24/04/2024
7.1 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 30

KSHZ në takim me BNJVL: Organizimi i zgjedhjeve demokratike është detyrim i përbashkët

Kryetari i Bashkësive të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Orce Gjorgjievski, pati takim me kryetarin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Dashtevski dhe me anëtarë të këtij organi.

Siç njoftojnë nga BNJVL, në takimin e iniciuar me kërkesë të KSHZ-së, është kërkuar përkrahja e duhur teknike dhe logjistike nga komunat në procesin e realizimit të aktiviteteve zgjedhore.
“Komunat janë të obliguara me ligj që të sigurojnë hapësirë ​​për zhvillimin e votimit, por u theksua se në disa vendvotime nevojitet përkrahje edhe në sigurimin e mjeteve të caktuara teknike, si kompjuterë, printera etj”.

KSHZ-ja në mbledhjen e mbajtur dje bëri të ditur se tashmë janë përcaktuar të gjitha lokacionet, shumica e të cilave janë të vendosura në objektet e shkollave, sallat e shkollave apo çerdhet. Njëkohësisht u theksua se janë kujdesur që ato të jenë të vendosura në pjesën përdhese të objekteve dhe të kenë qasje edhe për personat me nevoja të veçanta.
“Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve nga aspekti teknik dhe për të mundësuar përmbushjen e të drejtës së votës, në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, u kërkua nga komunat që të kontrollojnë qasjet e tilla dhe, nëse është e mundur, të përmirësojnë cilësinë e tyre. Me rëndësi të veçantë për KSHZ-në është sigurimi i hapësirave përkatëse ku materiali i nevojshëm zgjedhor do të depozitohet një ditë para zgjedhjeve. Për të gjitha këto, ata kërkuan nga komunat që të takohen me përfaqësuesit e KSHZ-së dhe njoftuan se do të dërgojnë informata me kërkesa dhe udhëzime më specifike deri te BNJVL dhe vetëqeverisjet lokale”, thonë BNJVL.

Kryetari i BNJVL-së, Gjorgjievski, theksoi se zhvillimi i papenguar i zgjedhjeve të drejta dhe demokratike duhet të jetë imperativ për çdo qytetar dhe se është obligim i përbashkët që ato të zhvillohen në mënyrën më të mirë.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për ftesën e KSHZ-së për bashkëpunim të ndërsjellë për mbarëvajtjen e përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve dhe theksoi se BNJVL do të sigurojë që komunat t’i përmbushin kërkesat e KSHZ-së dhe do të informohen me kohë për aktivitetet e nevojshme që duhet të ofrohen nga karakteri hapësinor, teknik ose organizativ.

Osmani: Presidenti duhet të jetë busull e orientimit gjeostrategjik të vendit

Presidenti i vendit duhet të jetë indi lidhës i narrativave të ndryshme politike dhe etnike. Roli i tij është roli i babait të kombit dhe ai duhet të jetë krijues dhe vazhdimisht të bëjë thirrje për arritjen e konsensusit shtetëror – konsensus politik shtetëror, por edhe konsensus ekonomik shtetëror. Para së gjithash konsensus për anëtarësim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, thekson në një intervistë për MIA-n kandidati për president i BDI-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Ai thekson se ndër shtyllat e programit të tij zgjedhor do të jetë edhe Bashkimi Evropian deri në vitin 2030, do të ofrojë më shumë integrim para anëtarësimit në Union, ndërsa në intervistën për MIA-n ka paralajmëruar fillimin e marrëveshjes ekonomike kornizë. Ai po ashtu thekson se janë pjekur kushtet që qytetarët të votojnë për kompetencë e jo për përkatësi etnike dhe pret mbështetje nga qytetarët nga të gjitha bashkësitë etnike. Ai vlerëson se ka shanse serioze që qytetarët këtë herë t’i tejkalojnë linjat etnike dhe të vendosin për një kandidat që mund të sigurojë përparimin e shtetit. “Në misionin dhe vizionin e presidentit të shtetit, sipas këndvështrimit tim, presidenti duhet të jetë fillimisht busull e orientimit gjeostrategjik të shtetit. Është një çështje shumë e rëndësishme sidomos në kushtet e ndikimeve të jashtme malinje. Së dyti, presidenti duhet të jetë indi lidhës i narrativave të ndryshme etnike dhe politike. Maqedonia e Veriut është një nga demokracitë funksionale multietnike më të suksesshme jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Shtylla e stabilitetit dhe progresit të këtij vendi është harmonia ndëretnike, demokracia funksionale multietnike. Besoj se presidenti i vendit ka rolin e të qenit një ind lidhor, të jetë ngjitës i atyre narrativave të ndryshme që shpesh mund të jenë kontradiktore. Megjithatë, roli i presidentit është të krijojë një avantazh nga diversiteti dhe të inkurajojë më tej atë diversitet. deklaron Osmani.

