët këshillojnë që edhe këta pacient të kenë kujdes. “Kryesisht në repartin e ndihmës së shpejtë paraqiten për kontroll pacientët me simptoma të gripit, pra ftohje e lehtë, kollë të thatë, temperaturë, me plogështi e kështu me rradhë. Këto janë simptomat kryesore dhe ja vlen të ceket se tani jemi në periudhën e pranverës, kemi rritje drastike të pacientëve të cilët kanë probleme me alergjitë. Rekomandojmë tek këta pacientë që të kenë me vete terapinë e nevojshme dhe të jenë më të kujdesshëm” apelon mjeku Mustafai.

Në ndërkohë, janë shpeshtuar sulmet në tru si pasojë e këtyre ndryshimeve të shpeshta klimatike në një periudhë të shkurtër kohore. “Rastet më të rënda gjatë kësaj periudhe janë pacientët të cilët pësojnë sulm në tru dhe gjatë këtyre ditëve kur temperaturat ishin të larta brenda një ndrrimi kemi pasur edhe nga gjashtë raste të personave që kanë pasur sulm në tru, pikërisht shkaku i ndryshimeve të shpeshta të temperaturave. Kryesisht këta raste ndër vite ndodhin në sezoninë e pranverës kur kemi ndryshim të kohës, sidomos dalja e mënjëhershme në diell sjell deri tek sulmet në tru” njofton Besnik Mustafai mjek.

Mjekët rekomandojnë që në këto raste personat që kanë probleme kronike shëndetësore pa nevojë mos dalin në ambiente të hapura.“Apelojmë që kur ka ndryshime të mënjëhershme të temperaturave personat me sëmundje kronike të shmangin daljet në ambiente të hapura, pasi që trupi është mësuar në temperaturë të ulët një kohë të gjatë dhe ekspozimi I shpejtë në temperatura të larta, sjell deri tek komplikimet shëndetësore.Prandaj, pa nevojë mos dilet jashtë sidomos kjo vlen për personat e moshuar” thotë apelon ai.Një studim i ri tregon se numri i vdekjeve të lidhura me goditjet në tru të lidhura me temperaturat ekstreme është rritur që nga viti 1990. Sipas studiuesve, pjesa më e madhe e goditjeve ishin për shkak të temperaturave më të ulëta se normale, ndërsa sigurisht që kishte një rritje të goditjeve kur temperaturat ishin më të larta se normalja.TV KOHA

Taravari: 800 euro pagë minimale, ekonomia dhe emigrimi kërkojnë përgjigje

Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari në konferencën e sotme për shtyp tha se në këto zgjedhje, ka bashkim të plotë të opozitës shqiptare dhe kjo garanton fitore, për shkak se në të gjitha zgjedhjet, shumica e votave i kanë takuar opozitës.

“Zgjedhjet presidenciale mbahen të mërkurën, më 24 prill, gjashtë është numri i Ndryshimit që VLEN. Kudo që po shkojmë në fushatë, dhe kemi shkuar në të gjithë vendin, po shikojmë se problemi më i madh është varfëria, shtrenjtimi i çmimeve, papunësia apo rrogat e vogla. Kushtet e jetesës janë bërë më të vështira. Kjo shkakton edhe problemin tjetër shumë të madh që kemi. Ai është largimi i të rinjve. Të rinjtë largohen pikërisht për shkak se rrogat janë të vogla e se është vështirë të gjesh punë të mirë”, tha Taravari.

Sipas tij, ekonomia dhe emigrimi kërkojnë përgjigje, ndërsa shqiptarët kanë nevojë për ndryshim.

“Për këtë arsye, ne si koalicion VLEN, në qeverisje, duhet të garantojmë dhe do të garantojmë rritjen e rrogës minimale deri në 800 euro. Programin tonë Presidencial e kemi publikuar dhe e kemi diskutuar, e në fillim të javës tjetër do të publikojmë dhe programin parlamentar. Është i vetmi program që VLEN. Por edhe një herë po e përsëris, që ndryshimi të ndodhë, duhet të angazhohet çdo njeri. Sepse secila votë vlen. Dhe secili votues, bëjmë thirrje që të dalë në ditën e votimit, që të garantojë Fitoren e Ndryshimit.”, tha Taravari.

https://www.facebook.com/watch/live/?ref=watch_permalink&v=3597549517160327

3 mijë punonjës të Kulturës mbesin pa paga dhe për disa ditë edhe pa sigurime shëndetësore

Punonjësit në institucionet kulturore shprehen të revoltuar për mos marrjen e pagës për muajin mars, të harmonizuar sipas Marrëveshjeve kolektive prandaj nga nesër kanë paralajmëruar protestë para Ministrisë së Kulturës, shkruan Alsat.

