20/04/2024
10.4 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 20

Varheji: Kriteret për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE janë shumë të qarta

Kriteret për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian janë shumë të qarta. Nuk pres ndonjë ndryshim në kuadrin negociator, thotë Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Çështjet e Fqinjësisë Oliver Varheyi në një deklaratë për agjencinë bullgare BGNES.

I pyetur nga BGNES nëse ka ndonjë mundësi për ndryshimin e kushteve që RMV duhet të plotësojë, duke pasur parasysh se një numër i madh i politikanëve maqedonas pretendojnë se mund të ketë ndryshim në Kornizën Negociative për Shkupin, Varheji përgjigjet:

“Kriteret janë shumë të qarta që nga viti 2022, kur u miratua Korniza negociative. Ato duhet të plotësohen dhe në këtë kuptim nuk pres ndonjë ndryshim. Unë nuk mendoj se shtetet anëtare do të duan të rishikojnë ndonjë nga kushtet. Është e qartë se ato duhet të përmbushen. Shpresoj se menjëherë pas zgjedhjeve qeveria e re në Maqedoninë e Veriut do ta marrë përsipër këtë punë dhe ne do të vazhdojmë të përmbushim kriteret”.

Opozita VMRO-DPMNE njoftoi se nëse vjen në pushtet do të pranojë përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë, por me zbatim të vonuar – pas hyrjes së Maqedonisë në BE. Këtë angazhim programor tashmë zyrtar të partisë e bëri të ditur nënkryetari i partisë Timço Mucunski, i cili bëri të ditur se politikës së jashtme lëshuese po i vjen fundi.

Pas kësaj ka reaguar portali bullgar Faktor.bg, i cili i ka bërë thirrje MPJ-së bullgare të mos hesht për “manipulimet parazgjedhore të VMRO-DPMNE-së”.

“Pretendimi i nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së së Maqedonisë se është e mundur të ndryshohet korniza negociuese mes Shkupit dhe BE-së për të shtyrë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit ende mbetet pa reagim nga shteti bullgar dhe partitë politike: As Ministria e Punëve të Jashtme dhe as Presidenca nuk po reagojnë për shtyrjen pa afat të ndryshimit, pa të cilin RMV nuk do të mund të vazhdonte negociatat për anëtarësim në BE”, komentoi ndër të tjera “Faktor”. 

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikoloski në një intervistë për “360 Gradë” javën e kaluar ka folur edhe për atë që thuhet në programin parazgjedhor të partisë, “Platforma 1198”, për ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Pendarovski: Më 24 prill do të vendosen themelet dhe vijat e rezultatit të 8 majit

Stevo Pendarvoski nga Ohri kërkoi mbështetjen e qytetarëve që më 24 prill të vendosen themelet për vazhdimin e politikave pro Evropiane.

Kandidati për president i mbështetur edhe nga LSDM-ja tha nuk duhet besuar në deklarata të pa baza se kush është patriot e kush tradhtar, por duhet parë gjërat nga prizmi i interesit strategjik. Pendarovski tha se rezultatet e para të 8 majit dihen më 24 prill.

Lirohet gazetari Furkan Saliu: Le të dëshmojnë se kam sulmuar ndonjë polic, që nesër më nuk merrem me gazetari

Në këto momente është liruar nga stacioni policor Furkan Saliu. Ai tha se i gjithë rasti ka ndodhur pas një sulmi që është bërë ndaj një djaloshi.
Në prononcim për mediat, gazetari Furkan Saliu tha se arma e tij e gjetur në makinë, është me leje.
“Le ta dëshmojnë se unë kam sulmuar polic dhe unë prej nesër nuk e punojë këtë punë. Le të gjejnë pranga më të mëdha dhe të arrestojnë nëse e dëshmojnë se unë kam sulmuar një polic”, tha Saliu.
Ai tha se ka shumë lëshime dhe do të qojnë këtë punë deri në fund.
Saliu tha se ata që e kanë hapur makinën e tij pa leje dhe pa prezencën e tij do të duhet të përgjigjen, si dhe ata që kanë fshirë video.
Furkan Saliu tha se është ushtruar edhe dhunë fizike.
“Po të mos ishte presioni i madh edhe i medieve, ende do të isha këtu sonte”, u shpreh Furkan Saliu, raporton SHENJA.
Furkan Saliu tha se po të mos ishte politik e gjithë kjo ngjarje. /SHENJA/

Arben Taravari dhe Bilall Kasami sot vizituan Kodrën e Diellit

Së bashku me kandidatin për president z.Arben Taravari sot për vizitë qëndruam në Kodrën e Diellit. Së bashku me afarist, pronarë të lokaleve, hotelierive dhe me banorë të ndryshëm diskutuam mbi zhvillimin e Kodrës Diellit dhe infrastrukturën e saj, e cila fatkeqësisht me dekada e lënë pas dore nga pushteti qendror.
Ndryshimi të cilin ne do e sjellim, sigurisht se do e prek edhe Kodrën e Dielit!

