Kryetarja e komunës së Tetovës ju uron Vitin e Ri 2019

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar të pranishëm dhe përfaqësues të mediave,

Më lejoni t’ju shpreh kënaqësinë time që sot qëndroj përprara jush për të dëshmuar rreth punëve të cilat i bëmë në vitin që po lëmë pas, por edhe për sfidat që na presin në vitin që vjen.
Para një viti fitova për të dytën herë besimin e bashkëqytetarëve të mi për të vazhduar rrugën dhe vizionin e ndryshimit për Tetovën. Vizion ky që kërkon konsistencë në vlerat dhe bindjet e veprimit institucional, i cili paraqet një pikënisje dhe drejtim të shëndoshë, mbi të cilin duhet të punohet në vitet, por edhe në dekadat që vijnë. Kur morra përgjegjësinë për të udhëhequr sërish komunën e Tetovës, isha e vetëdijshme për sfidat, problemet por edhe për mundësitë që kemi drejt një zhvillimi të përgjithshëm dhe të qëndrueshëm të qytetit tonë. Një menaxhim i mirë me qytetin do të thotë të kuptosh nevojat e qytetarëve dhe të udhëheqësh duke respektuar pritshmëritë e tyre.
Sigurisht që për këto 5 vite ne nuk zgjodhëm të gjitha problemet e Tetovës, sepse ato ishin të shumta dhe të grumbulluara me dekada. Por padyshim që arritëm të adresojmë dhe zgjidhim disa prej tyre, dhe jemi në rrugë të mirë që edhe sfidat që mbeten përpara nesh t’i përmbushim dhe realizojmë përfundimisht.
Ne nuk zgjodhëm për tua imponuar qytetarëve perceptimin se problemet e mëdha zhbëhen përmes zgjidhjeve gjysmake dhe afatshkurtëra, por sfiduam veten me shumë punë për të përmbushur përgjegjësinë që e kemi dhe për të justifikuar të drejtën e qytetarëve tanë për të shpresuar në një të ardhme më të mirë, dhe institucionin komunë i cili u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të tyre, por edhe nevojave zhvillimore të kohës në të cilën jetojmë.
Koha në të cilën jetojmë na bën shpesh të mos kemi durimin e duhur, i cili është më se i nevojshëm, nëse dëshirojmë të jetojmë frytet e një mirëqenie kolektive të cilën padyshim e sjell puna dhe përkushtimi i palodhshëm!
Bashkë, ishim dëshmitarë të shumë ndodhive dhe tranzicioneve të shpejta politike në vendin tonë. Ndryshime këta, që ndikuan edhe në punën e komunave, por që në këtë mandat të ri, përmes një bashkëpunimi korrekt me pushtetin qendror, në të ardhmen e afërt do të sjellin benefitet dhe rezultatet e shumëpritura.
Këtë vit ne filluam dhe finalizuam disa nga projektet infrastrukturore të cilat janë shumë të rëndësishme për funksionimin e përgjithshëm të qytetit. Arritëm të asfaltojmë dhe rikonstruojmë rrugën Murat Baftijari, me vendosjen e ndriçimit publik, ndrimin e tërësishëm të rrjetit të ujësjellësit, si dhe vendosjen nëntokësore të rrjeteve elektrike dhe të telekomunikacionit. Në pranverën e vitit që vjen do të finalizojmë edhe rregullimin e trotoareve të kësaj rruge, e cila ka një rëndësi të veçantë ekonomike për qytetin, si qendër e veprimtarive artizanale. Paralelisht me këtë përfunduam edhe Urën e Kazazëve që lidh 2 anët e lumit Shkumbin dhe sot është një vlerë e shtuar për sa I përket qarkullimit sa më efikas të automjeteve dhe qytetarëve në këtë pjesë të qytetit.
Duke respektuar të drejtën e qytetarëve për shtigje të sigurta kalimi, realizuam rikonstruimin me pllaka bekatoni të trotoareve në afërsi të shkollës së mesme Tekstile, një pjese të bulevardit qendror dhe bulevardit Bllagoja Toska. Gjithashtu vendosëm edhe ndriçim publik, ulëse dhe kosha për mbeturina. Brenda vitit që lëmë pas, vendosëm më shumë se 500 shtylla hekuri në rrugët qendrore të qytetit me të cilat kthyem trotoaret dhe shtigjet e kalimit në shërbim të këmbësorëve.
Në kuadër të investimeve infrastrukturore filluam ndërtimin dhe hapjen e rrugës në bllokun 4 në lagjen Drenovec, me ndriçim publik dhe kanalizim atmosferik.
