19/04/2024
2.7 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 20

Sela nga Dibra: Betejën e kemi me VMRO-në, jo me opozitën shqiptare

Fronti Europian hapi shtabin për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në qytetin e Dibrës. Të pranishëm ishin Kryetari i ASH, Ziadin Sela, dhe kandidatët e tjerë për deputetë të zonës së V-të zgjedhore, Musa Xhaferi, Arbana Pasholli, Ismail Jahoski.

Ziadin Sela në fjalën e tij tha se Fronti Europian do të jetë fitues absolut në këto zgjedhje dhe në këtë frymë do të vazhdojmë edhe në të ardhmen që të bashkojmë Dibrën.

“Nëpërmjet Frontit Europian i’a kemi mësyer kufirit dhe Dibrën do e bëjmë bashkë në Bashkimin Europian. Fronti Europian betejën politike nuk e ka me opozitën shqiptare, por me VMRO-DPMNE-në sepse ata nuk i duan ndryshimet kushtetuese”, tha Sela.

Musa Xhaferi potencoi se opozita shqiptare nuk ka kapacitet që të shtyjë procese të mëdha.

“BDI pastaj ASH si dy parti që kishin më shumë mandate dëshmuan se kanë vullnet politik, për të krijuar Frontin Europian një front i nevojshëm për t’i bërë një shtytje vendit drejt BE-së. Ne si front, jemi treguar solidar duke i kyçur edhe partitë e komuniteteve tjera që të gjithë së bashku të jemi pjesë e BE-së”, tha Xhaferi.

Arbana Pasholli shtoi se Fronti Europian nuk është vetëm bashkimi i partive politike por është frymë dhe standard që promovon bashkëjetesën.

“Fronti Europian nuk është vetëm bashkimi i partive politike por është frymë, është standard që promovon bashkëjetesën dhe kjo dëshmon që kemi lënë të shkuarën dhe shikojmë të ardhmen dhe e ardhmja jonë është në BE”, vlerësoi Pasholli.

Ndërkaq, koordinatori i Zonës së V-të Kreshnik Bekteshi tha se gara e Frontit Europian është garë me forcat destruktive të udhëhequra nga VMRO-DPMNE-ja dhe nuk është garë mes Frontit Europian dhe opozitës shqiptare.

Pas arrestimit të gazetarit kanë reaguar shoqatat e gazetarëve, SHGM-ja dhe Sindikata, të cilat kërkojnë lirimin e menjëhershëm

Pas arrestimit të gazetarit Furkan Saliu, kanë reaguar shoqatat e gazetarëve, SHGM-ja dhe Sindikata, të cilat kërkojnë lirimin e menjëhershëm të gazetarit të PortaliX, ndërsa Ministria e Brendshme të bëjë të ditura arsyet e arrestimit të tij.

“SHGM-ja dhe Sindikata e Gazetarëve apelojnë që çështja të zbardhet menjëherë, të mos cenohen të drejtat e kolegut Saliu dhe të mos e përdorin partitë politike në betejat e tyre ditore politike dhe për qëllime partiake të fushatës zgjedhore”, thuhet në kumtesën e organizatave të gazetarëve.

Një automjet me targa austriake në rrugën e Kodrës së Diellit ka dalë nga rruga, drejtuesi humb jetën

MPB njofton se gjatë ditës së sotme në afërsi të fshatit Rasadishte në Tetovë, rreth orës 17:20. Automjeti i pasagjerëve “Renault Megane” me targa austriake, nën drejtimin e E.V., një burri 80-vjeçar nga Austria, ka dalë nga rruga rajonale Tetovë – Kodra e Diellit. Nga aksidenti, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ndërhyrja e shpejtë e ekipit të emergjencës mjekësore nuk ka mundur të shpëtojë jetën e drejtuesit të mjetit. Mjeku i emergjencës ka konstatuar vdekjen në vendin e ngjarjes.

Autoritetet kompetente, përfshirë prokurorin publik dhe ekipin inspektues nga SPB Tetovë, kanë filluar hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit të trishtueshëm.

Arrestimi i gazetarit Saliu, MPB: Janë sulmuar policët, është gjetur një armë,gazetari Furkan Saliu reagon nga stacioni policor, ja çka shkruan

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë dalë me versionin e tyre rreth arrestimit të gazetari Furkan Saliu. Sipas MPB-së, përveç Saliut, janë arrestuar dy persona të tjerë, të cilët sipas tyre dyshohet se kanë sulmuar policinë. Nga MPB shtojnë se në veturën nën pronësi të Saliut është gjetur një armë.

