Workshop in Leadership

Arbër Çeliku

Ajo që po ndodh në Maqedoni qe katër ditë, nuk arrij ta kuptoj as nga perspektiva ime e gjuhëtarit. AMNISTI? Hap fjalorin shpjegues të shqipes, pastaj DUDEN. Nuk është fjala vetëm për amnisti politike, e cila duhet të rezultojë përmes një ligji të veçantë, por për falje gjithëpërfshirëse të politikanëve, huliganëve, rrugaçëve, dhunuesve, pse jo, edhe të terroristëve. Të sulmosh parlamentin, të rrahësh deri në alivanosje një lider partie, të dhunosh deputetët dhe të ngresh duar mbi femrat politikane, s’ke si e quan ndryshe, përveç një akti të shëmtuar terrorist. Pra, FALJA na dalka koncept më i gjerë se AMNISTIA, sepse, përveç politikanëve, i përfshin edhe huliganët, rrugaçët, dhunuesit dhe kriminelët ordinerë. Nuk është fjala për nënshtrim, aspak jo, por për shërbim, edhe atë për shërbim politik. Çfarë lexohet midis rreshtave është: SUPPORT, kurse seancat parlamentare nuk janë asgjë tjetër pos një: WORKSHOP IN LEADERSHIP, dhe ne, të pasionuarit pas politikës, me veshët katër, jemi veçse: PASSIV OBSERVERS, të pafuqishëm për asgjë, përveç shfryrjes nëpër rrjetet sociale, e cila na bën të dukemi më perversë nga ç’jemi në të vërtetë.
Deputetët e opozitës qenkan të mirë!
Kështu thotë njëri nga deputetët më pleq të parlamentit, një burrë odash dhe shqiptar që qysh në djep ka folur maqedonisht, por që të shumtën e kohës ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka një sjellje të mrekullueshme, të paktën, di të qajë dhe të qeshë jo kur nuk duhet, por vetëm kur duhet, dhe kjo është vërtet një punë e madhe.
Deputetët e opozitës qenkan të mirë!
Këtë e mendojnë edhe disa shqiptarë, të cilët me profesionin e tyre nuk arritën të bënin gjë dhe, me t’u bërë shitës aksionesh politike, nuk dinë çfarë të bëjnë me pronat e tundshme dhe të patundshme, sa dhe gjithë neve të tjerëve na kanë pleksur në ëndrrën e tyre të të qenët milionerë. Megjithatë, të fortët janë ata, ne vetëm se bëhemi të fortë në emër të tyre, kur na jepet mundësia të pimë ndonjë kafe apo t’ua shtrëngojmë rastësisht dorën në ndonjë manifestim, të organizuar për opinionin e gjerë dhe në interes të tyre.
Darvini ka plotësisht të drejtë: i forti është i fortë dhe pikë. Sa më i dobët shteti, aq më i natyrshëm njeriu, aq më i lirë i forti.
Neve vetëm na ka mbetur të bërtasim: AMNISTI PËR TË GJITHË! Dhe për bukuri e luajmë rolin të dyja palët, ne dhe ata; JURIA e porositur, si zakonisht.