Ai deklaroi se përveç avokimit për anëtarësim deri në vitin 2030, do të propozojë edhe konceptin e më shumë integrimi para anëtarësimit, në mënyrë që, siç thekson, qytetarët të ndjejnë përfitimet e negociatave me Bashkimin Evropian edhe para vetë anëtarësimit – akses. në fonde, akses në treg dhe akses në organet politike të Bashkimit Evropian.

Aksident në rrugën Gostivar – Strazhë, ndërpritet komunikacioni

Nga ora 11:00 është ndërprerë komunikacioni në rrugën kryesore Gostivar – Strazhë në afërsi të “Urës së Novo Sellë” për shkak të një aksidenti trafiku, njofton LAMM.

Intensiteti i qarkullimit në rrugët rrugore jashtë zonave urbane është mesatar.

Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka më vonesa për hyrje dhe dalje nga vendi.

Taravari në debatin presidencial: Pas 23 vitesh po vjen ndryshimi historik për shqiptarët

Kandidati për presidenti i koalicionit VLEN, Arben Taravari në debatin presidencial tha se programi i tij bazohet në 4 shtylla kryesore, ndërsa në garë ka hyrë për ndryshim për shkak se, siç tha Taravari, shqiptarët kanë nevojë për ndryshim.

“Maqedonia është shtet ose shtëpi e të gjithë njerëzve që jetojnë këtu, është shtet multi-etnik dhe prandaj ekspertët të cilët e përgatitën bashkë me mua programin tim përgatitëm programin i cili bazohet në 4 shtylla kryesore. Integrimi në BE, siguria, shteti i së drejtës dhe demokracia konsensuale”, tha Taravari.

Sipas Taravarit, shqiptarët për më shumë se 23 vite e presin ndryshimin historik dhe se të rinjve duhet t’u jepen mundësi.

“Shqiptarët mezi e presin ndryshimin historik. 23 vjet pushtet është e tepërt dhe mendoj se një gjeneratë e re e politikanëve meriton që ta udhëheqë shtetin dhe t’i jepet një shans. Unë shoh të ri në strukturat tona partiake të cilët kanë kapacitete dhe atyre duhet t’u ofrohet mundësia ashtu siç iu ka ofruar mundësia z.Osmani”, tha Taravari.

Kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari tha se ai është kandidati i vetëm shqiptar , por përveç votës shqiptare do të kërkojë mbështetje nga të gjitha etnitë dhe se këtë e ka bërë edhe në garat ku, siç tha ai, ka fituar në Komunën e Gostivarit dy herë radhazi, ndërsa kundërkandidati është në koalicion laraman.

“Programi im zgjedhor është në 4 gjuhë, në gjuhën shqipe, maqedonase, turke dhe angleze. Tani do të fillojë edhe shpërndarja e programit i cili po ashtu ndodhet në ueb-faqe. “E them me krenari se në të gjitha zgjedhjet ku kam garuar, në vitin 2017 dhe 2021 edhe kur kundërkandidati im nga BDI ka pasur koalicione me këto parti turke dhe rome, duhet ta dimë se çdo qytetar rom ose turk nuk është anëtar i një partie. Unë ju përgëzoj për koalicionet që keni bërë, mirëpo unë besoj se kredibiliteti i njeriut është shumë me rëndësi për ta fituar besimin e këtyre qytetarëve. Kam arritur që në komunën  e Gostivarit të mbajmë një kohezion të brendshëm dhe ju garantoj se në qoftë se bëni një anketim në Komunën e Gostivarit, do ta shihni se percepcioni i qytetarëve është se kryetari i komunës është munduar të jetë i barabartë me të gjithë”, tha Taravari.