“Sot (04.07.2024) rreth orës 17:00 në stadiumin e futbollit në fshatin Konjare e Mesme, gjatë ndeshjes së futbollit mes K.F. “Konjare” dhe K.F. “Kumanova”, rreth njëzet minuta para përfundimit të ndeshjes, është tentuar që publiku vendas të përleshet me lojtarët mysafirë. Përpjekja u pengua nga ana e shërbimeve dhe ndeshja është ndërprerë. Gjatë intervenimit, pjesëtarët e Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë janë sulmuar nga dy persona. Personat që kanë kryer sulmin janë arrestuar menjëherë dhe është konstatuar se bëhet fjalë për F.S.(33) nga fshati Haraçinë dhe N.J. (26) nga fshati Haraçinë, ndërsa S.B. (40) nga fshati Haraçinë është arrestuar për pjesëmarrje në përleshje. Gjithashtu, rreth orës 18:00, gjatë kontrollit të automjetit të pasagjerëve “Dacia Duster”, në pronësi të F.S., me drejtues F.A.(34) nga fshati Kondovë dhe pasagjer A.R. (21) nga fshati Kondovë, në bagazh u gjet një armë. SPB-Shkup ndërmerr masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Përshëndetje,

Jam Furkan Saliu.

Për shkaqe objektive nuk mund të shkruaj në profilin tim personal. Për momentin po mbahem në stacionin policor në Avtokomandë.

Më vjen keq që me sjelljen time ndoshta kam ndikuar që situata të eskalojë që në fund të përfundoj në pranga. Më vjen keq edhe nëse ju kam deshpëruar juve që keni besuar në punën time. Ju siguroj që unë nuk kam sulmuar polic.

Edhe pse gjithçka ka qenë e xhiruar, policia i ka fshirë materialet në stacion policor.

Sa i përket armës që është gjetur në veturën time… Arma është me leje dhe është gjetur në veturën time. Gjatë arrestimit tim telefoni, çelësat me kanë rënë prej xhepi dhe kameramani im i ka marrë.

Pa urdhër të gjykatës dhe pa qenë unë prezent si pronar i veturës është kontrolluar nga njesiti special.

Vepra e cila më ngarkohet, sulm ndaj nëpunesit policor nuk mban ujë dhe asnjëherë nuk mund të dëshmohet. Faleminderit për përkrahjen dhe shpresoj se do shihemi shumë shpejt.

Arrestohet gazetari Furkan Saliu

Gazetari Furkan Saliu është arrestuar sot nga njësia speciale e policisë, njofton PortaliX.

Sipas raportimit të PortaliX, ngjarja ka ndodhur në fshatin Konjare, pas ndeshjes së futbollit Konjare – K.F. Kumanova, ndeshje në kuadër të Ligës së Tretë të vendit.

“PortaliX konsideron se veprimi i sotëm i njësisë speciale ndaj gazetarit Saliu është tërësisht i dirigjuar dhe tentim qyqar për të ushtruar presion ndaj gazetarisë së lirë të cilën e praktikon PortaliX”, thuhet në reagimin e PortaliX, portal ku është bashkëthemelues edhe Saliu.

Digjet në Shkup billbordi i kandidatit shqiptar për president, reagon koalicioni VLEN: Dihet cila parti ka në radhët e saj kriminelë

Në Shkup është djegur mbrëmë billbordi i kandidatit për president, Arben Taravarit, gjë për të cilën ka reaguar koalicioni VLEN, shkruan Reporteri.net.

Në reagimin e këtij koalicioni thuhet se “dihet cila parti mban në radhët e saj rrugaçë e kriminelë, e dihet se cila parti e përdor pushtetin për të pasuruar veten dhe për të frikësuar popullin”.

Tutje në reagimin e tyre thuhet se koha e frikës ka mbaruar, dhe se ata që e kanë bërë duhet dënuar me ligj.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

Problemeve si ky, po u vjen fundi

Koalicioni VLEN ngre zërin për djegien e një billboardi të kandidatit Arben Taravari, gjatë mesnatës, në Shkup.
Fajtorët duhen dënuar prej ligjit, sepse ata do të dënohen rëndë edhe prej votës. Billboardi menjëherë do të zëvendësohet, mirëpo ata do të humbin.