FR-BDI në Tetovë aksion me rastin e 7 Prillit ditës Botërore të Shëndetit

Forumi rinorë i BDI-së në Tetovë sot me rastin e shënimit të ditës botërore të shëndetit 7 Prill, ka organizuar një aksion në sheshin e qytetit të Tetovës duke hapur një pikë kontrolli ku këtij aksioni iu bashkua edhe kandidati për president i BDI-së, doktori Bujar Osmani dhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së Faton Ahmeti.

Me rastin e 7 Prillit, Ditës Botërore të Shëndetit, rinia tetovare e Frontit Europian sot në sheshin e Tetovës hapi një pike kontrolli falas për qytetarët.

Me prezencën e tij na nderoi edhe kandidati i Frontit Europian, Doktor Bujar Osmani, i cili edhe në këtë agjendë të ngjeshur nuk hezitoi që të kujdeset për shëndetin e qytetarëve, ashtu siç ka bërë çdo herë.

I përgëzojmë profesionistët e rinj të shëndetësisë për iniciatvën dhe kujdesin e treguar ndaj qytetarëve.

Padyshim që e ardhmja e këtij vendit janë rinia e shëndoshë dhe aktive!

Afrim Gashi viziton tregun në Kumanovë: Dëgjova hallet e qytetarëve, e mira është se tani ka shpresë

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i cili është edhe bartës në Njësinë e Dytë Zgjedhore për VLEN-in, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka vizituar tregun e Kumanovës, ku është takuar me shumë persona për të dëgjuar brengat dhe hallet e tyre.

“Sot vizitova tregun në Kumanovë dhe dëgjova hallet e shumë shqiptarëve kumanovarë. E përbashkëta që po dëgjojmë si refren, nga Kumanova deri në Strugë, është se shqiptarët duan ndryshim. Lajmi i mirë është se ata tashmë e kanë një adresë – koalicionin VLEN, opsionin e vetëm shqiptar në këto zgjedhje”, ka shkruar Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Mexhiti në Gërçec: Prioritet zhvillimi i mjediseve rurale

Kryetari i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti dhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN sot qëndruan në fshatin Grçec të komunës së Sarajit. Ata takuan fshatarët që merren me bujqësi duke u premtuar atyre se prioritet do të jetë zhvillimi i mjediseve rurale.

“Sot kisha kënaqësinë të qëndroj në fshatin Gërçec, ku edhe takova fshatarët të cilët merren me kultivimin e agrumeve të ndryshme. Biseduam për shumëçka, por ndaluam tek problemet që hasin ata me plasmanin e prodhimeve të tyre por edhe vështirësitë e tjera që hasin te tregu i mallrave ku edhe bëhet dorëzimi i prodhimeve. Folëm edhe për nevojën e subvencionimeve që janë të domosdoshme si masë. Ajo që sot u zotova gjatë bisedës me nikoqirët e mi të Gërçecit është se pikërisht zhvillimin e fshatrave do ta kemi si prioritet e me këtë edhe domosdo të japim mbështetjen e parezervë të bujqve që sado pak të ndihmojmë në rritjen rendimenteve të tyre.”

Nesër eklipsi total diellor që pritet të zgjasë deri në 4 minuta

Më 8 prill 2024, 15:42 ora lokale, miliona njerëz do të kenë mundësi ta shikojnë një eklips total diellor.

Një eklips i plotë diellor do të ndodh më 8 prill në Amerikën e Veriut, duke kaluar mbi Meksikë, SHBA dhe Kanada.

Eklipsi diellor ndodh kur Hëna kalon mes Diellit dhe Tokës duke e kthyer ditën në natë. Ai do të zgjasë për rreth 4 minuta dhe 28 sekonda, pra gati sa dyfishi i kohës së atij që ndodhi më 21 gusht të 2017 në SHBA.

Sipas mediave të huaja pritet që trafiku do të rëndohet për shkak se përveç vendasve miliona njerëz të tjerë priten që të udhëtojnë për të parë këtë fenomen natyror.

“Një eklips total diellor është një nga pamjet më të bukura të natyrës dhe mund të jetë i rrallë kudo në galaktikë”, tha profesori i astrofizikës në Universitetin e Oksfordit, Chris Lintott.

Shkencëtarët e NASA-s janë veçanërisht të interesuar për njohuritë e reja rreth koronës së Diellit që mund të fitohen kur ata dërgojnë aeroplanë kërkimor në një lartësi prej rreth 15 kilometrash gjatë eklipsit.

Korona e Diellit është një mister për shkencëtarët, sepse është qindra herë më e nxehtë se sipërfaqja e Diellit dhe burimi i erës diellore.

Në studimin e këtij fenomeni pritet të marrin pjesë qindra qytetarë, duke matur qetësinë e shpendëve dhe kafshëve të tjera, rënien e temperaturës në Tokë dhe efektin në kanalet e komunikimit.

