01/05/2024
13.1 C
Tetovo
Ballina Blog

Ibrahimi: Do të ketë rotacion të pushtetit, por edhe do të vazhdojë procesi i integrimit

Zeqirija Ibrahimi nga VLEN I pyetur për për procesin e ndryshimeve kushtetuese, Ibrahimi tha se ai do të vazhdojë sikurse siç do të vazhdojë procesi i eurointegrimit ndërkaq premtoi se do të ketë rrotacion të pushtetit, kjo falë legjitimitetit që do ta marrin shqiptarët në Qeverinë e ardhshme.

“Do të ketë ndryshim të pushtetit dhe do të ketë rrotacion të pushtetit dhe ndryshimet kushtetuese dhe procesi i eurointegrimit do të vazhdojë… Tema e parë ndërlidhet me legjitimitetin që do ta marrin shqiptarët në Qeverinë e ardhshme, kurse çështja e dytë është që të gjithë faktorët politikë shqiptarë pa përjashtim janë të vendosur që procesi i integrimit europian të vazhdojë pa asnjë ekuivok”, tha Ibrahimi.

Lloga: Së pari ndryshimet kushtetuese, më pas Qeveria

Krenar Lloga nga Fronti Europian në ClickPlus  tha se duhet respektuar marrëveshja e nënshkruar mes liderëve shqiptarë – që nuk bëhen pjesë e asnjë qeverie pa u miratuar ndryshimet kushtetuese.

Kështu, Lloga rikonfirmoi qëndrimin se Fronti Europian fillimisht përkushtohet për ndryshimet kushtetuese, dhe më pas për formimin e Qeverisë.

“Ajo çfarë është nënshkruar nga liderët e partive politike shqiptare, edhe qëndron dhe është shumë e thjesht: ose do të respektohet ajo marrëveshje ose do të kemi shkelje të asaj për të cilën jemi marrë vesh. Ne si Front kemi thënë – së pari ndryshimet kushtetuese dhe më pas formimi i Qeverisë”, tha Lloga.

Thaçi: Mickoski mund ta përdorë fjalorin e vet kundër gjithkujt, por jo ndaj Frontit dhe Ali Ahmetit

Kryetari i PDSH-së, në Maqedoni të Veriut, Menduh Thaçi, që në zgjedhjet e mbajtura presidenciale, në RMV, ka thënë se kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski, mund të përdorë fjalorin e tij ndaj gjithkujt, por jo kundër këtij koalicioni dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Drama në Maqedoni në zgjedhje është shumë e rëndë. Veprimi im, kontaktet e mia, parakontaktet me VMRO-DPMNE-në janë që drama të mos rrëshqasë drejt tragjedisë, po të rrijë në dramë. Fjalorin që përdor lideri i VMRO-së mund ta përdorë kundrejt gjithkujt, po kundrejt Frontit jo dhe kundrejt zotëri Ahmetit dhe BDI-së jo”.

Thaçi përmendi edhe “rikthimin në situatën e vitit 2001”.

“Nëse prej kësaj situate nuk dalim me qeverisje stabile, ne jemi shumë afër të rikthimit të situatës së vitit 2001. Situata është shumë serioze. Nuk është situatë për të bërë shaka. Unë do të bëj maksimumin që të mos vijë deri te kjo. Dhe kontaktet që janë vendosur u kam thënë: duhet të jeni të kujdesshëm se shakaja elektorale mund të sjellë pasoja shumë të mëdha”. /Lajmi.net/

Sela në Pressing: Mickoski gabon kur i sheh shqiptarët ende si komb pakicë, fjalori i tij nuk garanton stabilitet në shtet!

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i ftuar në emisionin Pressin me Leonard Kerqukin në Televizionin Klan Macedonia tha Mickoski po hap tema nacionaliste që nuk i ndihmojnë stabilitetit të shtetit.

Ai shtoi se në Maqedoni ka 30 përqind shqiptarë, ndaj gabon VMRO kur i sheh shqiptarët si popull pakicë në shtet.