Sot në orët e mesnatës u njoftuam se ishte vënë flakë te një billboard për kandidatin Arben Taravari në rrugën pranë Kopshtit Zoologjik, në Shkup. Ne do të dëshironim të besonim se është aksident, por billboardi në anën tjetër nuk ishte prekur aspak.

Dihet cila parti mban në radhët e saj rrugaçë dhe kriminelë, dihet se cila parti e përdor pushtetin për të pasuruar veten dhe për të frikësuar popullin.

Koha e frikës ka mbaruar.

Ata që djegin billboardet nga inati se po humbin zgjedhjet, duhet të dënohen edhe nga ligji e drejtësia, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Osmani: Rastin “Alfa” do ta falja ditën e parë

“Rastin ‘alfa’ do ta falja ditën e parë”. Ka qenë i prerë në pyetjen e gazetares Jeta Xharra, kandidati i Frontit Europian për president të shtetit, Bujar Osmani, sa i përket kompetencës së presidentit në lidhje me faljet.

“Për shkak se kanë dalur video dëshmi që tregojnë pafajësinë e personit, por ende Këshilli gjyqësore e vonon vendimmarrjen. E di, për shkak se kjo çështje mori edhe eksponim publik, dhe si zv. Kryeministër aso kohe, jam konsultuar se çfarë ka ndodhur dhe në këtë rast mendoj se ky do të ishte vendimi i parë sa i takon faljeve”, ka deklaruar Osmani.

Sali: Ali Ahmeti i ka mbledhur të gjithë horrat në oborrin e tij

Kandidati për deputet nga koalicioni opozitar VLEN, Bekim Sali, në një intervistë për Gazetën LAJM, e ka quajtur të panatyrshëm koalicionin e drejtuar nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Sali ka thënë se Ahmeti, ka tubuar në oborrin e tij, të gjithë ata që deri dje i quante horra.

“Për fat të mirë kësaj radhe të gjithë patericat e BDI-së, të cilat funksiononin në opozitë dhe ishin shpesh shkaktar të përçarjeve, pakënaqësive, të lëvizjeve të çuditshme në opozitë, me qëllim që të mos arrihet ndonjë koalicion dhe mos të arrihet sukses për ta rrëzuar njëherë e përgjithmonë një parti politike e cila e ka kap veçmë shtetin. Sot janë bashkuar, ashtu siç e thotë edhe vetë z. Ahmeti të gjithë horrat, i ka mbledhur në oborrin e tij dhe në mënyrë shumë artificiale mundohen ta funksionaliziojnë atë koalicion. Por, sovranit, votuesit i kujtohen të gjitha akuzat që kanë bërë për njëri tjetrin. Për fat të keq, paturpësisht sot i shohim bashkë duke I ngritur duart, duke përshëndetur njëri tjetrin, duke menduar se ky është një film i cili mund të fshihet e kaluara dhe prej sot të fillojmë një epizodë të re të skenës politike. Do t’ju përkujtoj vetëm akuzën e z.Sela ndaj z.Ahmeti se është i dyshuar apo ka intenca se ai ka marrë pjesë në inskenimin e vrasjes së tij që është një fatkeqësi shumë e madhe. Këtu lidhen edhe akuzat e z.Thaçi se z.Sela është një kriminel ordiner, ka nxitur vrasje, etj. Këto janë akuza që nuk i ngjajnë një politikani serioz”, tha mes tjerash Bekim Sali.

Faton Ahmeti: Në këto zgjedhje garojmë në super ligë

Në atmosferë impozante dhe në prani të qindra qytetarëve, simpatizantëve, aktivistëve dhe eksponentëve të partive nga koalicioni “Fronti Europian”, mbrëmë në Tetovë, Bashkimi Demokratik për Integrim hapi shtabin zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe atyre parlamentare të 8 majit.

Të pranishëm në hapjen e shtabit elektoral në Tetovë, ishin sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti, shefi i shtabit qendror dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, kandidatja për deputete nga radhët e BDI-së, Rina Ajdari, zëvendës ministrja e punëve të jashtme dhe kandidate për deputete nga radhët e PDSH, Fatmire Isaku, kryetari i PDE, Arjanit Hoxha, ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri

Shefi i shtabit qendror të Bashkimit Demokratik për Integrim, Fatmir Besimi informojë për aktivitet e shtabit në nivel qendror dhe për punën e palodhshme dhe të pasuksesshme të shtabeve lokale. Ai foli për rëndësinë e “Frontit Europian” dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në aspektin e integrimit të vendit në BE, dhe bëri thirrje për një fushatë të qetë dhe demokratike.

