19/04/2024
4 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 3

Osmani: Fronti Europian është një ide e madhe, të cilës i ka ardhur koha

Kandidati i Frontit Europian, Bujar Osmani sonte në tubim para qytetarëve Kërçovës ka shprehur mirënjohje për liderët e Frontit Europian dhe koalicionin që, siç thotë Osmani, është vazhdimësi e betejave të një pas njëshëm, të thyerjes së kalave të monopoleve etnike.

“Fronti Europian nuk është parti politike. Fronti Europian nuk është as koalicion i partive politike, Fronti Europian është një ide e madhe. Është një ide e madhe të cilës i ka ardhur koha, një ortek i cili ka bërë bashkë ëndrrën e secilit njeri në këtë shtet, për barazi, për drejtësi dhe jetë të begatë në BE. Dhe këtë po e shoh si entuziazëm, si buzëqeshje në çdo vendbanim ku jam duke shkuar, se Fronti Europian është bashkimi i tretë, por tani me një dimension pak më  ndryshe”, theksoi Osmani.

Kandidati i Frontit Europian, Osmani tutje veçoi se ka mbetur edhe një kala e fundit e monopolit etnik.

“Një kala që na brenë të gjithëve dhe na jep gjithmonë atë sinjalin se ende gjithçka nuk është në rregull, ende nuk janë mundësitë e barabarta për të gjithë, dhe ajo është kalaja e presidentit të parë. Andaj vëllezër e motra, unë garoj, që  me 24 prill, ta kuptoni peshën  e këtij misioni, se vota juaj nuk është vetëm për kandidaturën time, vota juaj, mbështetja juaj është për të thyer kalanë e fundit të monopolit entik dhe rrumbullakimin e barazisë së plotë të të gjithë komuniteteve në vendin tonë të përbashkët”, përfundoi Osmani.

Taravari: Do t’ia rikthejmë namin e dikurshëm Kumanovës dhe Likovës

Do t’ia rikthejmë namin e dikurshëm Kumanovës dhe Likovës! Do ta lidhim Kumanovën me Gjilanin dhe Preshevën, do të investojmë në agrobiznes, grante e fermerë. Do ta lidhim Kumanovën me Gjilanin dhe Preshevën, do të investojmë më shumë në agrobiznes, në grante për fermerë dhe në zhvillim ekonomik që rajonit të Likovës dhe Kumanovës t’i rikthejmë namin e dikurshëm në bujqësi dhe prodhimtari. Këto ishin disa nga porositë që kandidati për president, Arben Taravari i përcolli sonte nga Komuna e Likovës. Komunë kjo që ngriti në pushtet BDI-në ndërsa si shpërblim mori vetëm dëm, padrejtësi e keq-qeverisje.

“Në vend se ta privilegjojë e ta zhvillojë, këtë rajon që dikur cilësohej si rajon i krizës, keq-qeverisja e BDI-së e ka zhytur në kriza të shumëfishta. Krizë e ekonomisë dhe e bujqësisë, krizë e papunësisë dhe e migrimit, por edhe krize e sigurisë dhe e rasteve të montuara. Askush më shumë se banorët e kësaj ane nuk i kanë ndjerë në lëkurën e tyre pasojat e keqqeverisjes së BDI-së” theksoi Taravari në fjalimin e tij.

Por, sipas tij kjo gjendje do të marrë fund me votën e vetë qytetarëve, që VLEN dhe do të sjellë ndryshimin e shumë pritur.

“Do të sjellim më shumë drejtësi, fillimisht për rastet e montuara politike, ku do të angazhohemi për drejtësi dhe dëmshpërblim të atyre shqiptarë që janë mbajtur padrejtësisht në burg. Nuk e harrojmë kurrë ushtarin e lirisë dhe banorin e kësaj ane, Rexhail Qerimi, i cili padrejtësisht u mbajt në burg për 13 vite dhe ndërroi jetë në qeli kur dihej botërisht se ai nuk kishte asnjë lidhje me atë për të cilën akuzohej”, theksoi Taravari.

Ndër të tjera, Taravari edhe nga Likova përsëriti se me ardhjen në pushtet të VLEN-it do të ndalohet bixhozi ndërsa do t’i falin borxhet nga kompanitë e kredive të shpejta, të cilat po ashtu the se do t’i mbyllin.