Nga Sindikata e Kulturës thanë se për disa ditë tre mijë punonjës kulturorë bashkë me familjet e tyre do të mbesin edhe pa sigurim shëndetësor.

“Edhe sot, më 18 prill, nuk ka ende pagë për muajin mars. Të gjithë e dimë shumë mirë që sa herë që zbatohen marrëveshjet kolektive dhe bëhen premtime financiare, ato duhet të harmonizohen me Ministrinë e Financave. Pavarësisht arsyes, efekti mbetet i njëjtë, një fuqi punëtore kulturore e demoralizuar dhe një kulturë kombëtare në kolaps, në prag të protestave dhe grevës”, tha Vera Atanasovska, kryetare e Sindikatës për kulturë.Kreu i SASHK-ut, Jakim Nedellkov tha se sipas harmonizimit të pagave me pagën minimale në vend, paga e muajit mars duhet të rritet me 12 për qind. Llogaritjet janë përgatitur nga institucionet e kulturës, por nuk ka asnjë miratim nga Ministria e Financave, pavarësisht premtimeve të Ministrisë së Kulturës.

“Fatkeqësisht, premtimet e forta të ministres të postuara në faqen e saj në Facebook më 1 prill se problemi është tejkaluar dhe se nuk është ashtu siç sindikatat po përpiqen të spekulojnë dhe të krijojnë trazira në mesin e anëtarëve, duket se kanë qenë një shaka e 1 prillit e ministres dhe mund të themi se planet e tyre të errëta për të rritur pagat në veprimtarinë e kulturës me vetëm 2 për qind, po përpiqen t’i realizojnë. Por definitivisht SASHK-u nuk do të lejojë pagesën e pagës në kundërshtim me Marrëveshjen Kolektive për aktivitetin kulturor”, u shpreh Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

“Është e papranueshme që kjo të ndodhë me ne, sidomos 15 ditë para zgjedhjeve. Është e palejueshme të kërkojnë votën tonë 15 ditë para zgjedhjeve, duke mos na paguar siç duhet. Flasim për rroga, jo për ryshfet dhe korrupsion”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM-së.

Dallimet e temperaturave janë shokuese për njerëzit, këtë verë në RMV mund të ketë stuhi me bubullima

Këto ditë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha të temperaturës. Hymë në pranverë me temperatura verore, ndërsa tani kemi temperatura të ulëta. Njerëzit e ndjeshëm reagojnë ndaj këtyre ndryshimeve, sepse trupi nuk mund të mësohet menjëherë me ndryshimet, ka nevojë për adaptim, thotë kështu për Meta.mk meteorologu Prof. Dr. Vllado Spiridonov, profesor i rregullt i meteorologjisë në Institutin e Fizikës pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore – Matematikore,
Ai thekson se këto ndryshime të papritura më së shumti i ndjejnë të sëmurët kronikë, popullata më e moshuar, por edhe të rinjtë.

Kjo valë e ftohtë do të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme. Temperaturat e ulëta do të sjellin reshje bore në malet më të larta në Maqedoninë Perëndimore, por jo edhe në vendet më të ulëta, pemët frutore nuk do të ngrijnë, kështu që bujqit nuk kanë pse të kenë frikë. Temperaturat minimale do të jenë mbi 0, por në vendet më të larta nuk përjashtohet mundësia që gjatë ditës së sotme të ketë reshje të borës. Nga nesër do të vazhdojë moti i ndryshueshëm, më i freskët, e që do i ngjajë motit të pranverës së hershme”, thotë profesori i cili ka qenë edhe profesor vizitor në Universitetin e Vjenës.

Ai shpjegon se një nga anët negative të ndryshimeve klimatike janë pikërisht këto oscilime të motit.

