Me kokainë dhe armë, Stresi u kap në hotel me një femër

Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i cili për fansat njihet si Stresi, u arrestua këtë të mërkurë nga policia i kapur me kokainë dhe armë.

Prangosja e tij u bë në një hotel në zonën e Linzës, në periferi të Tiranës.

Në momentin e arrestimit ai ndodhej në hotel me një vajzë 20-vjeçare me inicialet P.Ç.

Nuk dihet se kush është vajza në fjalë e cila gjithashtu po hetohet nga policia për “Moskallëzim krimi”. Nga ana tjetër Stresi është i fejuar zyrtarisht me Kejsin, vajzën të cilën e ka bërë edhe pjesë të mediave, ku kanë rrëfyer historinë e tyre të dashurisë.

Policia tha zyrtarisht se Forca e Ligjit në veprim vuri në pranga një nga anëtarët e një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta”, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.

Stresi akuzohet për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe të municioneve” si dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit” .

Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme filloi procedimi penal në gjendje të lirë në lidhje me veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal ndaj shtetases P. Ç., 20 vjeçe, banuese në Tiranë.