Peshk i Pjekur në Kripë të Ashpër – Shije Perfekte

Një recetë fantastike, e cila mbetet një nga specialitet e restoranteve të peshkut por që shumë thjeshtë dhe lehtë mund të përgatitet në shtëpi.

Peshku i pjekur në kripë të ashpër është një gatim fantastik me një shije shumë të veçantë, e cila do t’ju përfshijë tërësisht sapo ta provoni.

E veçanta e kësaj recete është që peshku duhet të jetë i madh dhe të mos i hiqen luspat, pasi këto të fundit ndihmojnë që kripa të depërtojë aq sa duhet gjatë kohës së pjekjes së peshkut.

Më poshtë do të mësoni nga AgroWeb.org recetën unike të pjekjes së peshkut në kripë.

Përgatitja e Peshkut të Pjekur në Kripë
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

1.5 kg peshk kocë ose levrek (llojin e peshkut mund ta zgjidhni sipas preferencës)

1kg kripë e ashpër (e gjeni në markete)

Vaj ulliri

Rozmarinë

Fetat e një kokrre limoni

Pergatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që të shtroni letër pjekjeje në një tavë në të cilën të shtroni kripë të ashpër aq sa është gjatësia dhe trashësia e peshkut.

Peshkun pasi e kanë pastruar mirë (pa i hequr luspat), thajini lëngjet me letër kuzhine dhe lyejeni me vaj ulliri.

Futini në pjesën e prerë të barkut feta limoni dhe pak rozmarinë për t’i dhënë edhe më shumë shije dhe aromë.

Vendoseni në tavën ku keni shtruar kripën dhe mbulojeni tërësisht me kripë deri sa të mos duket fare.

Futeni në furrë të parangrohur në 200 gradë celcius të piqet përreth 1 orë e 30 minuta derisa pjesa e sipërme e kripës nis të bëhet e kuqërremtë.

Pasi piqet, nxirreni peshkun nga furra dhe hiqeni me kujdes nga kripa.

Hiqni me kujdes lëkurën dhe skeletin dhe priteni në fileto dhe është gati për t’u shërbyer.

Peshku do të ketë sasinë e duhur të kripës dhe një shije të mrekullueshme gjithashtu. Shoqërohet me sallata të freskëta të stinës apo edhe perime të pjekura.

Si të Dalloni Peshkun e Freskët

Peshku duhet të jetë i freskët. Kjo është një nevojë e panegociueshme për çdo konsumator, dhe freskia nuk duhet të merret për e mirëqenë.

Kur të afroheni tek zona e peshkut duhet të ndieni aromën e detit, kripës dhe jodit. Kjo është aroma e freskisë.

Peshku i freskët shkëlqen. Është kaq e thjeshtë! Sa më i freskët të jetë peshku aq më e pastër dhe shkëlqyese duket lëkura e tij.

Ndoshta e keni të vështirë ta prekni, por peshku i freskët nuk qëndron dot në dorë sepse ka tendencën të rrëshqasë. Shikojini duart e shitësit me kujdes, bashkë me mënyrën si qëndron peshku në to.

AgroWeb.org ju udhëzon që të bëni kujdes që peshku duhet të jetë mjaftueshëm i ngurtë dhe i tendosur për të qëndruar horizontalisht.

Mishi i peshkut të freskët nuk shkëputet lehtë nga pjesa kurrizore. AgroWeb.org