Aksident me dy të vdekur, viktimat janë vjehrra dhe nusja

Një aksident me pasojë dy të vdekur u shënua mbrëmjen e kësaj të shtune në Durrës.

Një makinë tip “Bmw” mori përpara dy gra, të cilat po ecnin anës rrugës.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr.17 në Durrës, ku një 22-vjeçar me mjetin e tij aksidentoi me pasojë vdekje dy këmbësoret.

Si pasojë e dëmtimeve të marra gjetën vdekjen e menjëhershme Sabrije Cufaj 38 vjeçe dhe vjehrra e saj Bukurje Cufaj 56 vjeçe.

Dy gratë ishin duke ecur në rrugë, pranë banesës së tyre, në momentin që u përplasën nga i riu i cili nuk arriti që të kontrollonte mjetin.

Nga ana e policisë u bë shoqërimi i 22-vjeçarit dhe arrestimi i tij, teksa hetimet janë në vijim për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë ditën e sotme banorët dolën në protestë, duke kërkuar që të ndërhyhet në rrugë, për shkak të rrezikut që u kanoset, nga mungesa e sinjalistikës.