Një nga projektet më të rëndësishme është edhe fillimi i ndërtimit të urës në rrugën Shipkovicë-Brodec, projekt ky në vlerë prej 7.5 milionë denarë, që financohet pjesërisht nga Byroja për Zhvillim Rajonal dhe kofinancim nga Komuna e Tetovës.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor nënshkruam kontratën për ndarje të mjeteve financiare në lartësi prej 5 milion denarësh, me të cilat do të bëhet projektimi dhe përgaditja e dokumentacionit teknik, për ndërtim të sistemit të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave të zeza në fshatrat e malësisë së Tetovës.
Që të kemi qytet funksional dhe me një mentalitet të shëndoshë urban i cili i bindet komoditetit kolektiv dhe jo atij individual, ne brenda këtij viti arritëm të ngrisim institucionalisht veprimin e Inspektoratit të Komunës së Tetovës. Duke dashur që veprat të flasin me numra konkretë, sot me shume krenari dhe modesti të rezervuar them që ky sektor komunal brenda një viti arriti të kryejë një numër të madh të kontrolleve në lemitë e inspektimit komunal, mbrojtjes së mjedisit jetësor, ndërtimit, mbarrëvatjes së procesit edukativo-arsimor dhe inspektimit rrugorë. Brenda vitit, ky sektor kreu me sukses mbi 471 inspektime, shqiptoi 113 dënime, inicoi 22 procedura për kundërvajtje dhe 35 ndalesa veprimi. Një bilans i tillë i punës i cili lë për të dëshiruar, është padyshim rezultat i një mentaliteti tash më të pjekur institucional, që njeh profesionalizmin dhe qasjen joselektive si vlera të vetme me të cilat mundemi ta duam, dhe njohim si shembull qytetin dhe komunën tonë!
Gjithashtu dua të theksoj se brenda këtij viti, Sektori për urbanizëm dhe menaxhim të tokës ndërtimore ka procesuar mbi 16000 lëndë, që janë në funksion të zhvillimit të mirëfilltë dhe të qëndrushëm urban. Një planifikim korrekt urbanistik është padyshim parakushti kryesor mbi të cilin duhet të mbështetet zhvillimi dhe rritja e një qyteti me tendeca të theksuara ekspanzive si Tetova.
Në drejtim të zhvillimit social, arsimor dhe kulturor të qytetit tonë më lejoni të cek disa nga projektet më të rëndësishme që ndikuan dhe nxitën zhvillimin e përgjithshëm shoqëror dhe human të komunës së Tetovës. Arsimi është metodë fundamentale dhe e vetme e progresit dhe reformimit shoqëror prandaj ne i kemi kushtuar kujdes të veçantë përmirësimit të infrastrukturës së shkollave tona si dhe modernizimit dhe profesionalizimit të kuadrove dhe ngritjes së cilësisë të arsimit. Nxënësit dhe profesorët e shkollave të mesme të Tetovës si asnjëherë më parë kishin mundësinë për të marrë pjesë në projektet e programit Erasmus+, që ndikuan në përvetësimin e përvojave ndërkombëtare, ngritjen e cilësisë së arsimit, shkëmbimin e njohurive si dhe avancimin e metodologjive mësimore.
Një tjetër parim të cilin ne e besuam dhe të cilit i qëndruam plot bindje, është politika jo selektive dhe pa kompromise hatresh për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme. Një politikë që u rezistoi tundimeve dhe u dëshmua si e suksesshme sepse ndikoi në rritjen e numrit të nxënësve në shkollat e mesme profesionale të cilat janë shumë të rëndësishme për tregun e punës. Nxënësit tanë, tani më kryesojnë listat e çmimeve në garat rajonale, nacionale dhe ndërkombëtare, dhe janë pjesëmarrës aktiv të shumë programeve ndërkombëtare në vende si: Gjermania, Sllovenia, Çekia, Spanja, Zvicra, Turqia etj.
Paralelisht me investimin në kapacitet njerëzore të mësimdhënësve dhe nxënësve, vazhduam me investimet kapitale në infrastrukturën shkollore, që janë parakusht i një zhvillimi të përgjithshëm të procesit edukativo-arsimor. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, filluam vitin e ri shkollor me 25 milion denarë investime kapitale në ifrastrukturën e objekteve shkollore. Duke u nisur nga imperativi i kohës, digjitalizuam procesin mësimor dhe pajisëm shkollat me 100 projektorë dhe smart boarde që janë sot në shërbim të nxënësve tanë.
Në Gjimnazin 7 Marsi, ndërtuam 2 amfiteatre të mësimdhënies, kurse në fshatin Shipkovicë jemi në përfundim të sallës së sportit në kuadër të shkollës filllore Rexhep Voka. Në fshatin Xhepçisht hapëm qendrën për zhvillim të hershëm fëmijëror në kuadër të Çerdhes Rinia e cila për momentin ka në përkujdesje 50 fëmijë të moshës parashkollore, dhe përfunduam punët ndërtimore në qendrat për fëmijë në fshatrat Brodec dhe Gajre.