Sot nisi fushata për zgjedhjet parlamentare

Në Maqedoninë e Veriut prej sot nisi fushata për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Po ashtu deri më 22 prill në mesnatë vijon fushatat për zgjedhjet presidenciale.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të zhvillohet edhe gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale qëcdo mbahen më 24 prill.

Qeveria në seancën e djeshme vendosi që datat 24 prill 2024 (e mërkurë) dhe 8 maj 2024 (e mërkurë) të jenë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Një kryeministër për të gjithë”, Fronti Europian zbulon moton për zgjedhjet parlamentare

Pas motos, “President Europian”, me të cilën “Fronti Europian” dhe kandidati i tyre, Bujar Osmani po garojnë për zgjedhjet presidenciale, “Fronti Europian”, sonte ka zbuluar edhe moton për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj, raporton indeks.mk

“Një kryeministër për të gjithë”, do të jetë motoja me të cilën “Fronti Europian” do të garojë në zgjedhjet parlamentare.

Me këtë moto, nën fotografinë e Ali Ahmetit ka vërshuar rrjeti, sepse janë të shumtë ata që e kanë shpërndarë posterin e “Frontit Europian”.

Por i pari që zbuloi moton është zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, njofton indeks.mk

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Grubi pak minuta më herët ka shkruar moton e “Frontit” e cila është e shkruar në posterin në të cilën është fotografia e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Një Kryeministër për të gjithë! ALI AHMETI, VOTO 4”, ka shkruar Grubi./indeks.mk/

Dita e sotme me vranësira dhe reshje me intensitet mesatar, ulen temperaturat

Moti sot me vranësira të ndryshueshme dhe me reshje të kohëpaskohshme të shiut, posaçërisht në pjesët veriperëndimore. Në viset malore reshjet do të kalojnë në reshje dëbore. Do të fryjë erë e dobët deri në të përforcuar nga drejtimi veriperëndimorë. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 3 deri në 9, ndërsa ajo maksimale do të arrij nga 13 deri n 19 gradë.

Në Shkup moti do t jetë me vranësira të ndryshueshme dhe me kushte për reshje shiu. Do të fryjë dhe erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi veriperëndimorë. Temperatura minimale do të ulet në 6, ndërsa ajo maksimale do të arrij në 15 gradë Celsiusë.

Dashtevski: Shkollat do të punojnë të martën, do të mbyllen vetëm ato hapësira me material zgjedhor

Shkollat ​​ku do të votohet për zgjedhjet presidenciale do të punojnë të martën, një ditë para zgjedhjeve. Do të mbyllen vetëm ato hapësira ku do të vendoset materiali zgjedhor.

“Kjo tashmë është rënë dakord dhe mendoj është vendosur në ueb faqe. Ato shkolla do të punojnë, por hapësirat ku do të vendoset materiali zgjedhor do të mbyllen dhe do të sigurohen nga Ministria e Punëve të Brendshme”, deklaroi sot kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Aleksandar Dashtevski.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet të mërkurën e ardhshme më 24 prill.

Për shkak të zbatimit pa pengesë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të planifikuara më 24 prill dhe 8 maj, Qeveria dje mori vendim që këto dy ditë të jenë ditë jo pune dhe të mos punohet.

Prof. Dr. Jusuf Zejneli: Universiteti I Tetovës shënon 30 vjetorin e themelimit

Universiteti I Tetovës shënon 30 vjetorin e themelimit, sot në emisionin e pasditws në Televizionin Koha ishte i ftuar rektori i Universitetit Shtetror të Tetovës për të na treguar për së afërmi në lidhje me aktivitetet që do të shënojnë 30 vjetorin e themelimit të UT sipas rektorit të këtij Univeristeti Prof. Dr. Jusuf Zejneli, viti 2024 është vit jubilar për UT-  sepse këtë vit deri me 17 dhjetor do të realizohen aktivitete të shumta, bashkëpunime, që do ta shënojnë këtë vit jubilar që shënon 30 vjetorin e themelimit. Bartim përgjegjësi  sepse ky universitet është vlerë kombëtare  është dhënë shumë mund, sakrificë dhe gjak për të frymuar shqip, shprehet rektori prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Me 25 prill do të jetë ‘’Dita e hapur” dhe ‘’Panairi I karrierës’ rektori thekson që: ftoj maturantët, të gjithë janë të mirëseardhur që të njihen me shumëllojshmërinë e programeve studimore të akriduara dhe atë ditë në panairin e karrierës do të jenë prezente dhe kompani që studentët do të mund të  kontaktojnë  me përfaqesues të kompanive dhe të shfaqin aftësitë e tyre, kjo do të ju shërbej si një urë lidhëse për krijimin e vendeve të punës. Janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e stafit, administratës dhe studentëve sepse kushtet në UT janë shumë të mira, me salla, parkingje, ambient I gjelbëruar i stilit europian. Kurse, dhe programet studimore, ai thotë që: jemi të shtrirë në 13 fakultete me afro 100 programe studimore në ciklin e parë, 100 programe studimore në ciklin e dytë, dhe jemi në akreditim të studimeve të ciklit të tretë.TV KOHA

