Komuna e Gostivarit u binjakëzua me Komunën Kilis të Turqisë

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe kryetari i komunës Kilis të Republikës së Turqisë, Hasan Kara, sot nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim dhe binjakëzim të dy komunave mike.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në një konferencë të përbashkët për shtyp, Taravari dhe Kara theksuan se dy komunat obligohen që në bazë të respektit të mirëfilltë reciprok, të vendosin forma të ndryshme të bashkëpunimit, shkëmbim idesh mbi realizimin e projekteve me interes të përbashkët në sferat e ekonomisë, kulturës, arsimit, turizmit, sportit, mbrojtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

Ajo që ra në sy, ishin kollaret identike të dy kryetarëve, me ç’rast Taravari shpjegoi se e njëjta gjë ndodhi edhe gjatë vizitës së kryetarit të komunës Sveta Nedelja të Kroacisë dhe se synon që kjo të shndërrohet në traditë, që në shenjë respekti të ndërsjellë gjatë takimeve me kryetarët e komunave të binjakëzuara të veshë kollare identike me mysafirin.

Mysafirët nga Turqia, për t’ia uruar njëvjetorin e menaxhimit të suksesshëm të kryetarit të Komunës së Gostivarit, i kishin përgatitur atij si surprizë, torte me një qiri.