Në debat, në lidhje me çështjen e vetingut, Taravari tha se BDI asnjëherë nuk ka bërë hapa konkrete dhe se ka njerëz në listat për deptuetë, por edhe kryetarë komunash nga BDI, të cilët janë në lista të zeza të shteteve mike.

“Do të dëshiroja të pyes Bujarin pse deri sot për 23 vjet BDI që është në pushtet nuk ka miratuar ose propozuar ligj për veting dhe pse propozimi për masat përkufizuese për personat që janë në lista të zeza u ndal disi, në ndërkohë keni disa anëtarë të partive, por edhe njerëz në listën e deputetëve në BDI të cilët janë në listat e zeza të shteteve, të cilat i konsiderojmë mike”, tha Taravari.

Aggeler: Korrupsioni është epidemi në Maqedoninë e Veriut

Ambasadorja amerikane në RMV, Angela Aggeler,  ka folur për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, korrupsionin në vend, listën e zezë të SHBA-së, shtetin e së drejtës.

Ageler thotë se korrupsioni është kancer në Maqedoninë e Veriut dhe se ka përmasa epidemike.

“Korrupsioni mendoj se është epidemi, është kancer në këtë vend. Unë besoj që ata që janë të përfshirë në akte të korrupsionit janë hajdutë. Besoj se janë duke vjedhur nga ky shtet dhe nga qytetarët. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për para, besoj që janë duke vjedhur edhe mundësinë, besoj se janë duke vjedhur në shumë instanca edhe shpresën dhe se njerëzit e këtij shteti meritojnë të kenë liderë, nisma për biznes dhe sipërmarrës të sinqertë”, tha Aggeler.

Sipas saj, zgjedhjet që po vijnë, janë zgjedhje ku do të vendoset e ardhmja e Maqedonisë së Veriut.

“Unë besoj se rrugëtimi i ardhshëm i këtij vendi do të vendoset në shumë mënyra nga zgjedhjet që vijnë”, tha ambasadorja Aggeler./TV21

Një qasje e re në zhvillimin e luftës kundër korrupsionit në prokurimet publike

Në Maqedoni, sfida e korrupsionit në prokurimet publike, që përbën një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë, po trajtohet me masa të reja të koordinimit dhe transparencës. Inspektore Sanja Kostadinovska nga administrata e policisë financiare thekson rëndësinë e mbikëqyrjes dhe kontrollit të rreptë nga institucionet përkatëse për të luftuar këtë fenomen.

Korrupsioni në prokurime jo vetëm që dëmton strukturat demokratike dhe ekonominë, por edhe cënon shtetin e së drejtës. Prandaj, bashkëpunimi ndërinstitucional është jetik për të parandaluar, zbuluar dhe luftuar këtë problem, me qëllim që pronat e shtetit të kthehen tek qytetarët.

Kryerevizori Maksim Acevski nga Enti Shtetëror i Auditimit pranon se korrupsioni nuk mund të zhduket plotësisht, por thekson nevojën për ta reduktuar atë në minimum. Ai vë në dukje se, edhe pse presioni për korrupsion shpesh vjen nga sektori publik, veprimet korruptive mund të fillojnë edhe nga sektori privat.

Aktualisht, janë në proces tre procedura juridike kundër subjekteve private për mosrespektimin e standardeve të cilësisë. Kjo situatë tregon se korrupsioni mund të ndodhë nëse ka ofrues në sektorin privat që tërheqin zyrtarët publikë në sjellje të dyshimta.

Për të luftuar korrupsionin në prokurimet publike, është thelbësore që drejtuesit e sektorit, auditorët dhe menaxhmenti të zgjidhen me kujdes dhe integritet, për të garantuar një sistem të shëndoshë dhe të drejtë. Këto masa janë hapat e parë drejt një sistemi më transparent dhe të përgjegjshëm që u shërben interesave të qytetarëve.

“Një dekadë është e mjaftueshme” – Arben Taravari flet për rrugëtimin politik

“Një dekadë është e mjaftueshme që çdo politikan t’i kontribuojë vendit”.