“Duhet të shqetësohemi nëse fjalori i VMRO-së është për njëmend, sepse e dimë mirë që Ballkani ka prodhuar politikanë që kur janë në opozita bashkojnë troje e kur janë në pushtet veprojnë ndryshe. Fjalori i Mickoskit nuk më pëlqen, aspak s’më pëlqen ajo trimëri e tyre dhe ai hov që e ka. Nuk e uroj të jetë qeveritarë, mirëpo nëse ai është duhet të kujdeset për një Maqedoni stabile, mirëpo një shtet stabil me atë fjalor nuk bën! Mickoski po hap tema goxha të ndjeshme, 30 përqind janë shqiptar në këtë vend dhe 54 shqiptarë, ndaj ne nuk jemi pakicë siç a quan Mickoski”, deklaroi Sela.

Sela tha se nuk e shqetësojnë shumë deklaratat e Mickoskit kundër shqiptarëve, por e shqetësojnë politikanët e VLEN-it që i duartrokasin deklaratat anti-shqiptare të tij. /TvKlan.mk

Kasami me rininë e VLEN-it në hapësirat turistike të Malit Sharr: Turizmi malor, prioritet i qeverisë së ardhshme

Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëheritë bartësi i listës për deputetë në njësinë 6 nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami ka vazhduar sot fushatën në Malin Sharr.

Kasami tha se me Ndryshimin që VLEN, pas 8 majit, në pikat turistike të Tetovës dhe rajonit do të investoj edhe si pushtet qendror dhe turizmi në malin Sharr do të zhvillohet në maksimum.

“Bashkë me Forumin e Gruas dhe rininë e VLEN sot qëndruam në Gurin e Sidollit. Tetova ka natyrë të pasur, vende tepër piktoreske për të cilat kujdesemi që ti ruajmë por edhe ti promovojmë si vende turistike. Po ashtu bashkë edhe me kandidatët për deputetë të zonës zgjedhore 6, takuam numër të madh të qytetarëve të cilët kishin dalë në shëtitje. Ja VLEN që Tetova dhe vendet e saj të ruhen, të vizitohen dhe të jenë perla turistike, të cilat nuk mund të gjinden në asnjë vend tjetër.

Me Ndryshimin që VLEN, pas 8 majit, në pikat turistike të Tetovës dhe rajonit do të investojmë edhe si pushtet qendror dhe turizmi në malin Sharr do të zhvillohet në maksimum!”, ka shkruar Kasami.

Maqedoni, fillon regjistrimi i nxënësve të klasës së parë për vitin shkollor 2024/25

Në shkollat ​​fillore në vend në muajin maj do të bëhet regjistrimi i nxënësve të klasës së parë.

Prindi ose kujdestari është i detyruar të regjistrojë në shkollë fillore fëmijën që do të mbushë gjashtë vjeç deri në fund të vitit kalendarik.

Përjashtimisht, fëmija mund të regjistrohet në klasën e parë nëse brenda datës 31 janar të vitit pasardhës ka mbushur gjashtë vjeç, pas një kërkese të mëparshme të prindit, pra kujdestarit dhe një mendimi të marrë nga pedagogu ose psikologu në shkollë.

Prindi ose kujdestari ka të drejtë ta regjistrojë fëmijën në shkollën fillore të zonës ku jeton ose banon përgjithmonë. Shkolla fillore është e obliguar të përfshijë nxënës nga zona e saj.

Me kërkesë të prindit dhe nëse ka pëlqim nga shkolla, si dhe vende të lira, fëmija mund të regjistrohet në një shkollë që nuk është në zonën e tij të banimit.

Vettingu, kusht për qeverinë e re/Fronti Europian: Pa vetting, nuk ka progres në luftën ndaj korrupsionit

Fronti Europian si kusht për formim të koalicionit qeveritar ka vendosur edhe vettingun për bartësit e funksioneve publike, përcjell TV21. Siç thotë deputetja Arta Bilalli Zendeli, vetingu nevojitet për pushtetin ligjvënës, për eksekutivin, në gjyqësor, por edhe për çdo funksion tjetër në sektorin publik, në nivel qendror dhe lokal, për persona të zgjedhur ose të emëruar. Tha se nuk do të ketë aspak tolerancë dhe kompromis në luftën kundër korrupsionit.

