Incizuan femrën në motel dhe e shantazhuan me 500€, një muaj paraburgim për dy persona

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurve me iniciale F.B. dhe A.H., që të dy nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shantazh” dhe veprës penale “fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.
Masa e paraburgimit do t’iu llogaritet prej momentit të arrestimit, datë 15.10.2018 prej orës 13:10 dhe do të zgjasë deri në datën 15.11.2018.

“…Sepse me datën 14.10.2018, rreth orës 19:30 minuta, në motelin ‘Tini’ në Prizren, të pandehurit me iniciale F.B. dhe A.H. duke vepruar në bashkëveprim dhe koordinim në mes vete, dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete pajtohen që i pandehuri me iniciale F. ta takojë fillimisht të dëmtuarën në qytet dhe pas insistimeve të shumta arrin ta bind që të shkojnë në motel, përderisa ishin marrë vesh i pandehuri me iniciale F. me të pandehurin me iniciale A. që të xhirojnë skenën fshehurazi, të cilën më pas i pandehuri F. e kishte shfrytëzuar për t’i bërë shantazh të dëmtuarës duke i kërkuar të njëjtës që t’ua paguajë të pandehurve shumën prej 500 (pesëqind) euro duke e kanosur seriozisht përmes sms-ve nga rrjeti “SnapChat” se nëse nuk i paguan shumën e kërkuar, do t’i publikojnë videon intime, e cila video të dëmtuarës do t’ia dëmtonte rëndë nderin dhe autoritetin”, ka përfunduar Themelorja e Prizrenit.