Kështu, Arben Taravari, kandidati për president nga koalicioni opozitar – VLEN flet për të ardhmen politike. Tregoi se si nisi gjithçka.

“Në jetë, kur planifikon diçka – nuk bëhet dhe kur nuk planifikon diçka – bëhet. Unë, personalisht asnjëherë nuk e kam pasur në plan të merrem me politik. Kam nisur duke e mbështetur një shok. Për në Ministri të Shëndetësisë ka qenë iniciativa ime, ndërkaq për kryetar komune asnjëherë s’kam dashur por jam involvuar. Ndonjëherë, kur ke përkrahjen e shokëve, miqve”, tha Taravari.

Kasami i bindur: Opozita fituese e zgjedhjeve, rezultati është i paracaktuar

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në Çim Peka Live tha se opozita e bashkuar shqiptare në Maqedoni do të dal fituese në këto zgjedhje pasi kështu e thonë shifrat e cikleve zgjedhore të mëhershme.

“Me këtë që ne jemi sot bashk si opozitë besojmë fuqishëm se rezultati zgjedhor është i paracaktuar sepse kështu kanë vendosur shqiptarët në disa cikle zgjedhore por shpërndarja e votave në disa njësi e ka bërë të pamundur”, tha Kasami.

Ahmeti: Rusisë nuk i konvenon një Maqedoni e paqtë, Fronti Europian është e vetmja forcë për t’i bërë ballë

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti i ftuar në emisionin “On Time”, në Tv Koha, foli për rrezikun që i kanoset rajonit nga ndikimi i Rusisë, dhe se kjo ka qenë një nga arsyet kresore për formimin e Frontit Europjan si një forcë apo bllok për t’i paraprirë vendit nga rreziku që i kanoset.

“Qëllimi jonë nuk ka qenë të mbizotërojmë si parti më e madhe, për ne qëllimi kryesor ka qenë ndërtimi i frontit dhe ne e kemi filluar si objektiv para një viti e gjysmë. Kemi mbajtur takime që promovonin një Front Evropian. Ne përveç se jemi parti politike jemi parti edhe me përgjegjësi për lëvizjet jashë Maqedonisë për rajonin dhe Kontinentin edhe jashtë Kontinetit. Vitin e kaluar unë thashë që Ukraina nuk është larg, dhe Rusia do të lëvizte në vendet që i ka pasur në kuadër të Bashkimit Sovjetik. Filluan ca parti politike ca analistë që nuk dinë se si bëhet analiza të bëjnë shaka, dhe ja se çfarë ndodhi. Ky rrezik është ekzistues dhe Rusia është duke verpruar sidomos në Ballkanin Preëndimor. Rusisë nuk i konvenon një Maqedoni e paqtë, as një Kosovë e as një Shqipëri e paqtë, asaj i intereson që të ketë vatrra zjari që ajo suksesshëm t’i fusi nën kthetrat e veta të gjitha ato hapsira që i ka pasur nën Bashkimin Sovjetik.
Prandaj kemi zgjedhur të dalim me moton jo Rusisë dhe po Europës, dua t’i falenderoj të gjithë liderët e partive politike që jemi bashkuar në një front, dhe këtu autorsi nuk ka vetëm BDI-ja por të gjitha këto parti politike të cilat janë rreshtuar dhe janë bashkuar në kuadër të këtij fronti, që vendi ynë suksesshëm”, tha Ahmeti.

Autobusi nga Maqedonia aksidentohet në Itali, një i vdekur dhe 12 të lënduar

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton se përmes Ambasadës në Romë është informuar se sot në autostradën mes qyteteve Ascoli Piceno dhe Ankona në Itali ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin mori pjesë edhe një autobus i një agjencie turistike nga Maqedonia e Veriut.

Siç njoftojnë nga MPJ, në vendngjarje ka humbur jetën drejtuesi i autobusit R.I (1965), shtetas i Maqedonisë së Veriut, ndërsa 12 pasagjerë, poashtu shtetas të RMV-së, kanë marrë lëndime të lehta.

“Ministria, nëpërmjet Ambasadës në Romë, vazhdon të jetë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente italiane, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit”, thonë nga MPJ.