Në shpellën ku askush nuk ka shkelur më parë

Tre muaj më parë, tre të rinj vendosën që të shkelin në një territor të panjohur më parë; në thellësitë e Shpellës së Ariut.

Me të tillë emër njihet nga banorët shpella e lashtë në fshatin Velçan të njësisë administrative Mokër të Pogradecit.

Njëri prej personave që ka hyrë në këtë shpellë është Bledi Lufo. Ai dërgoi tek Top Channel fotot e shkrepura në brendësi të shpellës.

“Asnjëherë nuk kishte hyrë në thellësi njeri. Pasi jemi futur 3 veta brenda jemi mahnitur”, thotë ai.

Fotot janë shkrepur në një thellësi deri 60 metra dhe vetë të personat që e zbuluan këtë shpresojnë që shpella të shpallet “Monument Kulture”.

“Ndoshta shteti vendos dorë e ta shpallë monument kulture, sepse dhe zona ku kjo shpellë gjendet është parajsë natyrore në lartësinë prej 1150 m mbi nivelin e detit”, thotë Bledi Lufi.