FSHF në Tiranë priti takim të nivelit të lartë me presidentët e 11 Federatave anëtare të UEFA-së

Njëmbëdhjetë federata anëtare të UEFA-s nga Europa Juglindore u mblodhën dje në Tiranë, në selinë qëndrore të Federatës Shqiptare të Futbollit, për Mbledhjen strategjike të Federatave anëtare të UEFA-s.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, bashkë me 9 presidentë dhe zëvendës sekretarë të përgjishëm të federatave tjera mikpritën nga Presidenti i FSHF-së dhe zëvendëspresidenti i UEFA-s, z. Armand Duka, derisa mbledhja u fokusua në aspekte kritike të strategjisë së UEFA-s për zhvillimin e futbollit si: formati i ardhshëm i garave të klubeve të UEFA-s pas vitit 2024 dhe programi i ri shoqërues i solidaritetit, diskutimet mbi çështjet e arbitrazhit dhe zhvillimet e ardhshme, krahasimi i të dhënave e analizat në fushën sportive dhe financat dhe eksplorimi i sistemeve të basteve dhe mundësive në zhvillim për vendet pjesëmarrëse.

Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin përfaqësues nga 11 federata kombëtare të futbollit, duke përfshirë Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Qipron, Greqinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Slloveninë, Turqinë dhe Shqipërinë.

Pas prezantimeve të këtyre temave, federatat pjesëmarrëse u thelluan në diskutime në lidhje me të ardhmen e futbollit europian, ku të gjithë pjesëmarrësit shprehën njëzëri mbështetjen e palëkundur për Presidentin Çeferin dhe administratën e UEFA-s.

Dy muaj pritje për një pasaportë maqedonase

Në dyert e Institucionit të Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut për çdo ditë trokasin qytetarët me ankesën se u shkelet e drejta e lëvizjes së lirë për shkak të paaftësisë së institucioneve për të realizuar detyrimet e marra nga Marrëveshja e Prespës, përkatësisht për të organizuar pajisjen me dokumente me emrin e ri kushtetues në afatin e paraparë me ligj – brenda 15 ditëve.

“Të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për dokumente të reja presin më shumë se afati ligjor prej 15 ditësh, i cili është i paraparë me Ligjin për dokumentet personale. Në vazhdimësi marrim ankesa, edhe pse ky numër është në rënie. Qytetarët ankohen se kanë dorëzuar aplikimin para një muaji e më shumë, dhe dokumentet personale si pasaporta, letërnjoftimi apo patenta e shoferit dhe se ato nuk janë gati”, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, institucioni i Avokatit të Popullit.

Një nga ata që tashmë më shumë se dy muaj pret për të marrë pasaportën, është edhe Daniella Nastevska, e cila thotë se rrezikon ta humbë biletën e prerë për të shkuar te vajza në Belgjikë e cila është para lindjes.

“Sapo fillojnë qytetarët të reagojnë, e mbyllin sportelin dhe s’marrim asnjë informacion. Më thonë se akoma nuk është gati, nuk është printuar. Nuk e kuptoj pse duhet aq shumë kohë për t’u printuar. Kam frikë se do t’më digjet bileta e aeroplanit që më nxorën fëmijët. Ndihem aq e pafuqishme, pasi nuk mund ta takoj vajzën në ditët e para që bëhet nënë”, thekson ajo për Radion Evropa e Lirë.

Bashkim Selmani, ligjërues në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tetovës thotë për Radion Evropa e Lirë se me dy këmbë po shkelet e drejta e qytetarëve për sa i përket lëvizjes së lirë për shkak të mosdhënies me kohë të dokumenteve personale.