Ajo që po ndodh tani jo domosdoshmërisht është e lidhur drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike. Por, brenda atyre ndryshimeve stinore, vetë sistemi ndryshon dhe oscilon, e kështu ne nga një mot i qëndrueshëm kalojmë në një masë polare. Kështu tani jemi nën ndikimin e një mase tjetër, me karakteristika më të lagështa, presion më të ulët dhe temperatura më të ulëta. Ky mot i ngjason motit siç duhet të jetë në pranverë, por jo nga aspekti i oscilimeve të mëdha”, shton profesori.

Popullata jonë nuk është mësuar që ta presë pranverën me temperatura të verës apo dimrin me temperatura të vjeshtës.

“Për shembull, vitin e kaluar pranvera ishte shumë e lagësht, nuk e dinim nëse do të shkonim me pushime në fillim të verës. Në planetin tonë ka edhe shembuj të tjerë të këtillë. Sistemi ynë klimatik është çrregulluar, nuk është mësuar të funksionojë nën ndikime të tilla, ndërsa ato ndikime janë ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Ka rritje të emetimeve të CO2 në atmosferë, gjë që, nga ana tjetër, e ndryshon përbërjen kimike të saj. Gazrat serrë, avujt e ujit dhe CO2, e shtojnë nxehtësinë e drejtuar drejt sipërfaqes së tokës dhe në këtë mënyrë ndodh procesi i ngrohjes globale”, thotë profesori Spiridonov.

Ai shton se në gjysmën e dytë të pranverës do të ketë reshje.

“Për atë se si do të jetë vera, ka vlerësime të ndryshme. Modelet dhe vlerësimet atmosferike tregojnë për një verë më të ngrohtë, ndërsa në korrik dhe gusht mund të jetë rrezik sepse mund të ketë stuhi më intensive me bubullima, të cilat mund të jenë mjaft shkatërruese. Kjo është rezultat i ndryshimeve klimatike”, thekson Spiridonov.

Vala e ftohtë ka prekur pjesën më të madhe të Evropës, përfshirë këtu edhe vendet e rajonit. Në një deklaratë për “H1”, fizicienti atmosferik Prof. Branko Grisogono tha se edhe pse edhe më parë ka pasur ndryshime të papritura të motit, nuk ka ndodhur asnjëherë që temperatura të bjerë nga 30 në 6 gradë.

“Sa i përket motit prilli është muaji më i ndryshueshëm i të gjithë vitit. Kjo është shokuese për ne sepse kaluam nga temperatura tipike të verës në temperaturat e pranverës të hershme. Këto javët e fundit kemi pasur temperatura absolutisht mbi mesataren ndërsa tani jemi katër deri në shtatë gradë nën mesataren. Kjo paraqet një diferencë prej 20 gradë dhe trupi e ndjen këtë dhe kjo është shokuese”, tha profesori Grisogono, i cili ligjëron në Fakultetin e Shkencave Natyrore – Matematikore në Zagreb.

Ziadin Sela nga Fronti Europian: Sot demonstruam Parlamentin Europian dhe Kushtetutën Europiane, me mbështetjen e qytetarëve do ta formalizojmë pas 8 majit

Kryetari i ASh-së, Ziadin Sela theksoi se sot bashkë me partnerët, kolegët deputetë nga Fronti Europian përcollën porosinë më të rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve.

“Para opinionit vendor dhe ndërkombëtarë, sot demonstruam modelin e një Parlamenti Europian, të një vëndi Europian, me një Kushtetutë Europiane dhe President Europian.
Në seancën simulative nga ulësja e Kryetarit të Kuvendit, shpalosëm vizionin tonë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe përfshirjen e pakicave të tjera në Preambulë, si dhe zgjedhjen e Presidentit në Kuvend, duke u nisur nga parimet e demokracisë parlamentare siç është vendi ynë. Ne i sollëm opinionit, bashkëqytetarëve tanë dhe gjithë atyre që mund të kenë çfarëdo dileme, pamjen e një Maqedonie Europiane, prej së cilës nuk duhet të druajnë, por ta mbështesin dhe punojmë bashkërisht për ta realizuar”, deklaroi Sela.

Ai tha se janë shumë afër mbajtjes së kësaj seance edhe në godinën e Kuvendit, ku do të formalizojmë misionin tonë.