Duke besuar në paradigmën univerzale se një trup i shëndoshë i shërben një truri të shëndoshë, më shumë se 2000 nxënës nga shkollat tona morrën pjesë aktive në garat sportive shkollore! Për ta përmbyllur këtë kapitull që njeh fëmijë të shëndoshë si parakusht të një ardhmërie të sigurtë, furnizuam me pastrues të ajrit të gjitha çerdhet dhe mësojtoret e klasave të para në Komunën e Tetovës

Në drejtim të mbrojtjes sociale, angazhuam 20 asistentë personal për fëmijët me pengesa në zhvillim dhe mbështetëm funksionimin e qendrës së fëmijëve me autizëm.
Tetova gjithmonë ka pasur potencial të madh kulturori cili nuk ka mundur të del në shesh në mungesë të përkujdesjes institucionale. Komuna tash më i ka dyert e hapura ndaj artistëve tanë, ideve dhe projekteve të tyre. Ne kemi përkrahur projektet dhe veprimtarinë e tyre artistike dhe kemi organizuar shumë ngjarje kulturore të cilat dëshirojmë të mbeten tradicionale me qëllim të forcimit të identitetit kulturor të qytetit tonë . Në kuadër të angazhimit tonë institucional në fushën e veprimtarisë publike, këtë vit realizuam me shumë sukses dhe kolorit artistik edicionin e 6-të me rradhë të festivalit “Vera e Kulturës Tetovare“ dhe manifestimit “Tetova Feston Nëntorin“. Një koncept inkluziv kulturor dhe artistik i cili mundëson skenë të hapur për të gjithë artistët vendas që duan të performojnë dhe zhvillojnë mjeshtëritë e tyre bashkë me yjet dhe interpetuesit më të spikatur brenda dhe jashtë kufijve të vendit!
Para plot 5 viteve trashëguam një Ndërmarrje publike në prag të falimentimit, punëtorë që me muaj të tëra nuk kishin marrë pagat e tyre dhe një qytet lider në papastërti, të zbehtë nga pluhuri dhe të zhytur në mbeturina. Tetovën e gjetëm me një deponi të egër në hyrje të qytetit, e cila sot është një hapësirë e gjelbër, ashtu si e mbanin mend shumë vite më parë. Sot kjo ndërmarrje ka arritur të shlyej 50% të borxhit të trashëguar, dhe me mjete vetanake ka blerë 7 kamionë për bartje të mbeturinave dhe ka pranuar donacione në mekanizim, paisje dhe kontanjerë për mbeturina. NPK me sukses vijon projektin me KWB Bankën duke vazhduar intstalimin e orëmatësve digjital të ujit, dhe brenda vitit 2018 arriti të mirëmbajë në gjendje të rregullt sistemin e ujësjellësit duke sanuar me sukses 350 defekte të paraqitura nga ana e qytetarëve. Vlenë të theksohet fakti se këtë vit kjo ndërmarrje furnizoi 150 kontejnerë nga buxheti vetanak, dhe vazhdoi me mirëmbajtjen dhe rregullimin e hapësirave të gjelbëra, si dhe grumbullimin dhe transportin e mbeturinave nga vendbanimet rurale dhe sub-urbane si Reçica e Madhe, fshatrat Poroj, Xhepçisht, Saraqinë, Shipkovicë, Gajre, Rasadisht, Sellcë dhe Llacë, me një sasi mesatare 50 mijë ton hedhurina në vit.
Tetova si qendër e një mendësie tani më të dëshmuar intelektuale dhe progresive, padyshim që ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në këtë drejtim Sektori për Zhvillim Ekonomik Lokal në Komunën e Tetovës në vitin 2018 aplikoi në të gjitha thirrjet për fonde të kthyeshme dhe të pakthyeshme ndërkombëtare dhe vendore. Mes tyre dua të numëroj vetëm disa nga projektet infrastrukturore dhe sociale si që janë: Faza e 3-të e ndërtimit të rrugës Shipkovicë-Brodec në vlerë prej 20 milion denarëve, Ndërtimi i rrugës Kryesore në fshatin Saraqinë me vlerë 20 milion denarë, Ndërtimi i qendrës për piknik në Banjën e Tetovës me vlerë 15 milion denarë, si dhe funksionalizimi i Qendrës Socio- Kulturore për të rinjë në hapësirat e ish Radio Tetovës, që në bashkëpunim me shoqatën Democracy Lab arritëm ta transformojmë në një çerdhe kreativiteti dhe zhvillimi rinor, që tash më disa muaj është nikoqire e shumë aktiviteteve kulturore dhe artistike në qytet.