“Pa vënien në lëvizje të një mekanizmi efikas dhe të një skaneri objektiv të pastërtisë së figurave që marrin përgjegjësi publike, siç është vettingu, nuk mund të arrihet progres optimal në përballjen me krimin dhe korrupsionin. Sundimi i ligjit, drejtësia dhe qeverisja e mirë garantojnë lojalitet dhe përgjegjësi të njëjtë për çdo qytetar para ligjit”, theksoi Arta Bilalli Zendeli – Fronti Europian.

Partitë në pikniqe – 1 maji si fushatë parazgjedhore!

“Kthimi i VMRO-DPMNE-së në pushtet do të thotë bllokimi I Maqedonisë dhe tensione të brendshme etnike”. Kështu ka deklaruar kreu I LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, gjatë piknikut për 1 Majin në Parkun e Qytetit në Shkup.

“Nëse një parti djathtiste sikurse VMRO fiton aq fuqi, me të gjitha resurset shtetërore në dispozicion mund të përballemi me fundin e perspektivës sonë evropiane. VMRO do ta anulojë eurointegrimin njëjtë sikurse e bënte Gruevski”, deklaroi Dimitar Kovacevski.

1180×200
Mickoski për 1 Majin, ka ndarë kohë për familjen. Ai në Facebok ka postuar fotografi gjatë vizitës familjare në Pirgo – Mokrievë, por nuk ka hezituar ta thumbojë qeverinë lidhur me të drejtat e punëtorëve.

“Sot të drejtat e punëtorëve janë shkelur. Shteti shumë pak kujdeset për ata që krijojnë dhe janë shtylla e ekonomisë sonë. Për mobingun rrallë flitet, por problemi më i madh janë pagat që kapërdihen nga inflacioni”, tha Hristijan Mickoski.

BDI nuk ka dalë në piknik, por sic thanë, solidarizohen me gjithë punëtorët të cilëve ju shkelen të drejtat themelore, e në veçanti me punëtorët e NPK – Tetova, Tetovë.

“Sot, punëtorët e NPK-së nuk kanë rroga, nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk kanë jetë të dinjtetshme, madje shpesh here edhe kërcënohen dhe sulmohen nga menaxhmenti i komunës”, tha Xhemal Jusufi.

Koalicioni VLEN ka vazhduar aktivitetet parazgjedhore edhe më 1 maj. Programi i tyre është shpërndarë edhe nëpër vendpikniqet e ndryshme gjithandej vendit.

Bilall Kasami në Gurin e Sidollit në Tetovë, Izet Mexhiti në Parkun e Çairit, Afrim Gashi në takim me banorët e Sllupçanit, kurse Arben Taravari në Facebook ka postuar një material filmik duke e titulluar “1 Maj ndryshe” dhe duke u zotuar se gjendja e punëtorëve shumë shpejt do të ndryshojë.

Kreu I Lëvizjes “Znam”, Maksim Dimitrievski, nga pikniku i organizuar në Pelincë sërish ka sulmuar ish-partiakët e tij.

“Arroganca ju solli në këtë gjendje” ka qenë mesazhi i tij drejtuar LSDM-së duke adresuar kritika për hapjen e klubeve Bullgare në vend.

Më 1 maj, “Levica” ka prezantuar programin zgjedhor para Konfederatës së Sindikatave të Lira. Sic thuhet, Programi I tyre fillon dhe përfundon me punëtorin si shtyllë e shoqërisë.

“Në vend të interesit të punëtorëve, në vend sundojnë interesat e oligarkëve” – thonë nga “Levica”./tvklan.mk

Gjenden eshtra njerëzish në oborrin e Klinikës së Psikiatrisë në Shkup – ekipi i SPB Shkup kryen hetime!

Ndërtimet në Klinikën e Psikiatrisë në Shkup kanë nxjerr në dukje dhe një problem – vendi i mbushur me eshtra njerëzish, pasi më parë në oborrin e Klinikës ka pasur varreza, transmeton TV21.