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti në fjalën e tij tha se po e fillojmë fushatën për Zgjedhjet Presidenciale nga Reçica e Vogël, vendi ku janë marrë gjithmonë vendime të rëndësishme për popullin, dhe do të vazhdojmë edhe më tutje të qëndrojmë përballë çdo stuhie që na e rrezikon të mirën e përgjithshme të të gjithë qytetarëve.

“Sonte po e hapim Shtabin zgjedhor të Tetovës, që do të shërbejë për të koordinuar aktivitetet e degës që do të kemi gjatë fushatës. Zgjedhjet e tanishme janë të rëndësisë së veçantë. Kur i gjithë rajoni po përballet me ndikimin rus dhe të shteteve tjera armiqësore, ne e kemi për detyrë që këtyre problemeve t’u dalim në ballë, ashtu siç ka bërë gjithmonë kryetari ynë, z.Ali Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim gjatë gjithë veprimtarisë politike. Siç kemi qenë garantë të ruajtjes të të drejtave të shqiptarëve, njëjtë do të jemi garantë dhe garantues për të gjitha bashkësitë tjera etnike. Të bëjmë fushat të qetë, të bëjmë fushat me dinjitet… ‘Fronti Europian’ betejën politike në këto zgjedhje, nuk e ka me partitë politike shqiptare. Ne kemi kalua në një ligë tjetër. ‘Fronti Europian’ në këto zgjedhje garon në super ligë. Ne kemi kënaqësinë, kemi privilegjit, që në këtë garë për president të shtetit ta kemi doktor Bujar Osmanin. Ai i cili diti të përfaqësoj në mënyrën më të mirë të mundshme në diplomaci dhe i cili do të jetë presidenti më i mirë i mundshëm i shtetit.”, tha Ahmeti.

Kryetari i PDE-s dhe kandidatë për deputet në njësinë e VI-të zgjedhore, Arijanit Hoxha në fjalën e tij theksoi se “Fronti Europian” jep mesazhin e bashkimit dhe përmbushjes së misionit historik, i cili do kurorëzohet me fitoren e madhe në 24 Prill dhe 8 Maj.

Ministri i Shëndetësisë dhe kandidat për deputet nga radhët e ASH-së, Ilir Demiri tha se duhet të pranojmë urdhrat e liderëve politik që i inkurajojë për punë e madhe që e bënë bashkimin e shqiptarëve për një qëllim më të madh.

“Tejkaluan vetë-vetën, tejkaluan interesat e ngushta partiake për një interes më të madh, për një vizion më të madh ajo është e ardhmja e jonë drejt Bashkimit Europian. Është e lehtë kur ke lider me vizion t’u bashkëngjitësh ideve të tyre. Kërkojmë prej jush të respekton të gjithë njerëzit, vëllezërit tonë dhe t’ua mundësoni dhe të shpjegoni se rruga e drejt është rruga europiane. Për çdo njërin kemi nevojë, mos harroni se edhe ato janë vëllezërit tonë, dhe ato duhet vetëm të binden”, tha Demiri.

Kandidatja për deputete e “Frontit Europian” nga radhët e PDSH-së, Fatmire Isaku potencoi se me pjesëmarrjen në “Frontin Europian”, Partia Demokratike Shqiptare e shpreh përkushtimin e saj në rrugën drejt anëtarësimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian, ku të drejtat dhe vlerat e qytetareve janë në qendër të agjendës politike.

“Të gjithë kemi të drejt, por edhe përgjegjësi të kemi fushat demokratike edhe si qytetar të vlerësojmë se cili prej kandidatëve ka vizion më të mirë për të ardhmen dhe të lëvizim përpara. Presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë një udhëheqës i aftë i përkushtuar për përfaqësimin e interesave të qytetareve të vendit tonë. A i duhet të ketë vizion dhe vendosshmëri për të përshpejtuar proceset e zhvillimit, të promovoj bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të përfaqësoj me dinjitet – vlerat e vendit në skenën botërore. Partia Demokratike Shqiptare mbështet doktor Bujar Osmani si kandidat i ‘Frontit Europian’ i cili përfaqëson një nivel të lartë të përgatitjes dhe kompetencës në fushën e diplomacisë. Me përvojën dhe njohurit e ti, a i është në gjendja të udhëheqë me sukses dhe përballet me sfidat komplekse dhe të adresoj nevojat e qytetareve në nivel europian”, theksoi Isaku.