Viti që vjen padyshim që do ta gjejë Komunën e Tetovës më të relaksuar në kuptim të borxhit të trashëguar, dhe shumë më efikase në realizimin e projekteve që janë në të mirën e qytetarëve. Vendimi i Qeverisë për të shlyer 51% të borxheve të komunave, është një mundësi të cilën asnjëherë nuk e patëm, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi të cilën duhet me shumë seriozitet ta kuptojmë.
Komuna e Tetovës do tentojë edhe më tej që përmes zvogëlimit të obligimeve afatgjate të ndikojë pozitivisht në aftësinë e saj për kredimarrje, të rris përqindjen e të hyrave të realizuara për banor si dhe të përforcojë kapacitetet vetanake për administrim me resurset finansiare, me qëllim të zvogëlimit të varësisë nga transferet e pushtetit qendror.
Duke besuar në vlerat e qytetarisë aktive dhe të një shoqërie të shëndoshë e cila vet vendos fatin dhe rrugën e sajë, këtë vit promovuam konceptin e “Ditëve të Hapura” në Komunën e Tetovës. Qytetarët për të parën herë, kishin mundësinë të dëgjojnë propozimet e sektorëve komunal, dhe njëkohësisht të parashtrojnë kërkesat e tyre, të cilat ne u munduam ti transformojmë në projekte reale dhe zëra buxhetor për vitin 2019!
Këtë praktikë të transparencës institucionale dhe vendimarrjes aktive të qytetarit, ne do ta aplikojmë dhe avancojmë edhe më tutje, shumë herë brenda vitit, për të siguruar një vlerë dhe moment shumë të dëshiruar të praktikës demokratike, përmes të cilës politikat komunale do të reflektojnë nevojat dhe prioritetet reale të qytetarit, të cilit ne i shërbejmë.
Viti 2019 do ta gjejë Tetovën me Bulevarde dhe rrugë të reja. Banka Botërore miratoi projektin për vazhdimin e bulevardit të rrugës Industriale në gjatësi prej 670 metra, që do të depërtojë përmes Qendrës sportive deri tek Kazerma e Qytetit për të shkarkuar sadopak trafikun e ngarkuar brenda qytetit. Gjitashtu do të vazhdojmë depërtimin e bulevardit Blagoja Toska për të cilin në fazën e parë jemi në përfundim të procesit të eksproprimit.
Për funksionalizimin e Ndërmarrjes Komunale për Transport Publik kemi aplikuar në programin MSIP-2, përmes të cilit do të furnizojmë 6 autobusë me standarde bashkëkohore ekologjike. Kështu Tetova përfundimisht do të bëhet me transport të organizuar publik, që padyshim do të reduktojë efektet negative të ndotjes së ajrit ambiental dhe trafikun e stërngarkuar në qytet, duke ofruar kështu një alternativë qarkullimi ekonomikisht të volitshme për të gjithë qytetarët.
NPK Tetova vitin që vjen, do të fillojë ndërtimin e Qendrës së mbyllur për seleksionim sekondar të mbeturinave, që pritet rrisë rentabilitetin ekonomik të ndërmarrjes si dhe kualitetin e shërbimeve komunale për qytetarët!
Këtë vit filluam edhe iniciativën për hartimin e planit gjeneral urbanistik, që do të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit dhe zgjërimit urban të qytetit për 50 vitet e ardhëshme!
Përpos këtyre projekte shumë vitale për Tetovën, jemi në përfundim të projektit ideor për gasifikim, ku në tetor të vitit 2019 pritet të përfundojë edhe projekti themelor për gjithsej 25 km rrjet sekondar brenda qytetit, realizimi praktik i të cilit parashihet të fillojë në vitin 2020!
Në emrin tim dhe në emrin e qytetarëve të Tetovës dëshiroj të falënderoj të gjithë sektorët e administratës së komunës së Tetovës për punën e palodhshme, vullnetin dhe përkushtimin për t’i realizuar këto rezultate. Falënderoj këshillin komunal, udhëheqësinë dhe punëtorët e Ndërmarrjeve publike dhe Njësisë Teritoriale Kundër Zjarrit, që për çdo ditë punojnë që ky qytet ta ketë hijen dhe bukurinë që e meriton!
Tetova është qyteti që duam, përmes të cilit mund të njohim vetveten, vetëm duke punuar për të bashkë, dhe me shumë dashuri e përkushtim. Qyteti në të cilin sot jetojmë betejën e përditshmërisë, dhe ëndërrojmë për ardhmërinë e fëmijëve tanë!
Në fund dua ta përmbyll fjalën time duke shprehur uratat dhe dëshirat më të sinqerta për të gjithë JU. Uroj që vitet që vijnë të jenë më të suksesshme dhe më të begata nga ato që lam pas!
Ju Falenderit!

Projektet e realizuara për vitin 2018

Geplaatst door Teuta Arifi op Vrijdag 28 december 2018