“Më datë 30.04.2024 në ora 11.40 në SPB Shkup është denoncuar se në Klinikën e Psikiatrisë në kuadër të Kompleksit të Klinikave “Nënë Tereza”, gjatë realizimit të punimeve ndërtimore – kryerjen e gërryerjes, është gjetur asht me shumë gjasë i njeriut, në vendin ku më parë ka pasur varreza. Në vendin e ngjarës ka dalë ekipi i SPB Shkup dhe është njoftuar dhe prokurori publik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Me pagat që marrim mezi arrijmë ta mbyllim muajin” – Punëtorët protestojnë në Shkup

Organizatat sindikaliste në Maqedoninë e Veriut, kanë protestuar para qeverisë në Shkup, për rritjen e pagave të punëtorëve dhe kushte më të mira në punë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Për herë të parë, me moton “Ne punëtorët”, në protestë janë bashkuar dy organizatat më të mëdha, Lidhja e Sindikatave dhe Konfederata e Organizatave Sindikale.

Këto dy organizata kërkuan nga qeveria rritjen e pagës minimale në 450 euro, mbulimin e shpenzimeve për transport, ushqim dhe marrëveshjet kolektive që garantojnë të drejtat e tjera në punë.

“Pa plotësimin e standardeve minimale të Bashkimit Evropian ne nuk mund asnjëherë të bëhemi pjesë e unionit [evropian]. Me pagat që marrim mezi po arrijmë të mbyllim muajin. Varfëria ka hyrë në shtëpinë e çdo punëtori”, ka deklaruar Angel Stojkovski, punonjës në industrinë e tekstilit në protestën e 1 majit të mbajtur në Shkup.

Protestuesit thonë se është momenti i fundit që institucionet të ndërgjegjësohen pasi vendi do të mbetet pa punëtorë nëse vazhdojnë të nëpërkëmben nga shteti.

“Kemi dalur që të kërkojmë të drejtat tonë, të solidarizohemi me të gjitha degët e industrisë, me të gjithë punëtorët dhe të përçojmë porosinë tek qeveria aktuale dhe ajo që do të vijë që të mos luajë me të drejtat e punëtorëve pasi ata janë shtylla e këtij vendi”, ka deklaruar Ivan Peshevski, nga sektori i ndërtimtarisë.

Drejtuesit e sindikatave, në veçanti, iu drejtuan partive që do të formojnë qeverinë e re, pas zgjedhjeve parlamentare, më 8 mars, me kërkesën që në 100 ditët e para të punës së saj të plotësojnë kërkesat bazë.

“Paga minimale duhet të ndjekë trendin e pagës minimale në rajon, veçanërisht për shkak të Ballkanit të Hapur për shkak të mundësisë që gjatë verës punëtorët tanë të largohen për të punuar në vende të tjera”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave.

Marjan Risteski, nga Konfederata e Organizatave Sindikale, tha se në Maqedoni të Veriut gjendja materiale dhe financiare e punëtorëve është duke u përkeqësuar që një kohë të gjatë dhe numri i të papunëve po rritet ndërsa investitorët po largohen nga vendi.

“Ata po shkelin ligjin duke punësuar madje edhe mjekë, specialistë, e personel tjetër mjekësor me kontrata të përkohshme që i pamundësojnë realizimin e të drejtave më elementare, si sigurimin shëndetësor dhe pensional. Si mund të angazhohet ky kuadër i domosdoshëm me kontrata të përkohshme kur ka vende të lira të punës?”, thotë Risteski.

Maqedonia e Veriut ndodhet para zgjedhjeve parlamentare dhe rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen më 8 maj.

Partitë politike, gjatë fushatës elektorale, kanë bërë premtime të ndryshme, si rritjen e pagës minimale deri në 650 euro dhe pagës mesatare deri në 1.100 euro.

Drejtuesit e organizatave thonë se kanë dëgjuar premtime të tilla në çdo cikël zgjedhor, por ua kanë rikujtuara institucioneve që do të përballem me protesta të fuqishme nëse nuk ndërmarrin masa për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve.

Maqedonia e Veriut në mars u përshi nga protestat e profesorëve universitar dhe punonjësve shkencore ndërsa në muajin shkurt nga mjekët specializantë dhe punonjësit tjerë mjekësor.

Paga minimale në Maqedoninë e Veriut arrin në 22.500 denarë (365 euro), ndërsa mesatarja në 39.276 (638 euro). Por, këto paga nuk pasqyrojnë gjendjen reale pasi lartësinë e tyre e diktojnë pagat e kompanive farmaceutike, të shërbimeve kompjuterike dhe të disa ndërmarrjeve tjera me të ardhura të larta./REL