Shefi i shtabit zgjedhorë në Tetovë, Xhemail Jusufi theksoi se fitorja e madhe e “Frontit Europian” fillon nga Tetova.

“Sonte jemi tubuar jo për të filluar, sepse ne rrugën e fitores tone të madhe e kemi nisur qëmoti, por si parti serioze që jemi, si subjekt që respekton rregullat e Kodin zgjedhor, sonte ne këtu e shpallim zyrtarisht fillimin e fushatës për Zgjedhjet presidenciale e parlamentare 2024. Ne i kemi ndërmarrë të gjitha masat dhe kemi bërë të gjitha veprimet që dega e Tetovës e Bashkimit demokratik për integrim si gjithmonë të jetë modeli që duhet ta ndjekin të gjitha strukturat e partisë sonë”, tha Jusufi.

Ai informoj se shtabi komunal i BDI-së në Tetovë, tanimë ka formuar të gjitha shtabet nëpër çdo këshill vendor.

Mungesë mësimdhënësish në shkencat ekzakte

Mungesa e kuadrit në shkencat ekzakte në shkolla të caktuara fillore ka detyruar drejtuesit e këtyre institucioneve të bëjnë zëvendësime me kuadër jo adekuat. Disa nga drejtuesit e shkollave me të cilët kontaktoi Alsat pranojnë një gjë të tillë por nuk deshën të flasin para kamerës për të sqaruar këtë problematikë. Ruhi Xhila, mësimdhënës i matematikës nga Struga tha se në këtë rast dëmet që pësojnë nxënësit janë të papërshkrueshme dhe afatgjate. Madje, Xhila tha se një detyrë e tillë kurrë nuk duhet pranuar.

“Në qoftë se një kuadër e ndjen veten se është i paaftë dhe pranon të hyjë në procesin edukativo-arsimor jo vetëm që do të bëj dëm, jo vetëm që do të lë njolla për mossukses por do të shkatërrohet tërë ai rrjeti empirik i organizimit të procesit edukativo arsimor. Sepse, trendet e fundit ne na çojnë gjithë këto reforma nga mësimdhënia bashkëkohore. Vet fakti që do të thotë mësimdhënie bashkëkohore në të cilën nxënësit tani po afirmohen si subjekte aktive në procesin mësimor këtu vështirësia dyfishohet për një mësimdhënës i cili nuk është adekuat. Mësimdhënësi jo adekuat nuk mund të arrijë që të nivelizojë kërkesat e programit mësimor, ato janë të pazbërthyeshëm për to”, deklaroi Ruhi Xhila, mësimdhënës.

Ngjashëm mendon edhe mësimdhënësi i shkollës së mesme, Zenafer Bajmak. Ai thotë se pasojat vërehen që fillimet e para të arsimit të mesëm ku nxënësit nuk kanë arritur as njohuritë bazë të një lënde të caktuar. Sipas Bajmak një mësimdhënës i cili nuk ka të paktën metodikën e dhënë për mësimdhënie nuk mund të bëhet pjesë e procesit edukativo-arsimor.

“Nuk mundet që secili të ligjërojë matematikë, biologji ose ndonjë lëndë tjetër, patjetër ai të jetë i kualifikuar dhe të jetë i përgatitur për atë punë. Nëse ai nuk është i përgatitur, ai mund të dijë të zgjidh diçka megjithatë nuk do të dijë se si ta sqarojë. Ky është problemi më i madh i profesionit tonë, nuk është vetëm që unë të di diçka megjithatë ne si mësimdhënës të atyre fakulteteve ushtrojmë edhe metodat dhe mënyrat se si t’ua përcjellim të tjerëve sepse ju mund të jeni njohës i shkëlqyeshëm i asaj problematike megjithatë nuk dini ta përcjellni dhe ora përfundon ndërsa rezultatet mbeten zero”, u shpreh Zenafer Bajmak, mësimdhënës.

Lëndët në të cilat tashmë është paraqitur mungesë e kuadrit janë: matematikë, fizikë, kimi, biologji e të tjera. Interesimi për të studiuar shkencat matematiko natyrore nuk është i kënaqshëm, posaçërisht drejtimet që përfshijnë dhe mësimdhënien. /Alsat