“As që diskutohet shkelja. Mirëpo, shqetësimi shtrohet se jo vetëm se nuk respektohen afatet, por askush nuk jep llogari për shkeljen e tyre. Shto këtu edhe mosorganizimin e qytetarëve që ta padisin shtetin për mosmarrjen me kohë të dokumenteve personale pasi Maqedonia e Veriut nga ai moment që do të fillojë të paguajë gjoba për shërbimet jofunksionale në bazë të së drejtës publike, do të marrë masa, në të kundërtën ky kaos me dokumentet personale do të vazhdojë edhe shumë kohë”, thotë Selmani.

Ai shton se Administrata e Maqedonisë së Veriut është gjenerator i depresionit te qytetarët për arsye se dokumentet elementare janë bazë kushtetuese, me të cilat qytetarët duhet të shërbehen në kohën e duhur brenda afateve ligjore.

“Nëse këto afate nuk respektohen, atëherë nuk kemi administratë, e cila ofron shërbim me dinjitet për qytetarët, por ajo përkundrazi i kufizon të drejtat e qytetarëve duke krijuar shumë shqetësime për ta”, thekson Selmani.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk japin detaje se sa qytetarë aktualisht nuk kanë asnjë dokument identifikimi valid, si pasaporta dhe letërnjoftimi.

Nga kjo ministri thonë për REL-in se nga 5 qershori i vitit 2021, kur ka filluar dhënia e dokumenteve me emrin e ri të shtetit, e deri më 4 prill 2024, për t’u pajisur me pasaportat e reja kanë aplikuar 1 milion e 491 mijë e 408 qytetarë.

“Ministria e Punëve të Brendshme me përforcimin e kapaciteteve, ka ndërmarrë masa që qytetarët sa më shpejt që është e mundur, t’i marrin të gjitha dokumentet”, kanë theksuar nga kjo ministri, pa dhënë më shumë detaje për vonesat për sa i përket marrjes së pasaportave nga afati i aplikimit.

Nga ky dikaster kanë theksuar se pasaporta me procedurë të shpejtuar, për të cilën paguhet dyfish më shumë, mund të merret brenda 48 orëve.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në mars të këtij viti mbi 100 mijë qytetarë do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi, të cilit i ka skaduar afati i vlefshmërisë brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve.

Maqedonia e Veriut pritet t’i ndërrojë mbi 1 milion pasaporta
Për ndërrimin e targave nga MK në NMK, qytetarët duhet të paguajnë vetë
Por, dokumentet e pavlefshme nuk vlejnë në banka ose institucionet ku kërkohet përditësimi i të dhënave.

“Ankesat e qytetarëve janë nga më të ndryshmet për sa u përket problemeve, me të cilat përballen gjatë procedurës së pajisjes me dokumente personale. Ka dhe të tillë që u është bllokuar llogaria bankare pasi nuk mund të azhurnojnë të dhënat në bankë, megjithëse ky numër është më i vogël. Si preventivë kërkojmë që të gjendet zgjidhje nga ana e institucioneve kompetente”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Në bazë të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, që u arrit më 17 qershor 2018, qytetarët e Maqedonisë së Veriut u obliguan që deri më 14 shkurt të këtij viti t’i zëvendësojnë dokumentet personale, gjegjësisht pasaportat, letërnjoftimet dhe lejet e qarkullimit, me emrin e ri të shtetit, Maqedoni e Veriut.evropaelire

Prej nesër fushatë edhe për zgjedhjet parlamentare!

Prej nesër, përveç fushatës presidenciale që vazhdon deri në fillim të javës së ardhme, do të nisë edhe fushata për zgjedhjet parlamentare. Fushatat për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare mbivendosen, ndërsa fushata për zgjedhjet parlamentare do të zhvillohet edhe gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale. Sonte pas mesnatës përfundoi afati për t’u paraqitur për të votuar për të pafuqishmit dhe të sëmurit për zgjedhjet presidenciale. Datat 24 prill dhe 8 janë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. E sot përfaqësuesit e partive nënshkruan Kodeksin për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

“Zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. Me të lira nënkuptohet se nuk do të ketë ndikim ndaj të punësuarve në organet shtetërore por nënkuptohet se nuk do të ketë ndaj askujt presion sepse kjo nuk do të ishte votë e lirë”, tha Aleksandar Dashtevski, kryetar KSHZ.