“Për të jetësuar këto projekte madhore, për të ardhmen tonë europiane, ju duhet që më 24 prill dhe 8 maj të votoni opsionin e vetëm progresiv, Presidentin Europian dhe deputetët e Frontit Europian!”, deklaroi Sela.

Në seancë të improvizuar, Ali Ahmeti shpall Ziadin Selën kryetar të Kuvendit të RMV-së

Në seancë të improvizuar të Kuvendit në hotel “Aleksandar Palace” në Shkup, Fronti Europian zgjodhi për kryetar Kuvendi Ziadin Selën, përcjell TV21. Seanca e improvizuar u udhëheq nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

https://www.facebook.com/TV21Videos/videos/731348002545596/?ref=embed_video

“Konstatoj se me 120 “për”, deputeti Ziadin Sela është zgjedhur kryetar i Kuvendit të RMV-së. Më lejoni që në emrin tuaj dhe në emrin tim, deputetit Ziadin Sela të ia uroj zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të RMV-së dhe i uroj suksese në punë”, tha Ahmeti, pas çka Sela bëri edhe “betimin” e improvizuar.

Osmani: Ndryshimet kushtetuese paraqesin fitoren të madhe

Kandidati për president i Frontit Evropian, Bujar Osmani gjatë improvizimit të seancës parlamentare ku ai u zgjodh për president nga ana e Kuvendit tha se ndryshimet kushtetuese dhe ndarja e komunitetit bullgar dhe maqedonas paraqet fitoren më të madhe në historinë e popullit maqedonas.

“Për komunitetin maqedonas sepse për herë të parë në dokumentin më të lart shtetëror sepse për herë të parë komuniteti bullgar dhe komuniteti maqedonas as shkruhen si dy komunitete të veçanta dhe kjo njëherë e përgjithmonë i ndalë dilemat dhe interpretimet e ndryshme mbi çështjet e identitetin dhe kjo është fitorja më e madhe në historinë e komunitetit maqedonas”, tha Bujar Osmani, Kandidat për president. /Alsat.mk

Gjermania arreston dy persona nën dyshimin se spiunonin për Rusinë

Dy gjermano-rusë janë arrestuar në Gjermani nën dyshimet për spiunazh. Njëri prej tyre akuzohet se është pajtuar të kryejë sulme ndaj caqeve potenciale, përfshirë edhe ndaj ndërtesave të ushtrisë amerikane, me qëllim që të sabotohet ndihma për Ukrainën, thanë prokurorët më 18 prill.

Të dyshuarit, të identifikuar si Dieter S. dhe Alexander J., u arrestuan të mërkurën në qytetin Bajrojt të Bavarisë, thanë prokurorët federalë.

Prokurorët thanë se Dieter S. kishte diskutuar për akte të mundshme sabotuese në Gjermani me një person të lidhur me inteligjencën ruse që nga tetori, dhe se qëllimi kryesor ishte të minohej mbështetja ushtarake që Gjermani jep për Ukrainën. I dyshuari ishte deklaruar i gatshëm që të kryente sulme me bomba dhe zjarrvënie ndaj infrastrukturës të përdorur nga ushtria dhe ndërtesat industriale në Gjermani, thanë prokurorët përmes një deklarate.

Ai kishte mbledhur informacione lidhur me caqe potenciale, përfshirë edhe ndaj ndërtesave ushtarake të SHBA-së, thanë prokurorët. Sipas tyre, Alexander J. supozohet se i ka ndihmuar atij që këto sulme t’i kryente më vonë. Dieter S., po ashtu, sipas prokurorëve kishte bërë fotografi dhe video të pajisjeve ushtarake dhe ndërtesave dhe ia kishte dorëzuar këto informacione kontaktit të tij në inteligjencën ruse.

Dieter S. po ashtu përballet me një akuzë tjetër, përkatësisht për pjesëmarrje në një njësi të armatosur të separatistëve pro-rusë në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës. Ai dyshohet se kishte qenë anëtar i kësaj njësie nga dhjetori i vitit 2014 deri në shtator të vitit 2016.

Ndryshe, Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe – pas Shteteve të Bashkuara – e armëve për Ukrainën, pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj mbi dy vjet më parë. SHBA-ja, ndërkaq, ka prani të madhe ushtarake në Gjermani.