Aksident i rëndë në Shkup

Një aksident ka ndodhur para pak minutash në në Çairçank të Shkupit. Një veturë me targa të Shkupit është rrokullisur.

Akoma muk ka informacione për të lënduar, ndërsa policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe po heton se si erdhi deri te aksidenti.

Fushatat zgjedhore – më të orientuara kundër të tjerëve, sesa në promovim idesh

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në prill dhe maj të këtij viti.Në mungesë të propozimeve konkrete për zgjidhje problemesh, qytetarët e Maqedonisë së Veriut votën e orientojnë kundër një oponenti politik nëpër proceset zgjedhore.Kështu vlerëson Ida Protuger, dikur gazetare, e cila së fundi punon si trajnere për zhvillim personal.“Në shoqërinë maqedonase përgjegjësia duhet të ushqehet si vlerë”, ka thënë Protuger për Radion Evropa e Lirë.Zgjedhjet presidenciale në këtë shtet do të mbahen në dy runde zgjedhore, më 24 prill dhe 8 maj.Më 8 maj do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.Sipas Ida Protugerit, fushata denigruese bën që dëshira për votë kundër një kandidati të jetë më e fuqishme sesa vota pro ndaj një kandidati tjetër.“Qytetarët e shohin votën kundër si mundësi për t’i dënuar politikanët nga të cilët nuk kanë arritur të sigurojnë jetë më të mirë”, thekson Protuger.Besim Nebiu, njohës i çështjeve politike thekson se fushata me qëllim dëmtimin e kundështarëve politikë realizohet kryesisht në rrjetet sociale, dhe menaxhohet nga vetë shtabet zgjedhore.“Shtabet e partive politike prodhojnë fushatë denigruese ndaj kundërkandidatëve në mënyrë konstante, dhe këto veprime nuk vërehen vetëm nëpër fushata, ato vetëm përforcohen gjatë fushatave. Tani ne mund të shohim se në një hapësirë kohore prej disa muajve kemi fushata denigruese pothuajse nga të gjitha partitë politike”, vlerëson Nehiu, duke shtuar se pret që, gjatë fushatës, partitë politike të kuptojnë se fushata të tilla denigruese për kandidatë tjerë nuk sjellin asnjë dobi.Sipas tij, kandidatët duhet të fokusohen në prezantim të ofertave dhe jo te kundërshtarët politikë.Sead Xhigall, komunikolog linguistik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se partitë politike, në mungesë të ideve, mbeten të robëruar në çështjen e integrimeve evropiane, pavarësisht bllokimit të këtij procesi.“Duket qartë se edhe përmes sloganeve që kanë zgjedhur, si blloku politik në pushtet, ashtu dhe ai në opozitë, qoftë nga tabori politik maqedonas, apo ai shqiptar, qëllim mbetet mobilizimi i ithtarëve partiakë, dhe jo nxitja e simpatisë tek ajo përqindje e lartë që nuk del fare për të votuar”, ka thënë mes tjerash ai.Bashkimi Evropian e ka miratuar formalisht nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në bllokun evropian, mirëpo ende nuk është bërë përparim në atë drejtim.Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, garon edhe për një mandat me propozim të Lidhjes Social-Demokrate me sloganin “Presidenti ynë Stevo”.Kandidatja e VMRO DPMNE-së opozitare, Gordana Siljanovska Davkovska garon me sloganin “Maqedonia sërish krenare”, duke theksuar se angazhohet për “pajtim dhe unitet”, si dhe për “aleanca të reja”, pa saktësuar se cilat janë ato.Kandidati shqiptar, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) garon me sloganin “President evropian”.Arben Taravari, kandidat i koalicionit VLEN, që përbëhet nga katër parti opozitare shqiptare, garon me sloganin “Taravari për president”.Procesi i integrimeve mbetet në fokus të garës edhe për zgjedhjet parlamentare për partitë në pushtet, Lidhjen Social-Demokrate dhe Bashkimin Demokratik për Integrim.Opozita maqedonase, në anën tjetër, synon të përçojë porosinë se identiteti kombëtar është më i sigurt me këtë parti.Lidhja Social-Demokrate garon me sloganin “Nuk ka tërheqje nga e ardhmja”, VMRO DPMNE me sloganin “Maqedonia sërish e jotja – ndryshimet mbeten në duart e tua”, ndërkohë blloku i opozitës shqiptare garon me sloganin “Ndryshimi vlen”.Bashkimi Demokratik për Integrim përmend të ardhmen e vendit si pjesë të familjes evropiane.Fushata për zgjedhjet presidenciale ka nisur më 4 prill dhe do të zgjasë deri më 22 prill, kur fillon heshtja parazgjedhore, e cila zgjat deri më 24 prill – ditën e votimit.Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare do të nisë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj, kur fillon heshtja zgjedhore, e cila zgjat deri më 8 maj.// REL